E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhemo kërkon spektakël,Cana në zemër të fushës

/* */

Dash FRASHËRI - Një Shqipëri në format “miks” dhe me një zëvendestrajner në bankinë, Xhemal Mustedanagiç, do të luajë kundër Azerbajxhanit (18:00), në miqësoren e pestë kundër azerëve, duke synuar se do ta nisë me fitore aventurën post-Josip Kuzhe, i njohur edhe si “mbreti i miqësoreve”, pasi në 11 të tilla, kroati arriti të fitojë 6 takime, duke barazuar 3 dhe humbur vetëm 2.

Boshnjaku Mustedanagiç, i cili ka qenë ndihmës i Kuzhesë në eliminatoret e Euro 2012-s, por dhe që ka drejtuar dy nga dhjetë takimet zyrtare (për shkak të gjendjes shëndetësore të Josipit), e nis aventurën e tij si “trajner adinter” me një ndryshim thelbësor, duke vendosur kapiteni Lorik Cana në zemër të fushës, rol që kosovari e kryen te Lacio.

Mister Mustedanagiç, Josip Kuzhe e kishte zakon të shpallte formacionin, ju do ta bëni?
Pa dyshim, do të luajmë me Hidin në portë, Lilën, Dallkun, Telin, Agollin në mbrojtje, Roshin nga e djathtë në mesfushë, Cana e Bakaj në qendër, Hyka nga e majta. Në sulm Bogdani dhe Salihi.

Duke qenë se Shqipëria ende nuk ka një trajner zyrtar, është e qartë se listën e ka përpiluar Federata. Po formacioni, a është i juaji?
Natyrisht, është normale që FSHF-ja e ka sjellë listën. Kjo do të ndodhte kudo,  meqë s’ka një trajner. Gjithsesi, formacioni është i imi.

Ju e keni drejtuar Kombëtaren e Shqipërisë kur u sëmur, Kuzhe, në ndeshjet zyrtare kundër Bosnjës dhe Bjellorusisë. Çfarë ndryshimi ka me dy ndeshjet e tanishme miqësore, ato kundër Azerabajxanit dhe Maqedonisë?
Sigurisht, ndryshimi më i madh është që në atë kohë dy ndeshjet kishin rëndësi për eliminatoret e Europianit, ishin në lojë pikët e përfaqësueses. Këto ndeshje janë për të formatuar grupin për sezonin e ardhshëm. Unë mendoj se do të kishte qenë e rëndësishme që të ishte në drejtim trajneri i ri. Do të kishte punuar në funksion të ideve të tij.

E nisni me një ndryshim në repartin e mbrojtjes, duke spostuar Dallkun në qendër dhe vendosur Canën në mesfushë. Përse ky ndryshim?
E kemi bërë për shkak se kemi probleme në mesfushë. Cana na duhet në mesfushë si mesfushori i fundit. Ai është një lojtar me shumë eksperiencë dhe mund të na shërbejë shumë në atë rol.

Çfarë synimesh keni në këto dy ndeshje miqësore?
Pres dy ndeshje të mira, por në radhë do të më pëlqente të shihja lojë të mirë. Këto janë ndeshje në fund të sezonit, synimi im ka qenë një formacion që do e zhvendosë Shqipërinë në sulm. Për nga kualiteti dhe nga mentaliteti shqiptarët duhet të luajnë në sulm. Edhe unë e pëlqej futbollin sulmues dhe kjo do të thotë që jemi në sinkron. Dua spektakël.
Mungojnë shumë lojtarë, disa janë larguar, të tjerët janë të dëmtuar. A ju shqetëson ky fakt?
Natyrisht. Është problem fakti që na mungojnë shtatë lojtarë nga ndeshja e fundit me Rumaninë. Dhe këtu e nis me Ujkanin dhe e përfundoj me Lalën.
A ju ka dhënë ndonjë këshillë Kuzhe për këto dy ndeshje?
Nuk kam pasur asnjë konsultim me Kuzhenë sepse i njoh vetë shumë mirë këta lojtarë. Kemi humbur disa pikë që nuk duhet ti kishim humbur, por kemi fituar disa të tjera që kanë qenë të papritura, Nuk kemi pasur fat sepse lojtarët janë dëmtuar në momente kyçe të sezonit tonë.

Fatura e dështimit

Trajneri Josip Kuzhe u largua në fund të edicionit, për shkak se objektivat nuk u arritën. Shqipëria në dhjetë takime fitoi vetëm dy (Luksemburg, Bjellorusi), duke u renditur e parafundit në grupin e saj. Mustedanagiç: “Zakonisht dështimi i faturohet trajnerit të parë por unë nuk i largohem kurrë përgjegjësisë. Jam i ndërgjegjshëm se Shqipëria kishte mundësi për të marrë pak më shumë pikë,por nga ana tjetër ka zhvilluar disa lojëra shumë të mira dhe këtë nuk mund ta mohojmë dot. Mendoj gjithashtu që Shqipëria ka mundësi të mira për të bërë përpara, ka një perspektivë të mirë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›