E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bejkush Birçe: Pse jam për një trajner shqiptar për Kombëtaren

/* */

Dash FRASHËRI - Ish-trajneri i Kombëtares, Bejkush Birçe, 68 vjeç, presidenti aktual i shoqatës së “Trajnerëve shqiptarë”, tha se Shqipëria pas largimit të trajnerit Josip Kuzhe, ka nevojë për një drejtues që të njohë mentalitetin dhe psikologjinë e futbollit shqiptar.

“Unë do të isha për vazhdimin e Kuzhesë, pasi ai e njohur mirë ekipin, por për momentin unë jam në favor të një trajner shqiptar. Nëse flasim për një perspektivë pak më të largët, pra për Euro 2016, do të ishte më mirë një shqiptar. Personalisht këmbëngul se është një rast që duhet provuar. Besoj se një trajner shqiptar ka më shumë sedër, sesa një i huaj, që shikon rezultatin e momentit. Nuk është e lehtë të ndërtosh një ekipi Kombëtar, pavarësisht se tani kemi një skuadër që merr lojtarë nga dy shtete, Shqipëria dhe Kosova”, -tha për gazetën “Telegraf”, Birçe, i cili e drejtoi ekipin Kombëtar në periudhën 1990-1994, duke e marrë postin nga Shyqyri Rreli, për t’u pasuar nga Neptun Bajko. Birçe e nisi me Islandën (humbi 2-0 në Rejkavik, më 30 maj 1990) dhe e mbylli me humbjen 5-1 më Spanjën (22 shtator 1993). Birçe e drejtoi përfaqësuesen në 19 ndeshje, duke regjistruar 4 fitore, 2 barazime dhe 13 humbje.

Zoti Bejkush Birçe, emërimi i trajnerit të ri të Kombëtares është shndërruar në një çështje, pasi si kosovari Besnik Hasi, ashtu dhe gjermani Lorenc-Gynter Këstner, i refuzuan ofertat e bëra nga Federata Shqiptare e Futbollit. Si do ta komentonit?
Me sa kam mësuar atyre u janë ofruar shumë të mëdha, 200 mijë euro kontratë në vit dhe 10 mijë euro për çdo fitore dhe i kanë refuzuar. Janë trajnerë që kërkojnë shuma të mëdha, por në fakt, ndoshta mund të mos jenë ata të duhurit për të drejtuar ekipin Kombëtar. Duhet pranuar se skuadra jonë përfaqësuese ka vështirësi. Nëse duhet që trajneri të jetë shqiptar, apo i huaj. Askush nuk mund të vendosë kufizime apo kufij në këtë. Personalisht, si një ish-trajner i Kombëtares, do të preferoja një shqiptar, ose do të doja të qëndronte Josip Kuzheja, që mbylli edhe eliminatoret e Euro 2012-s.

Cili është argumenti juaj, pasi kroati e prishi kontratën në mënyrë konsensuale?
Ai e njohu situatën e ekipit Kombëtar dhe kjo për një trajner do të thotë shumë. Dhe unë besoj se ai do të nxirrte maksimumin nga lojtarët. Një i ri, do të ketë nevojë për ta njohur atë. Nga eksperienca ime, them se të paktën do t’i duhet një vit, për të mos thënë më shumë. Unë do të preferoja më mirë atë, sesa zëvendësime të herëpashershme, siç edhe ka ndodhur. Këto ndërrime nuk e stabilizojnë gjendjen.

Si Besnik Hasi, ashtu dhe gjermani Këstner nuk kishin shumë përvojë në drejtimin e skuadrave të mëdha. Sa mund të ndikojë në performancën e mirë të një ekipi Kombëtar?
Nuk është e thënë se duhet të jesh patjetër të jesh trajner i madh. Trajnerët e mëdhenj bëhen nga ekipet. Zhoze Murinjo, për shembull, ishte zëvendëstrajner te Barcelona, por mori një ekip, Porton, dhe u evidentua. Unë jam i mendimit se duhet të gjejmë njeriun, i cili te ne duhet të studiojë shumë nivelin tonë, psikologjinë tonë, mundësitë, organizimin tonë. Gus Hidink shkoi në Rusi dhe u fut deri në kategorinë e dytë, kur Rusia nuk ishte një një gjendje të mirë. Arriti ta fuste në Europian, por nuk ishte e thënë që ai të jepte rezultat në Turqi, pavarësisht se turqit janë në plejof për një vend në finalet e Euro 2012-s. Dua ta theksoj, se trajnerët që kanë emër të madh kërkojnë një buxhet më vete, por Federata jonë nuk i ka të mëdha mundësitë financiare.

Zoti Birçe, përse ju jeni për një trajner shqiptar?
Për të qenë realist, ne kemi vështirësi për të hyrë në finalet e një kompeticioni të madh, qoftë ky europian apo botëror. Kjo, për vetë kontingjentin e lojtarëve, që ka ardhur duke u reduktuar. Kjo na jep të drejtën që ne të përgatitemi jo për edicionin e Botërorit 2014, por për Euro 2016. Pra, për një perspektivë pak më të largët. Kjo më shumë u intereson trajnerëve shqiptar, sesa u intereson atyre të huaj. Duhet të kemi parasysh edhe gjendjen tonë. Ne nuk kemi lojtarë të spikatur në grupin aktual. Për etikë nuk dua të përmend emra. Roshi, i cili luan në Gjermani, i përket së ardhmes. Pjesa aktuale e ka paksa të kufizuar për të rritur nivelin. Unë gjykoj se ne nuk kemi lojtarë që të marrin përsipër mbi shpatulla përgjegjësinë ekipin Kombëtar.

