E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godina e re, prokurorët përballë të pandehurve

Prokurorët e Krimeve të Rënda, pas shumë refuzimeve dhe debateve me Ministrinë e Drejtësisë, transferohen në godinën e re, në afërsi të Burgut 313. Si për ironi të fatit, prokurorët janë vendosur me pamje nga paraburgimi, duke pasur përballë të pandehurit, sikur të ishin në një seancë gjyqësore. Në ambientet e reja mungojnë grilat e dritareve dhe e gjithë pamja nga burgu është me dopio xham. Në zyra mungojnë printerët dhe masat e sigurisë. Gjithsesi, dje të gjithë prokurorët e Krimeve të Rënda kanë marrë urdhër se duhet të lënë ambientet në godinën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Me automjetet e prokurorisë, por edhe me automjetet e tyre private, prokurorët kanë marrë në duar dosjet dhe janë zhvendosur në zyrën e re. E gjithë zhvendosja është realizuar në masa të larta sigurie, pasi prezentë kanë qenë forcat e "Briskut" për çdo të papritur.
Duket se dje ka marrë fund një prej debateve midis akuzës qendrore dhe Ministrisë së Drejtësisë, në kohën kur drejtohej nga Enkelejd Alibeaj. Me ardhjen në krye të drejtësisë të Nishanit është rënë dakord që prokurorët të kenë hapësirat e nevojshme që kërkonin në godinën e re, në afërsi të Gjykatës Penale të Tiranës dhe në paraburgimin 313.

S.Ç

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›