Ta përballojmë humbjen për ndriçimin e gjeneratave
Ceremonia është përcjellë edhe me fjalët e të afërmve të policëve të vrarë. Një prej tyre ishte edhe Bilbil Dervishi, aktualisht oficer policie, i cili është vëllai i policit të vrarë në krye të detyrës, Allaman Dervishi. Duke falënderuar organizatorët e këtij takimi dhe cilësuar këtë si një shenjë të një fillimi të ri të vlerësimit të punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës, nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Dervishi u shpreh se pjesëtarët e familjeve të punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës ndjejnë dhimbje për humbjen e tyre, por edhe ndjehen krenarë për ta, pasi dhanë jetën e tyre në luftën kundër krimit dhe kriminelëve që atdheu ynë i dashur, Shqipëria, të jetë një vend dhe një shtet ku sundon ligji, rregulli dhe liria. "Edhe mua, si shumë të tjerëve, më është vrarë nga kriminelët në krye të detyrës vëllai Allaman Dervishi. Ai ishte në moshën 35-vjeçare, i cili shërbente në Komisariatin e Policisë Rrugore të Tiranës. Ashtu si për të gjithë ata që kanë pasur një fat të tillë, edhe për neve ka qenë e vështirë, por kemi gjetur forca që të përballojmë këtë dhimbje dhe djali i tij që e la vetëm 3 vjeç të rritet me ndjenjën e respektit që babai i tij dha jetën në krye të detyrës, që nëna dhe bashkëshortja e tij dhimbjen të mos e kthejnë në hakmarrje, por në drejtësi e dinjitet, që kolegët e tyre të vazhdojnë kryerjen e detyrës me guxim e trimëri e të fitojnë çdo betejë me krimin e kriminelët", tha Bilbil Dervishi. Gjithashtu, fjalë përshëndetëse kanë shprehur edhe familjet e katër policëve të vrarë në muajin gusht të këtij viti.