Xhevdet Llumnica, i pandalshëm edhe kundër Djurgardenit

Nga Ejup LLUMNICA
Prishtinasi Xhevdet Llumnica, ka vazhduar të shkëlqej në fanellën e skuadrës së tij të re Assyriska, vetëm para një jave kur ishte kreator i fitores ndaj skuadrës Eskilstune, Llumnica, ka pasur paraqitje shumë të mirë në takimin mjaftë të vështirë që kishin kundër skuadrës së madhe suedeze Djurgarden, e cila përvec që bën gara në elitën e futbollit, gjithmonë është pretendent për titull të kampionit. Skuadra e Llumnicës, ka arritur të shënoj fitore me rezultat bindës 3:0, duke dëshmuar kështu seriozitetin e tyre për rikthim sa më të shpejtë në ligën Allsvenska.
"Ka qenë një ndeshje shumë e bukur. Nuk kam besuar se do të paraqitemi kaq të mirë, kundër një skuadre shumë të madhe sic është Djurgarden. Megjithatë, puna dhe serioziteti që kemi për t'u rikthyer në elitën e futbollit suedez, na ka motivuar shumë", ka thënë Llumnica në një bisedë nga Suedia. Në skuadrën ish-kampione të Suedisë, Djurgarden, është paraqitur edhe futbollisti Matias Jonson, i cili ishte njëri ndër lojtarët kyc të përfaqësueses së Suedisë në Kupën Botërore, "Gjermania 2006".
Sulmuesi kosovar është vlerësuar si lojtari i ndeshjes, pasi që përvec golit të shënuar dhe një asistimi për gol, loja e tij ishte shumë e mirë. "Jam i kënaqur me paraqitjen time. Goli i arritur ka ardhur pas një sulmi shumë mirë të organizuar dhe më vjen mirë që unë isha ai që finalizova. Gjatë gjithë lojës kam qenë shumë i angazhuar, ku përvec golit të shënuar dhe asistimit në golin e parë, kam ndihmuar shumë edhe ne organizimin e sulmeve", ka përfunduar Llumnica, i cili njoftoi se të mërkurën kanë edhe një sfidë të madhe, kundër kampionit të Suedisë, AIK Stockholm.