E Enjte, 5 Nëntor 2026

Xhixho e LSI: Vendimi i Kushtetueses dëshmoi se Presidenti ka zbatuar Kushtetutën!

Erisa Xhixho, deputete e LSI në parlamentin shqiptar, ka mbrojtur vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila hodhi poshtë vendimin e parlamentit të dominuar nga socialistët se presidenti Ilir Meta ka shkelur kushtetutën. “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin e Presidentit dëshmoi se Presidenti ka zbatuar vetëm Kushtetutën në ushtrimin e funksionit të tij në mbrojte të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut” shkruan zonja Xhixho në rrjetet sociale.

“Si i vetmi institucion i pakapur nga kjo mazhorancë, kreu i shtetit i gjendur pa Gjykatë Kushtetuese dhe me një Parlament monist i shërbeu vendit në mbrojtje të Kushtetutës” është shprehur deputetja e LSI.

Sipas saj “Procesi i shkarkimit nga kjo mazhorancë tregoi qartë për gjithë opinionin publik se ishte thjesht një proces politik, hakmarrës kundër parimeve të demokracisë dhe shtetit të së drejtë”. 

Zonja Xhixho është një nga katër deputetet e LSI në parlament. Kjo parti u krijua vite më parë nga zoti Meta. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 LSI fitoi 19 deputetë, por katër vite më vonë arriti të siguronte vetëm 4 vende në parlament. Pritet që pas përfundimit të mandatit presidencial në 24 korrik të këtij viti zoti Meta të rikthehet tek partia që themeloi, e cila për momentin drejtohet nga bashkëshortja e tij. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›