E Diel, 1 Nëntor 2026

Propozimi i Dajtit për Doklen: Të jap Plaurent Dervishin, më jep Altin Ollonin

Duke treguar detaje nga biseda me Aleks Kekën, Adriatik Coli ka vijuar me një "pazar" midis Dritan Dajtit dhe Indrit Dokles. "Në takimin e vitit 2005, data nuk më kujtohet, ku morën pjesë Dritan Dajti, Emiljano Shullazi, Indrit Dokle dhe Aleks Keka, nga ana e Dajtit kishte ardhur një propozim për Doklen. Nga Aleks Keka mësova se Dajti kërkonte me çdo kusht që të merrte peng dhe më vonë ta ekzekutonte Altin Ollonin, për shkak të disa konflikteve. Si këmbim, Dajti do t‘i vinte në dispozicion Indrit Dokles kunatin e Lulzim Berishës, Plaurent Dervishin. Tratativat u zhvilluan në lagjen ‘21 Dhjetori‘, në afërsi të apartamentit ku banonte me qira Dokle. Por pazaret u prishën, pasi asnjëra nga palët nuk ka pranuar kushtet e njëra-tjetrës nga frika e mosbesimit të ndërmjetëm", tha Coli. Ai tregoi më pas se Aleks Keka kishte dhënë një opinion, sipas të cilit, Indrit Dokle ka humbur shumë nga ky takim. Coli ka treguar dje se pas bisedës 90- minutëshe me Kekën në shtëpinë e tij në fshatin Bajzë të Malësisë së Madhe ka kaluar me ndihmën e disa të njohurve të Kekës në shtetin e Malit të Zi dhe duke përshkruar disa vende të Ballkanit mbërriti në Itali, nga ku vendosi të dorëzohej para autoriteteve të drejtësisë shqiptare, duke treguar shumë episode ku akuzohen 16 persona për dhjetëra vrasje në Durrës.

S.Ç

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›