PD: PS, punësime dhe shpërndarje pagesash për tërmetin!

Partia Demokratike e opozitës akuzon kryeministrin e maxhorancës Edi Rama se po përdor fondet e rindërtimit dhe punësimet në administratë për të blerë votat e zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit.
Këshilltari ligjor i Grupit Parlamentar të PD, Marash Logu, tha të enjten se në zgjedhjet e pjesshme Rama ka vënë në jetë të njëjtën skemë të masakrës zgjedhore të 25 prillit.
Në zgjedhjet e 25 Prillit 2021, Partia Demokratike ka denoncuar me fakte dhe dokumente konkrete, shpërndarjen e mbi 125 milionë euro pagesa për tërmetin në këmbim të votes. Vetëm në bashkinë Durrës, një javë përpara zgjedhjeve, u shpërndanë 6 milionë euro pagesa për tërmetin me qëllim manipulimin e vullnetit të qytetarëve, kujtoi Logu.
Sipas tij mungesa e hetimeve të plota dhe ndëshkimit të rreptë për autorët e masakrës zgjedhore të 25 Prillit, bën që ata të shfaqen sërish, me të njëjtat metoda dhe skema vjedhjeje në zgjedhjet e 6 Marsit 2022.
Për Partinë Demokratike, ka qenë dhe mbetet e qartë se Edi Rama dhe mazhoranca e tij janë armiq të betuar të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, tha Logu.
Ai tha se PD nuk do të lejojmë asnjë manipulim të vullnetit të qytetarëve dhe mbetet e vendosur në përpjekjen për të garantuar fitoren në 6 Mars përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.