Sa na dëmton përkohshmëria e trajnerëve të huaj në drejtimin e Kombëtares?
Trajnerët e huaj vijnë dhe synojnë të shfrytëzojnë të gjitha potencialet aktuale që ka skuadra, pa menduar gjatë për të ardhmen e ekipit. Nga ana tjetër, ata vijnë edhe për interesin e tyre, për të evidentuar veten, pasi të qenit trajner i një ekipi Kombëtar është një gjë e madhe, sesa mund të kenë interesa për të rindërtuar një të ardhme. Shto, kësaj edhe opinionin që krijohet se ardhja e një trajneri të huaj do të na fusë në finale. Ai nuk ka çelësin magjik. Ndoshta në një çast mund të na bien ekipe që janë afërsisht të një niveli, por ato janë më të rrezikshme për ne, sesa vetë ekipet e mëdha, ndaj të cilave gjithmonë kemi treguar se luajmë mirë. Por, luajmë për të humbur.

Në këtë moment, ju jeni për një trajner shqiptar apo të huaj?
Në gjykimin tim, pas kaq vjetësh do të doja të provoja një shqiptar. Ka kolegë të mi që janë në favor të një tekniku vendas. Personalisht këmbëngul se është një rast që duhet provuar. Besoj se një trajner shqiptar ka më shumë sedër, por duhet shumë punë, jashtëzakonisht shumë. Nuk do të isha kundër asnjë ish-trajneri të ekipit Kombëtar, apo dhe ndonjë trajneri që aktualisht drejton në Kategorinë Superiore.

Cili është?
Bejkush Birçe e ka nisur karrierën si trajner i të rinjve ne vitin 1971. Vlonjati ka dalë tri herë kampion si trajner, dy herë me Partizanin (1978-1979, 1980-1981) dhe një me  Dinamon (1989-1990), si dhe ka fituar katër herë Kupën e Shqipërisë. Gjatë karrierës së tij si trajner (1971-1966) ka drejtuar edhe Flamurtarin, Teutën dhe Naftëtarin. Birçe e drejtoi përfaqësuesen (1990-1994) në 19 ndeshje, duke regjistruar 4 fitore, 2 barazime dhe 13 humbje.

Ju tregoj gjermanolindorin Klinger

Bejkush Birçe ka punuar për pak muaj me trajnerin gjermanolindor Johakim Klinger, pikërisht në vitin 1990, duke e pasur ndihmës të tij lektorin e njohur të Federatës Gjermanolindore të Futbollit. Pikërisht, së bashku edhe me Birçen, Klinger do të drejtonte ekipin Kombëtar në ndeshjen kundër Islandës, më 30 maj 1990, të humbur 2-0, për eliminatoret e Euro 1992. Por, si e kujton Birçe ndihmësin e tij gjerman? “Fillimisht ai erdhi për të qenë ai trajneri i ekipit Kombëtar. Në fakt, nuk pata shumë kohë që të punoja me të. Ishte një njeri i rregullt, gjerman në kuptimin e fjalës. Ishte i disiplinuar, por nuk kishte shumë eksperiencë për ekipet kombëtare. Disiplina ishte dhe arma e tij më e fortë. Nuk ju duk puna, pasi ai largua nga ekipi Kombëtar qysh para ndeshjes me Islandën, për shkak të incidentit të lojtarëve në aeroportin e Londrës”

Gega, serioz. Strakosha, me sedër

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, ditët e fundit bëri disa ndryshime në drejtimin e ekipeve kombëtare te moshave. Skënder Gega u caktua si trajner i Kombëtares U-21, ndërkohë që Foto Strakosha i U-19. Trajneri Bejkush Birçe: “Mendoj se ka bërë lëvizje të mira. Vendosi trajner të ekipit Shpresa, një ish-futbolist, i cili ka qenë trajner dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë e kam pasur futbollist te Partizani. Është një djalë shumë i edukuar dhe korrekt. E meriton ta drejtojë Kombëtaren U-21. Sesa do të arrijë është diçka tjetër. Foto Strakosha është një personalitet, për më tepër që ka qenë trajneri i portierëve në Qipro dhe Greqi. Ka vendosur ish-lojtarë të ekipit Kombëtar. Për mendimin tim ka bërë zgjedhjen e duhur. Nesër këta mund të përfaqësohen edhe te ekipi Kombëtar A. Gjithsesi, varet nga puna e tyre”.

Po “zvogëlohet” futbolli

Si një ish-trajner kampion i trefishtë: dy herë me Partizanin (1978-1979, 1980-1981) dhe një me  Dinamon (1989-1990), Bejkush Birçe e vendos gjithmonë gishtin mbi plagë. “Është infrastruktura jonë e dobët. Po reduktojmë ekipeve dhe po e ‘zvogëlojmë’ dashur pa dashur futbollin tonë. Në rast se ne nuk do të ndërtojmë infrastrukturën do ta kemi jashtëzakonisht të vështirë. Është shumë e rëndësishme për futbollin e moshave. Ajo është e para në Shqipëri. Është e pamundur që atë ta ndërtojë Federata”.

Mos e shkatërroni Dinamon!
Dinamo është një nga pesë skuadrat që ka drejtuar Birçe në karrierën e tij, madje ka dalë kampion dhe ka fituar dy Kupa të Shqipërisë. Dinamo ndodhet në një krizë të thellë rezultatesh, pasi është në vend të fundit. Birçe: “Është për të ardhur keq, që Dinamoja nuk ka më fushë ku të stërvitet. Te ish-kompleksi i saj stërviten skuadra të tjera. Dinamo po shkatërrohet në të njëjtën mënyrë si Partizani, që e nxorën nga kompleksi i tij pas 65 vjetësh. Ende nuk e di kujt i intereson shkatërrimi i tyre”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›