E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhevahir Spahiu niset drejt Turqisë për kurim

 

ALMA MILE

Poeti Xhevahir Spahiu niset sot në drekë për kurim në një spital gjerman në Stamboll. Pas një ishemie cerebrale, poeti gjendet i shtruar në spitalin neurologjik të Tiranës, nën kujdesin e veçantë një grupi mjekësh të specializuar. Këta të fundit thonë se gjendja e poetit është e stabilizuar, nuk ka rrezik për jetën, megjithatë me kërkesën e familjes, Spahiu do t’i nënshtrohet konsultave të mjekëve të huaj. Me përgatitjen e procedurave për kurimin jashtë vendit është marrë një grup miqsh të tij të afërt, në veçanti z. Fidel Ylli, i cili e ka ndjekur këtë problem qysh nga fillimi. “Është 100% e sigurt që udhëtimi do të realizohet nesër(sot) në drekë. Sapo e konfirmuam me mjekët në Turqi dhe me familjarët e tij”, - thotë Ylli. Deri dje në drekë, ende nuk ishte përcaktuar saktësisht se kur do të realizohej nisja, madje ekzistonte mundësia që udhëtimi të realizohej qysh dje. Pavarësisht kujdesit të menjëhershëm nga mjekët shqiptarë, për të mundësuar kurimin e poetit jashtë vendit u ngrit një “komision” miqsh, të cilët siguruan edhe mbështetjen financiare. U fol për kurim në Itali, megjithatë nuk erdhi asnjë përgjigje. “ndoshta epikriza ka mbetur në sirtarin e ambasadorit tonë në Itali”, - thotë Ylli, teksa shton se me gjithë interesin nga ana e institucioneve shtetërore, këto të fundit duhet të ishin treguar më aktive. “Xhevahir Spahiu është një poet i mrekullueshëm, është “Nderi i Kombit”, fitues i sa e sa çmimeve dhe meritonte të gjithë vëmendjen e duhur nga ana e shtetit. Këtu bëhet fjalë për të shpëtuar jetën e këtij njeriu”, - shton Ylli, ndërsa shton se ai dhe miqtë e tij, të cilët kanë ndërhyrë privatisht për të garantuar udhëtimin jashtë vendit, nuk kanë bërë asgjë përpara asaj që poeti ka dhënë për shqiptarët. Djali i poetit, Orges Spahiu thotë se institucionet shtetërore janë interesuar për të atin, por u mendua që për të mundësuar daljen jashtë vendit të ndiqeshin rrugë private, për të mundësuar gjithçka më shpejt, duke qenë se procedurat shtetërore zgjasin ca më shumë. Në pamundësi të kurimit në ndonjë spital të specializuar italian, u mundësua kurimi në një klinikë të specializuar në Stamboll. “Dy ditë më parë dërguam epikrizën dhe kemi marrë miratimin nga Stambolli”, - shton Ylli. Siç pranon edhe Orges Spahiu është marrë edhe certifikata mjekësore për lëvizjen e tij. Një nga mjeket, që është kujdesur për shëndetin e Spahiut, dr. Mira Rakacolli, thotë se duke marrë parasysh sëmundjen e pacientit, gjendja e tij është e mirë. “Mund të themi që situata është shumë e stabilizuar. Gjendja është nën kontroll, nuk bëhet fjalë për rrezik për jetën, por duhet thënë që ajo çka ndodhi është e pakthyeshme. Nuk mund të ç’bëhet në asnjë spital tjetër të botës. Ajo çka ne duhet të bëjmë është të parandalojmë përsëritjen e një goditjeje të dytë”, - thotë Rakacolli, duke shtuar se ecuria e pacientit kanë qenë normale, madje e mirë. Sipas saj ka qenë këmbëngulja e familjarëve, por edhe një dëshirë e stafit mjekësor shqiptar, kërkesa për një konsultë me neurologë të huaj. Sa i përket mundësisë së transportimit, ajo thotë se në fluturim nuk ka asnjëherë garanci absolute, për askënd, megjithatë gjendja është nën kontroll. Transporti pritet të kryhet sot në mesditë me një avion çarter, me të gjitha pajisjet e nevojshme mjekësore për të realizuar udhëtimin pa pasoja të Xhevahir Spahiut. Gjatë ditëve të qëndrimit të tij në spitalin e Tiranës, poeti ka qenë vazhdimisht në shoqërinë e miqve dhe kolegëve të tij. Nuk munguan ta vizitonin edhe figura politike, mes të cilëve edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, i cili i uroi poetit shërim të shpejtë.

Presidenti Topi, viziton poetin në spital

Presidenti i Republikës, Bamir Topi vizitoi dje pasdite në Pavijonin e Neurologjisë, poetin Xhevahir Spahiu, i shtruar prej disa ditësh në gjendje të kritike shëndetësore, si pasojë e goditjes nga një ishemi celebrale. Burime zyrtare të Presidencës bënë të ditur se Kreu i shtetit shqiptar u interesua hollësisht për gjendjen dhe shëndetin e poetit, anëtari i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, Xhevahir Spahiu. Pasi u në dijeni nga Dr. Mentor Petrela se gjendja e poetit Spahiu po shkon drejt stabilizimit, Presidenti Topi shprehu urimet më të përzemërta për shërim sa më shpejtë dhe i siguroi familjarët e poetit për mbështetjen e pakursyer humane dhe institucionale si President i Republikës. Sot, poeti Xhevahir Spahiu do të niset për një kurim të specializuar në Turqi.

13 dite
numëron poeti i shtrirë në shtratin e spitalit numër 5 në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në repartin e neurologjisë.

Sëmundja
Ekipi i mjekëve i përbërë nga Mentor Petrela, Mira Rakacolli dhe Jera Kruja thonë se diagnoza e sëmundjes që goditi Xhevahir Spahiun është ishemi cerebrale. Dr. Rakacolli sqaron se shkak i kësaj ishemie është bërë ngushtimi i enëve të gjakut. Sipas saj nuk bëhet fjalë për një sëmundje të rrallë, madje prej saj vuajnë shumë pacientë. Sipas familjarëve, pavarësisht se nuk është dëmtuar lëvizja e gjymtyrëve, poeti nuk mund të flasë. Mjekët thonë se mund të ketë përmirësime, por dëmi është i pakthyeshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›