Urdhri i Mediut për municionet
URDHRI
TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme, ka arritur të zbardhë dhe të administrojë në fashikullin hetimor urdhrin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, që i "detyroi" Forcat e Armatosura të furnizojnë Gërdecin me municione për demontim.
Sipas urdhrit 1208 të datës 19 korrik 2007, ish-ministri i Mbrojtjes urdhëroi Komandantin e Forcës së Bashkuar në Durrës të marrë masat për t'i dorëzuar municione ndërmarrjes MEICO në lloje dhe sasi të ndryshme.
Fishekë 7.62 x 54 mm model 53; fishekë 12.7 x 108 mm; fishekë 14.5 x 114 mm me gëzhoja tunxhi për të gjitha llojet e armëve, për të gjitha sasitë që dispononi mbi kompletimin organik. Gjithashtu, në këtë urdhër ish-ministri Mediu saktëson se dorëzimin duhet të bëhet në Qendrën e demilitarizimit në Gërdec të Vorës.
"Komandanti i Repartit Ushtarak nr.4001 në Tiranë, të marrë masa për sigurimin e mjeteve të transportit nga grup-depot e Komandës së Forcës së Bashkuar për në Gërdec, sipas grafikut të hartuar nga dy Komandantët përkatës si dhe sigurimin gjatë transportit me polic ushtarak.
Ngarkohet për zbatimin e këtij urdhri Komandanti i Repartit Ushtarak nr.1001 në Durrës, Komandanti i Repartit Ushtarak nr.4001 në Tiranë dhe Drejtori i Ndërmarrjes MEICO"-thuhet në urdhrin e firmosur nga i pandehuri Mediu, duke hyrë në fuqi menjëherë dhe me efektin e tij deri më 30 dhjetor 2007.