E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhimi Karter kërkon të vendosë lidhjet me Shqipërinë

Autori i Lajmit: Androkli DraloUashington, 18 qershor 1977 – Në konferencën e tij të fundit për shtyp, presidenti i Shteteve të Bashkuar të Amerikës, Xhimi Karter, zbuloi për herë të parë një objektiv me të vërtetë të çuditshëm të politikës së jashtme amerikane, por ai e kumtoi aq shpejt sa nuk tërhoqi vëmendjen e audiencës. Nëse ajo rezulton e suksesshme, kjo politikë do të thotë një shmangie radikale dhe të mirëpritur nga një praktikë diplomatike, që për shumicën e viteve të këtij shekulli i ka lidhur shpesh Shtetet e Bashkuara të Amerikës me qeveritë e tjera më shumë për të marrë miratimin moral sesa marrja në konsideratë nëse këto qeveri sundonin me meritë në shtetet e tyre. Virtualisht, asnjë nga fuqitë e tjera kryesore në botë, përfshirë dhe miqtë dhe aleatët tanë, e konsiderojnë njohjen zyrtare të tyre si të barasvlershme me miratimin, kështu që nuk është problem për to të normalizojnë menjëherë marrëdhëniet me çfarëdo qeverie të re që vjen në fuqi. Njohja konsiderohet si një hap pragmatist, i cili jo domosdoshmërisht nënkupton diçka përtej saj. Nga vërejtjet e presidentit demokrat Karter gjatë konferencës mund vetëm të dilet në përfundimin se ai gjithashtu kërkon të lëvizë drejt këtij qëllimi. “Unë do të doja, - tha ai, - që kur unë të dal nga zyra të kishim një situatë ku të gjitha vendet e botës të kishin marrëdhënie me ne”. Edhe pse kjo mund të jetë një arritje unike, kjo është, pa dyshim, një ëndërr romantike, sepse ajo varet nga fuqia e presidentit për ta bërë atë nëse ekziston vullneti nga ana e tij. Njohja, ndryshe nga marrëveshjet, nuk varet nga vetoja e kongresit. Karteri thotë se ai nuk dëshiron të jetë në një pozicion ku, “pasi një vend nuk është miqësor me ne dhe pasi ato janë krejtësisht nën ndikimin e Bashkimit Sovjetik, këto shtete të jenë përgjithnjë në atë status... Unë do të bëj çështë e mundur që të vendos marrëdhënie normale dhe miqësore me këto vende”, - shtoi presidenti amerikan. Presidenti mendon se është “një shpresë normale dhe me vend për vendin tonë” që të kërkojë “miqësinë e vendeve që në të shkuarën nuk kanë qenë të afërta me ne”. Ndërsa ai përmend që pengesat në disa raste “janë shumë të ashpra, si në rastin e Kubës dhe ndoshta Vietnamit. Por unë mendoj se kjo është ajo çka duhet të bëjë në këto momente qeveria jonë”. Sigurisht që pikëpamjet e presidentit do të mirëpriten kudo në botë, veçanërisht nga aleatët në mëdyshje, të cilët prej dekadash nuk kanë qenë të sigurt asnjëherë se çfarë duhet të presin nga Shtetet e Bashkuara kur ngrihen pikëpyetjet e reja të njohjeve. Politika amerikane ka qenë jashtëzakonisht kontradiktore, me njohjet, të cilat ndonjëherë diktoheshin nga parimet morale të vetëkënaqësisë dhe herë të tjera nga interesat e patrazuara të politikës kombëtare. Për momentin, Shtetet e Bashkuara nuk kanë marrëdhënie diplomatike me 14 shtete: Shqipërinë, Angolën, Kamboxhian, Republikën Popullore të Kinës, Ishujt Komore, Kongon, Kubën, Guinean Ekuatoriale, Irakun, Korenë e Veriut, Mongolinë, Rodezinë, Vietnamin dhe Jemenin Jugor. Situata është shumë e ndërlikuar. Qeveria jonë refuzon të njohë Kubën, kryesisht prej pakënaqësisë se ajo ka mijëra njerëz në Angola. Pavarësisht kësaj, ne njohim Bashkimin Sovjetik, edhe pse ai ka rreth një milion trupa ushtarake që mbajnë kokulur shumë vende në Evropën Lindore dhe Qendrore. Dhe vetë SHBA-ja ka 40 mijë trupa në Korenë e Jugut. Kina Komuniste është vendi më i madh në botë. Ajo është një fuqi bërthamore në zhvillim që e bën të duket e vogël lëvizjen e nacionalistëve kinezë në Tajvan. Megjithatë, ndryshe nga shumica e aleatëve tanë, ne nuk e kemi zhvendosur ende ambasadën nga Taipei në Pekin. Sikur njohja të mos vihej në baraspeshë me miratimin, ne, pa dyshim që do të kishim ndryshuar në këtë kohë gjithashtu. Eliminimi i standardeve shpesh hipokrite morale dhe ideologjike do të lehtësonte gjithashtu normalizimin e marrëdhënieve bilaterale me Vietnamin, Mongolinë, Angolën dhe vendet e tjera, ku njohja e qeverive të këtyre vendeve do tu shërbente interesave afatgjate të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Do të ishte shumë mësimdhënëse po të reflektoje se cila do të ishte situata jonë, nëse SHBA-ja do të njihej vetëm nga vendet që ne kemi njohur. Me siguri që do të kishte shumë herë më pak ambasadorë amerikanë jashtë vendit. Nëse Karteri rishikon qëndrimin tonë diplomatik, ai do të ketë mbështetjen entuziaste të Senatit, i cili më 28 maj 1969, votoi 77 me 3 kundër doktrinës së njohjes. E prezantuar nga senatori kalifornian, Alan Krenston, ajo rezolutë, e cila mbetet ende “përshtypja e senatit”, i qëndron idesë se njohjet diplomatike “nuk lënë të kuptohet domosdoshmërish se Shtetet e Bashkuara e miratojnë formën, ideologjinë apo politikën e asaj qeverie të jashtme të cilën e kanë njohur”. Ajo është parë si një përkrahje e rikthimit të politikës amerikane të diplomacisë që mbizotëronte në shekullin XIX. Ndryshimi i parë i dukshëm në atë politikë ndodhi në vitin 1890, kur Shtetet e Bashkuara, duke ushtruar “diplomacinë e dollarit”, kërkuan si çmim për njohjen, që qeveritë e reja të mos ndërhynin në investimet e huaja të kompanive amerikane. Më vonë, në administratën e presidentit Udrou Uillson, siç e ka vërejtur dhe Krenstoni, koncepti i “ligjshmërisë demokratike” u përshfi në doktrinën e njohjes, duke shtuar kështu një “stimulim të drejtësisë morale që na ka përndjekur që prej atëherë”.

