“Xhevairi” Sukaj bashkon Vllazninë me TiranënPër Sukaj ky ishte goli i shtatë sezonal në 7 ndeshje të aktivizuara. Ja vlen të përmendim një statistikë të bukur: Sukaj ka shënuar tre gola kundër Besës, dy gola kundër Lushnjës dhe tani një dopjet

Xhevair Sukaj me dy golat e tij hapi dhe mbylli fitoren 3-1 të Vllaznisë me Flamurtarin, por goli i barazimit të përkohëshëm të shënuar nga Devis Mema për vlonjatët, vetëm shtatë minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt, mund të shkatërronte festën e 90-vjetorit të klubit më të vjetër në Shqipëri.
Sulmuesi i talentuar i Kombëtares shqiptare (i thirrur nga Han për ndeshjet kundër Hungarisë e Danimarkës) shkëlqeu në fitoren e çmuar të Vllaznisë, teksa “kryetifozi” në “Loro Boriçi” ishte pikërisht ndihmësi i trajnerit të Kombëtares, Vim Surbir.
21-vjeçari Sukaj, i huazuar te Vllanzia nga skuadra turke Hacetepe, shënoi golin e parë të shkodranëve në minutën e 13-të, duke e çuar formacionin e Dervish Haxhiosmanoviçit drejt një fitoreje të qetë.
Por, në minutën e 83-të, sulmuesi korçar i Flamurtarit, Devis Mema, duke shfrytëzuar një mosmarrëveshje të mbrojtes shkodrane me portierin Grima, barazoi shifrat, duke vendosur heshtjen në mitikun “Loro Boriçi”.
Dy minuta më pas, gjyqtari Enea Jorgji akordoi një penallti për shkak të prekjes së topit me dorë të një futbollisti të Flamurtarit (11-metërshi u kontestua fort nga fort nga stafi vlonjate), dhe veterani Suad Lici fiksoi shifrat 2-1. Ky ishte goli i dytë me penallti i 34-vjeçarit Lici (mbush 35, më 24 mars) pas atij në fitoren 4-1 kundër Lushnjës (java e 10-të).
Të çliruar nga goli i avantazhit, Vllaznia gjeti kohë të shënonte edhe golin e tretë me anë të Xhevair Sukajt në minutën e 89-të. Për Sukaj ky ishte goli i shtatë sezonal në 7 ndeshje të aktivizuara. Ja vlen të përmendim një statistikë të bukur: Sukaj ka shënuar tre gola kundër Besës, dy gola kundër Lushnjës dhe tani një dopjetë kundër Flamurtarit.
Për Vllazninë kjo ishte fitorja e 65-të historike në 137 përballje me Flamurtarin (41 fitore, 31 barazime).
Vllaznia ruajti hapin si bashkëkryesues me Tiranën, që nga ana e saj fitoi 2-0 me Apoloninë. Të dy ekipet bashkëkryesojnë tashmë në kuotën e 48 pikëve, kur kanë mbetur edhe tetë javë nga përfundimi i Kampionatit të 70-të Kombëtar të futbollit, ku Vllaznia synon titullin e 10-të kampion.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 25
21.03.2009, ora 15:30
Tirana-Apolonia 2-0
Vllaznia-Flamurtari 3-1
Dinamo-Elbasani 2-0
Shkumbini-Partizani 0-1
Besa-Teuta 2-0
Lushnja-Bylis 1-0
E Shtune, 21 Mars 2009