Xhepa: Kreditë në Shqipëri, 3 herë më shtrenjtë se në të gjithë rajonin
Spredi i normave te interesit me të cilat operon sistemi bankar në Shqipëri në raport me këtë spred në vendet e rajonit rezultonte i disfavorshëm, pra rezultonte me një kosto më të lartë. Shkonte nga 3 pikë përqindje edhe më shumë po ta krahasosh me vende që kanë tregje financiare edhe më të zhvilluara, thotë Xhepa. Bankat të rishikojnë drejt zbutjes së normave të interesit për tju dhënë më shumë mundësi dhe frymëmarrje sipërmarrjes private dhe nga ana tjetër për të garantuar edhe kthimin e kredive në sistemin bankar, thotë Xhepa. Po ti referohemi vitit 2004 gjendja e kredisë në ekonomi ishte më pak se sa 10% të prodhimit të brendshëm dhe e vërteta është që në një peridhë gati 5- vjeçare stoku i kredisë në ekonomi ka arritur në 39% të PBB. Mendoj që është rritja më dinamike që është e përjetuar ndonjëherë nga ndonjë ekonomi, thotë Xhepa.
Në Bankën e Shqipërisë këtë sjellje të sistemit aspak të favorshme për klientët e lidhin me mungesën e konkurrencës reale në treg. Ky nivel flet edhe për strukturën e tregut. Në një treg i cili ka një konkurrencë të mirë marxhi i interesave duhet të shkojë drejt ngushtimit. Në të kundërt tenton drejt zgjerimit. Ai përcaktohet nga ata lojtarë të tregut të cilët mund të jenë më të mëdhenj dhe të cilët kanë një peshë më të madhe në treg thotë Klodian Shehu, drejtor i departamentit të stabilitetit financiar në Bankën e Shqipërisë. Si mbikëqyrësit ashtu edhe ekspertët e financave thonë se reagimi i bankave është i pari që mund të ndryshojë situatën. Këtë mund ta bëjnë me transparencën me klientin, negocimin e kredive të këqija, si dhe ulje të normave të interesit për kredinë. Gjëja e parë që duhet të bëjnë është transparenca. Ky është objektivi që ka Banka e Shqipërisë. Janë miratuar një sërë aktesh rregullative të cilat kanë në qendër të tyre detyrimin për bankat që të jenë sa më transparente me klientin thotë Shehu.