E Diel, 1 Nëntor 2026

Barcelona, klubi më i dashur në Europë

Barcelona është klubi më i dashur në Europë. Ky është përfundimi i një studimi të paraqitur në Këln nga “Sportmarketingagentur Sport+Markt” dhe të kryer në dhjetor të vitit 2007 në 16 vende europiane. Pas Barçës me 50,34 milionë fansa renditen Real Madrid (45,90) dhe Mançester Junaitid (32,83). Interesant është fakti se ekipet më të mëdha spanjolle dhe angleze kishin më shumë tifozë jashtë se në vendin e tyre. Në tregun aziatik, në Kinë, Japoni, Indonezi, Malajzi, Tajlandë dhe Indi, në përgjigje të pyetjes për klubin e zemrës, Real Madrid doli si më i dashuri: 13.4 milionë tifozë, Mançester Junaitid (10.2) dhe Milan (9.1)

Ibrahimoviç dhe 4 dështimet

Zlatan Ibrahimoviç pak muaj më parë deklaroi se dëshiron të fitojë Topin e Artë. Kualitetin për t’ia arritur e ka nga pikëpamja teknike, por asnjëherë nuk ka qenë deciziv në sfidat më të rëndësishme, si ato të Ligës së Kampioneve. Dhe ajo me Liverpulin është e katërta në të cilën suedezi duhej të jepte diçka më shumë për të shtyrë skuadrën. Në sfida të tilla pritet kualiteti i një lideri, një futbollisti të rëndësishëm, që mund të udhëheqë edhe i vetëm skuadrën drejt suksesit. Kjo është detyra që duhej të realizonte Zlatan në mbrëmjen e Anfildit, pavarësisht justifikimit që ka dalë natyrshëm, që për më shumë se një orë skuadra ka luajtur me një futbollist më pak. Por për Ibran ky është dështimi i katërt. Kur flitet për përballje me kundërshtarë me traditë në kupat europiane, rendimenti i bie ndjeshëm dhe prezenca e tij është e pandjeshme në skuadër. Në vitin 2005 me Juven, ishte pikërisht Liverpuli që frenoi shpërthimin e Ibrës. Në vitin 2006 mendoi një tjetër skuadër angleze, Arsenali. Më pas erdhi Valencia dhe u rikthye makthi Liverpul, që ia largon edhe më shumë objektivin e tij për fitimin e Topit të Artë.

Ronaldon, 25 euro në minutë

Çmenduritë e kontratave të futbollistëve më të mirë të Europës shumë shpejt do të njohin një kufi stratosferik. Kontrata e re që do të firmosë Kristiano Ronaldo me Mançester Junajtid do t’i lejojë luzitanit të fitojë 25 euro në minutë nga klubi i tij, për një total prej 13 milionë eurosh në vit, ose më saktë 4 milionë euro më shumë në vit se kontrata aktuale. Duke bërë një përmbledhje totale të përfitimeve, Kristiano Ronaldo merr vendin e tretë në podium, pas Bekam, me 22.9 milionë euro dhe Ronaldinjos me 21.5.

22 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›