Xhihani: Pas Zaporozhias, radhën e ka Dinamo Kiev
Zoria Lugansk ka probleme financiare, madje duke rrezikuar edhe të braktisë Vyscha Ligan (Premierligën ukrainase), por për të sjellë optimizmin në ambientet e klubit ka menduar Parid Xhihani. Me dy golat e shënuar në fitoren 3:1 përballë Metalurg Zaporozhias (minutat 6 dhe 18), sulmuesi kavajas i ka dhuruar fitoren e dytë në kampionat skuadrës së tij, duke e larguar nga "zona e ftohtë" e klasifikimit. Duke folur për faqen zyrtare të klubit, Xhihani deklaroi: "Jam i kënaqur që arritëm të fitonim tri pikët. Metalurgu ka një skuadër të mirë, por ne e menaxhuam mirë avantazhin dhe më pas superioritetin numerik. Natyrisht që jam i lumtur për dy golat e mi dhe që ndihmova ekipin të fitonte". Më tej, ish-lojtari i U-21 foli për sfidën me Dinamon e Kievit: "Nuk është nevoja të thuash se Dinamo është një skuadër e madhe. Pavarësisht emrit të kundërshtarëve, ne kemi objektivat tanë dhe do të luftojmë të marrim pikë. Në futboll mund të ndodhë gjithçka". Ndërkohë, dje në Ukrainë u zhvillua edhe "derbi shqiptar" ndërmjet Vorsklas dhe Krivbasit, i cili u mbyll në barazim 0:0. Për vendasit, Dallku dhe Curri luajtën gjatë gjithë lojës, ndërsa Januzi u aktivizua si zëvendësues në të 75-n. Në anën tjetër, Hidi dhe Bulku ishin titullar, Bylykbashi vazhdon të mungojë për shkak dëmtimi, ndërsa Agolli luajti në 14 minutat e fundit të sfidës.