Drita Çomo, kënga e fundit e mjellmës
Një violinë e trishtuar e shoqëroi jetën e saj qysh se lindi, deri në vetminë dhe terrin e përjetshëm. E gjithë qenia e saj ishte një simfoni mirësie dhe dhimbjeje, që ngrihet nga fundi errësirës, për të na treguar për një kohë që nuk duhet të kthehet më. “Dritë në humnerë” titullohet dokumentari, i shfaqur mbrëmë në Kinema “Millenium”, kushtuar Drita Çomos, vajzës së Liri Belishovës e Maqo Çomos, të dënuar nga regjimi komunist si “armiq të popullit”. Salla e kinemasë nuk mund të nxinte numrin e madh të shikuesve që kishin ardhur, jo thjesht për të parë, por më së shumti për të respektuar atë vajzë të re, të këputur nga jeta vetëm 23 vjeç. Atë vajzë që vdiq e vetme në një dhomë spitali, pa pasur pranë, të paktën nënën. Me regji të Namik Ajazit dhe skenar të Petrit Rukës, dokumentari na kthen pas në atë muaj të ftohtë dimri, kur Drita shkroi faqen e fundit të ditarit, për të treguar më pas 23 vitet e jetës së saj. Përmes pamjeve arkivore të të gjitha vendeve ku u end jetime me prindër të gjallë, si në Lezhë, Elbasan, Cërrik e Tiranë dhe fotografive, që e ëma i ruan me fanatizëm, u ndërtua jeta e Dritës. Rrëfimi kronologjik i jetës, lexuar nga Alfred Trebicka, gërshetohej nga fletët e ditarit të saj, lexuar nga Manjola Lloja, e cila u vesh në petkat e vajzës. Por flasin edhe ata që e njohin. E para është e ëma, Liria, e cila me buzë të dridhur tregon për fëmijërinë e Dritës, natyrën e saj të brishtë e të heshtur, rininë e saj, jetën e cunguar në përgjim dhe fundin e pakthim, në të cilin ajo nuk mundi t’i gjendej pranë, sepse nuk lejohej nga diktatura e proletariatit. Ajo është e mbajtur, kurajoze, me një kujtesë të shkëlqyer kujton kalvarin që ajo dhe familja e saj jetoi, por, ajo “nënëzeza”, e ka të pamundur të mos përlotet kur i kujtohet hera e fundit kur e pa të bijën. Gjithashtu tregojnë dy dajat e saj dhe i vëllai Petriti, bashkëvuajtës në atë rrugëtim të shkurtër. Por janë edhe shoqet e shkollës e infermieret e spitalit ato që tregojnë për botën e saj të bukur, për drojën që kishte t’u fliste njerëzve, sepse nuk donte që t’u shkaktonte probleme. Jeta e Drita Çomos e përmbledhur në 40 minuta u përcoll me përlotje nga shikuesit, më së shumti në mbylljen e saj nën refrenin e këngës “Eja në prehër të të marr”, kënduar nga Erion Korini dhe përpunuar nga Adi Hila, i cili kishte realizuar gjithë kolonën zanore të dokumentarit. A.M
Dashuria për “G”
Në ditën e fundit të jetës ajo foli me “G”. I foli atij vetëm për sëmundjen e saj, pa mundur t’i thoshte asnjë gjë tjetër. Kujtimi për “G”, dashurinë e saj të parealizuar, ishte mesazhi i fundit nga Drita Çomo. Njerëzit që i qëndruan pranë ditëve të fundit, i vëllai dhe infermieret e Onkologjikut, tregojnë për dashurinë e saj për një djalë, gjithashtu me biografi “të keqe”, i cili i kërkoi të martoheshin. Por ajo, duke e ditur se do të vdiste nuk pranoi dhe dashuria për “G” mbeti vetëm në ditar dhe vargje poezish.
Rajmonda Bulku
Kujtimi i fundit që Rajmonda Bulku ka nga ish-shoqja e saj e shkollës, është pamja e saj, e mbështetur pas belit me të cilën po punonte lulishten përpara pallatit. “Drita ishte një vajzë ë shkëlqyer. Ishte e pamundur të mos i afroheshe asaj, të mos e doje. Ajo kishte një natyrë ndjellëse”, - tregon Bulku, një nga shoqet e gjimnazit, në Cërrik. Bulku tregon se të vetmet momente të lumtura, kur vështrimet përreth nuk e gjykonin ishin në aksion dhe në zbor. Në jetën e përditshme, ajo nguronte t’u fliste njerëzve, sepse nuk donte t’u krijonte atyre probleme.