"26 tetori, tashmë në historinë e policisë"
"Data 26 tetor do të hyjë në historinë e Policisë së Shtetit si një ditë e shenjtë". Kështu është shprehur kreu i policisë, Ahmet Prençi në fjalën e tij, duke shtuar se "jemi mbledhur sot në këtë ditë të shënuar për Policinë e Shtetit, për të përkujtuar aktin sublim të 241 punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët dhanë gjënë më të çmuar, jetën, në mbrojtje të vlerave më të larta që qëndrojnë në themel të një shoqërie demokratike". Sipas tij, heronjtë tanë do mbeten simbol guximi dhe vendosmërie. Akti i tyre gjithmonë do të kujtohet si një shembull i virtytit dhe moralit më të lartë të shërbimit ndaj atdheut dhe gjithë shoqërisë. Ai ka ftuar pjesëmarrësit për një minutë heshtje në nderim të tyre. Sipas tij, policia gjithmonë është në luftë me botën e errët të krimit dhe çdo punonjës policie pas betimit në ditën e parë të punës, është i vetëdijshëm për rrezikun që sjell një luftë e tillë, ashtu sikundër çdonjëri e di dhe misionin e tij, luftë pa kompromis me krimin dhe kriminelët për të garantuar një mjedis të sigurt për komunitetin. "Akti vetëmohues i tyre shpreh më së miri mundin dhe përpjekjet me të cilat përballet Policia e Shtetit gjatë përmbushjes së misionit të saj sa të vyer aq dhe të vështirë në mbrojtje të vlerave më të larta të shoqërisë njerëzore. Heroizmi i tyre është dëshmi e vullnetit të palëkundur të Policisë së Shtetit për të luftuar me zero tolerancë krimin në çdo formë që shfaqet, për të bërë jetën e qytetarëve më të sigurt. Vendosmëria jonë për t‘i dhënë kriminelëve dhe krimit përgjigjen e merituar, mbetet e pacenuar, sikundër deri më sot", u shpreh drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.