Stamboll, 3 shqiptarët u kapën me 200 kg heroinë
Nënkomisar Altin Murra dhe dy shqiptarët e tjerë u kapën me 200 kg heroinë, e cila është sekuestruar në maunen me targa të Tiranës, në të cilën udhëtonte oficeri i Komisariatit të Policisë së Rinasit, së bashku me biznesmenin Nalton Jacaj dhe shoferin e maunes, Burhan Marceku. Lajmi është konfirmuar nga policitë e dy shteteve. Sipas këtyre burimeve, Murra ka qenë në vendin e pasagjerit në maune, së bashku me biznesmen Jacajn që importonte konfeksione nga Turqia, ndërsa Marceku ishte në timon. Policia turke deklaroi se kishte 6 muaj që hetonte rrjetin e trafikantëve shqiptarë. Operacioni i policisë turke ka nisur mbrëmjen e së dielës, ndërsa arrestimet janë ekzekutuar në orët e para të dy ditëve më parë. Oficeri i graduar prej më shumë se një viti nënkomisar në Komisariatin e Policisë së Rinasit, dyshohet të jetë ndërlidhësi dhe kopertura e automjetit që maskonte drogën mes konfeksioneve të importuara nga Turqia. Sipas burimeve, oficeri Murra kishte kryer studimet prej 5 vjetësh në Akademinë e Policisë Turke. Murra kishte marrë leje në polici në datën 3 qershor, për t’u larguar në Turqi për një vizitë mjekësore.