Shqipëria

Kina është ende aleati kryesor politik i Tiranës dhe një burim ndihme ekonomike, por Hoxha ka dështuar të ndjekë drejtimin pragmatist të Pekinit në përmirësimin e kontakteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që do të shërbente si një kundërpeshë më e mirë kundër Moskës. Në vitet 1972 dhe 1973, Shqipëria nisi marrëdhëniet e saj diplomatike me shumë shtete të Botës së Tretë, përfshirë dhe Amerikën Latine, por atje ka pasur shumë pak kontakte diplomatike të reja kohët e fundit. Vizita e Presidentit amerikan, Ford, në Kinë, është pritur me kundërshtime të forta në Shqipëri, në vendin ku vetëm vizitorët e ardhur me kredenciale të pastra revolucionare janë të mirëpritur. Vizitori i fundit i një rangu të lartë në Tiranë ishte Princi Norodom Shihanuk. Lidhje miqësore janë mbajtur dhe me Korenë e Veriut dhe Vietnamin e Veriut. Vitet e fundit kanë sjellë një ngrohje të vogël të marrëdhënieve shtet me shtet me vendet fqinje, përfshirë këtu dhe Jugosllavinë. Por trendi duket i pashpresë përballë fushatës së fundit ideologjike të gjeneral Hoxhës dhe revizionizmi jugosllav është duke u denoncuar edhe një herë tjetër në Tiranë. Shqipëria i ka thënë gjithashtu jo një ftese të Athinës për tiu bashkangjitur vendeve të Ballkanit në një konferencë të nivelit të mesëm lidhur me bashkëpunimin ekonomik. Ndërkohë, politika kryesore është e njëjta me atë që Hoxha ka bërë në vitin 1960, që pastërtia ideologjike merr përparësi mbi argumentet ekonomike. Për të marrë mesazhin e tij në Shqipëri dhe në botë, Hoxha, i cili e ka sunduar Shqipërinë që kur partizanët komunistë përzunë nazistët nga vendi i vogël ballkanik në Luftën e Dytë Botërore, sapo ka botuar një libër të detajuar të ndarjes së tij me udhëheqjen sovjetike.
Ky lajm është publikuar: 15/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›