E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet Qafën e Llogorasë, 2 vdesin, 4 plagosen



Aksident i rëndë rrugor gjatë orëve të natës të së premtes ka ndodhur në aksin Himarë- Vlorë në Qafën e Llogorasë, 40 km në jug të Vlorës. Një vinç tip Ifa me targa FR 3157 B ka dalë nga rruga dhe është përmbysur. Për pasojë kanë gjetur vdekjen 2 persona, ndërsa 4 të tjerë janë plagosur. Policia lokale tha se aksidenti ndodhi rreth orës 22:30 dhe dy nga të plagosurit ndodhen në gjendje të rëndë në spitalin e Vlorës. Pas veprimeve paraprake hetimore dje në mëngjes policia bëri të ditur emrat e viktimave të aksidentit. Viktimat janë Kastriot Hoxha e Asqeri Avinjaku, ndërsa të plagosur janë Mevlan dhe Artur Avinjaku, si dhe Mitrec Dhimo e Vasillaq Maili. Sipas burimeve nga policia, mjeti kamion tip vinç po kthehej nga Himara dhe të 6 personat që ndodheshin në të punonin në atë zonë. Forcat e policisë dhe të ndihmës së shpejt që kanë mbërritur në vendngjarje kanë dëshmuar se ka qenë mjaft e vështirë zhvendosja e të plagosurve, si dhe trupave të viktimave, pasi vinçi i kishte zënë poshtë. Hetimet e para bëjnë të ditur se shkak i aksidentit mund të ketë qenë ndonjë defekt në frenat e mjetit, ose lagështia e rrugës. Dëshmitarë nga vendngjarja kanë treguar se kishin parë vinçin që ecte me shpejtësi dhe më pas kishte dalë nga rruga duke u përmbysur dhe zënë poshtë vetes të aksidentuarit.

Tiranë

Vjedhin naftë në Malin me Gropa, ndalohen nga policia

Një 44-vjeçar dhe dy të rinj dyshohen se vidhnin naftën e antenave te Mali me Gropa. Në përpjekje për të shpënë naftën në Tiranë, ata janë kapur me presh në duar. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 Tiranë, thanë dje se realizuan arrestimin në flagrancë të tre personave, të dyshuar për konsumim të veprës penale të vjedhjes. Ata janë Mariglen Sinani, 26 vjeç, Elton Pepa, 24 vjeç dhe Mark Gjon Tanushi, 44 vjeç, i dënuar më parë për rrahje. “Arrestimi i tyre u krye sepse dje dyshohet se në Malin me Gropa, kanë tentuar të vjedhin lëndë djegëse e llojit naftë”, - sqaroi zyrtarisht policia.

Tiranë

Arrestohet adoleshenti, grabiti një qytetar

Një adoleshent ka arritur t’i vjedhë një shumë të konsiderueshme parash me dhunë një qytetari në një nga rrugët e kryeqytetit mesditën e djeshme. Adoleshenti me iniciale M. M., 16-vjeç ka kryer këtë akt duke përvetësuar në mënyrë të dhunshme shumën e parave prej 163 euro dhe 15 000 lekësh në rrugën “Sali Nivica”. Burime nga policia pohojnë se menjëherë pas denoncimit të bërë mbi ngjarjen e ndodhur është mundësuar ndalimi në iniciativë i adoleshentit. Gjithashtu janë kryer veprimet procedurale dhe materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor për veprën penale të vjedhjes me dhunë.

Tiranë

Plagos bashkëfshatarin, arrestohet nga policia

Policia e Tiranës ka bërë të mundur ndalimin e Kristo Ballës, 48 vjeç pasi dyshohet si autor i plagosjes së Mariglen Plakut, 30 vjeç. Arrestimi u bë i mundur mbrëmjen e djeshme nga specialistët e seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit. Kristo Balla është i dyshuar si autor i një plagosje të rëndë të ndodhur në Farkë të Vogël më datën 11 shtator. Sipas burimeve policore mësohet se pas një sherri banal Kristo Balla ka plagosur Mariglen Plakun i cili është dërguar në gjendje kritike për jetën në spitalin e Tiranës. Grupi hetimor po kryen veprimet procedurale dhe materialet do ti kalojnë Prokurorisë.

Shkodër

Lufton me vdekjen 16-vjeçari, u përplas me motor në rrugë

Një i mitur po lufton me vdekjen në spital pasi u përfshi në një aksident të rëndë ndërsa udhëtonte me një motor në rrugën Shkodër-Velipojë. Ngjarja ka ndodhur mesditën e së premtes në orën 14:00, në vendin e quajtur “kryqëzimi i fshatit Malihebaj të komunës Bërdicë. Policia pasi kreu hetimet në vendngjarje, tha se 50-vjeçari Sh. Shegaj, duke qenë në drejtim të mjetit tip “Benz” kamion me ngjyrë blu dhe me targë Sh 5518 E, është përplasur me një motor pa targa e drejtuar nga 16-vjeçari E. Nuri. Si rezultat i kësaj përplasjeje, është plagosur rëndë drejtuesi i motoçikletës, E. Nuri.

21 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›