Tenderi çon në pranga tre inxhinierët e OSSH-së, hetohet ish-drejtoresha
FIER - Tre inxhinierë elektrikë të OSSH-së në Fier janë vënë në pranga të policisë pasi në bashkëpunim me njëri – tjetrin, dyshohet të kenë vjedhur një shumë prej 400 mijë lekësh gjatë realizimit të një tenderi. Burime zyrtare nga Policia e Fierit thanë se nën hetim është vënë dhe ish-drejtoresha e Divizionit të Shpërndarjes në Fier, e cila tashmë punon në Drejtorinë qendrore të OSSH-së në Tiranë. Me urdhër të Gjykatës së Fierit, drejtoresha Adelina Shati ndalohet që të dalë jashtë territorit të vendit, pasi duhet të jetë në dispozicion të organit të akuzës. Burimet zyrtare të policisë lokale thanë se pas disa kohë hetimesh, mbrëmjen e së premtes janë vënë në pranga Gertan Bilero, 33 vjeç, Roland Saliu, 35 vjeç, si dhe Pajtim Halili, 56 vjeç, që të tre me detyrë inxhinierë elektrikë. Të tre këta persona, punonjës të OSSH-së së Fierit, në Divizionin e Shpërndarjes, kanë kryer vjedhje në bashkëpunim. Policia tha se edhe Adelina Shati, ish-drejtoreshë e Elektrikut në Fier, e ka të ndaluar të dalë jashtë vendit për shkak se ndodhet në hetim. Arrestimi i tre inxhinierëve të OSSH-së dhe vënia në hetim e Shatit, është bërë pasi ata janë vënë akuzën e “vjedhjes në bashkëpunim përmes shpërdorimit të detyrës”. Gjithçka ka nisur nga një tender i zhvilluar në këtë ndërmarrje. Personat e ndaluar dyshohet se kanë kryer abuzime gjatë realizimit të procesit të tenderit. Hetimet vazhdojnë dhe për 4 punonjës të tjerë, që dyshohet se janë bashkëpunëtor të tyre.
Atentat për hakmarrje në mes të qytetit, shpëton për fat shkodrani
SHKODËR – Një atentat i organizuar për motive hakmarrjeje në qytetin e Shkodrës ka shpëtuar pa viktima. Policia ka arritur të arrestojë autorin. Burimet zyrtare të policisë vendore bëjnë të ditur se në shënjestër të atentatit ka qenë i riu Bledar Dhampiri, i cili bashkë me vëllanë dyshohet të jenë autorë të një vrasje të ndodhur rreth dy muaj më parë në qytetin verior, ku mbeti i vrarë shtetasi Hysni Shpuza. Sipas zëdhënëses së Policisë së Qarkut, Fatbardha Çelepia, dje në mesditë është ndaluar Izmir Shpuza nga fshati Shtoj, pasi ka qëlluar me armë zjarri mbi Bledar Dhampirin, i cili ka mundur të ngrihet nga tryeza ku ndodhej, në trotuarin para lokalit dhe ka vrapuar në drejtim të qendrës së qytetit. Izmir Shpuza e ka ndjekur me vrap dhe e ka qëlluar dhe një herë rreth 50 m më tej, ndërsa Dhampiri është zhdukur pa marrë asnjë plumb në trup. Forcat e rendit kanë qenë fare pranë vendit të ngjarjes duke ndërhyrë menjëherë dhe kanë neutralizuar veprimet e autorit, i cili është arrestuar në kushtet e flagrancës së bashku me armën e krimit. Më pas Dhampiri është kthyer tek vendi ku u qëllua herën e parë dhe së bashku me dy të afërmit e tjerë të tij është shoqëruar në polici për të dhënë shpjegime. Sipas policisë, autori i ngjarjes, Izmir Shpuza, është nipi i viktimës Hysni Shpuza, i vrarë në 6 shtator të këtij viti te tregu i shitjes me shumicë të fruta-perimeve, vrasje për të cilën akuzohen dy nga vëllezërit e Bledar Dhampirit, Besmir Dhampiri, i shpallur në kërkim dhe Ermal Dhampiri, i cili ndodhet i arrestuar. Dy ditë më parë, Ermal Dhampiri ka pasur seancë gjyqësore në Gjykatën e Apelit në Shkodër për zëvendësim mase sigurie. Gjykata ka vendosur që ai të vazhdojë të qëndrojë në burg dhe kjo ka ngjallur reagim të familjarëve të tij. Bledari, të cilin tentuan ta vrisnin dje, ka akuzuar policinë dhe prokurorinë për arrestimin e Ermal Dhampirit, duke pretenduar se ai nuk kishte marrë pjesë në vrasjen e Hysni Shpuzës. Historia e hasmërisë mes dy fiseve Dhampiri e Shpuza, që banojnë në fshatin Shtoj të Shkodrës, ka nisur rreth 3 vjet më parë dhe lidhet me refuzimin që i bënte familja Shpuza kërkesës së familjes Dhampiri për t’u fejuar me vajzën e Hysni Shpuzës.
2 Nentor 2008