E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhepisti, prokuroria dërgon në gjykatë dy policët

Dosja

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për dy punonjësit e policisë Preng Froku dhe Besnik Preni duke dërguar dosjen në gjykatë. Njësia Task-Forcë ka faktuar se në tre raste dy punonjësit e policisë kanë marrë ryshfet nga një kontingjent krimi duke iu premtuar këtyre personave mos arrestimin. Sipas dosjes, Froku dhe Preni kanë marrë në rastin e parë 50 mijë lekë të vjetra nga xhepistët, në rastin e dytë kanë marrë 100 mijë lekë të vjetra dhe në rastin e tretë 300 mijë lekë. Të gjitha rastet janë faktuar nga grupi hetimor duke përdorur metodat speciale të hetimit. Agjentët e policisë kërcënonin kontingjentin e krimit se “Erdhi data, do jepni lekët apo t’ju fusim brenda”. Agjentët e krimeve të Komisariatit Nr.3 të kryeqytetit, tashmë të arrestuar, u kërkonin çdo muaj hajdutëve të xhepave dhe çantave nëpër linjat urbane, nga 100 mijë deri 300 mijë lekë të vjetra. Shuma u merrej 15 hajdutëve të zonës, që njiheshin tashmë nga oficerët e policisë si kontingjent krimi. Frroku dhe Preni, përveç të mirave materiale që përfitonin nga hajdutët, herë pas here grabitësit u kanë dorëzuar në mungesë të parave edhe sende të ndryshme me vlerë, si orë, celularë etj. Sipas Task-Forcës, hetimet ndaj dy punonjësve të policisë kanë filluar që nga dhjetori i 2009 mbi bazën e kallëzimit të një banori të zonës, i cili kishte rënë dy herë pre e vjedhjes nga hajdutët e linjës së urbanit. Ky kallëzues, në vjedhjen e parë ndaj tij u ishte drejtuar agjentëve të zonës, por, këta edhe pse kishin marrë kallëzimin dhe identifikuar autorin çuditërisht nuk kishin bërë asnjë përpjekje për të arrestuar “hajdutin”. Gjatë kësaj kohe, dy agjentët janë mbajtur nën vëzhgim deri ditën e arrestimit më 6 prill 2010 ku janë kapur në flagrancë pas marrjes së 15 mijë lekëve të reja nga dy hajdutë xhepash dhe çantash. Përveç këtij rastit të flagrancës, sipas akuzës, është provuar gjithashtu se agjentët edhe me datën 30 mars kanë përfituar shumën e 15 mijë lekëve të reja nga dy hajdutë të tjerë të zonës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›