Del në pazarin e Krujës, por nuk kthehet më në shtëpi. Ç`ka ndodhur me Avni Biçakun në nëntor të 2001-shit !?
Në një seri gjetjesh, emocionesh dhe momentesh të papërshkueshme është karakterizuar nata e së shtunës së kaluar në “Njerëz të humbur” në Vizion Plus. Edmir Beleraj, Rebeka Kabashi dhe Gramoz Roli u bënë pas shumë vitesh të gjallë për familjen falë kërkimeve intensive të stafit të gazetarëve të “Njerëz të humbur”. Dy javë më pare, në “Njerëz të humbur”, një nënë e re ndodhej mes rasteve kryesore pasi kishte tre vite që nuk e kishte parë vajzën e saj 5-vjeçare. Rebekën e vogël e kishin marrë nga krahët e saj padrejtësisht prindërit e ish-bashkëshortit të Zamirës në Greqi ku jetonte edhe babai i saj. Para 8 ditësh, Rebekën e sjellin në shtëpinë e nënës. Në një lidhje direkte me Zamirën të shtunën mbrëma, ajo shprehu mirënjohjen me falënderime sepse më në fund “Njerëz të humbur” dërgoi sërish në krahët e saj atë pjesë të jetës pa të cilën nuk kishte frymëmarrje, vogëlushen e saj 5-vjeçare Rebeka Kabashi. Një 36 – vjeçar nga Berati ka qenë njëri nga ata që solli atmosferë shprese në studion e “Njerëz të humbur” të shtunën mbrëma. Gramoz Roli, i humbur që prej vitit 2002 në Angli, më në fund ka arritur të kontaktojë me familjen e tij. Në moshën 24-vjeçare ai u vendos për herë të parë në Belgjikë. Por shteti belg nuk do të ishte i vetmi vendqëndrim. Pas rreth një viti, ai vendos të largohet në drejtim të Anglisë. Me sakrifica të ndryshme arrin të gjejë një punë dhe të sistemohet disi në pjesën veriore të Londrës. Në datën 10 mars të vitit 2002, Gramozi merr në telefon familjen dhe si gjithmonë u pohon se ishte mirë dhe se do t’i kontaktonte përsëri. Ai do të ishte edhe momenti i fundit që prindërit do t’i dëgjonin zërin. Duke menduar më të keqen, familja detyrohet të drejtohet në emisionin “Njerëz të humbur” për të denoncuar humbjen e tij. Gjashtë vite ankth dhe shpresa pothuajse të venitura. Publikimi në emision hapi dritën e parë jeshile për ekzistencën e tij. Pas gjetjes së adresës dhe numrit të telefonit, gazetarët ishin të parët që dëgjuan live zërin e tij dhe u bindën se ai ishte shëndoshë e mirë. Surpriza e madhe ishte pikërisht lajmi që të afërmit e Gramozit morën vesh disa ditë më vonë se djali i tyre ishte gjallë. Me nota pendese dhe shfajësimi, Gramozi vendos të kontaktojë me familjen duke u rikthyer buzëqeshjen e humbur prej 6 vitesh. Emocionet e gjetjes u përcollën edhe për teleshikuesit e shumtë të “Njerëz të humbur”, të cilët mundën të mësojnë se edhe një tjetër shqiptar u lidh me familjen duke u hequr njëherë e mirë nga lista e të humburve. Mes këtyre historive është edhe ajo e një djali nga Fieri, aktualisht 30 vjeç, i cili synoi një të ardhme më të mirë larg vendit të tij të lindjes. Edmir Beleraj u largua nga Shqipëria në vitin 1998 në drejtim të Italisë. Vendndodhja e fundit e Edmirit ishte Hollanda, ku ai pasi u kap nga policia e Tilburgut u dërgua në kampin e refugjatëve të këtij qyteti. Gjatë qëndrimit në këtë kamp, Edmiri mbante korrespondencë me letra me familjen e tij deri në 4 prill të vitit 1999. Pas përpjekjeve të dështuara, nëna e Edmirit troket në “Njerëz të humbur” me shpresën se do dëgjonte zërin e të birit shumë shpejt. Rasti Beleraj u vendos si rast qendror për disa javë në emisionin “Njerëz të humbur” në ekranin e Vizion Plus dhe u trajtua gjerësisht për gati dy muaj. Pas prezantimit të historisë së tij, telefonatat që vinin nga emigrantë të ndryshëm vërshuan me një shpejtësi marramendëse. Gazetarët e “Njerëz të humbur”, të kryesuar nga Aida Shtino, ishin mjaft afër telefonatës me Edmirin, por vullneti i tij ishte ndryshe nga ajo që të gjithë shpresonin. Ai nuk dëshironte të fliste me familjen të paktën momentalisht. Motra më e madhe e Edmirit merr rrugën nga Italia për në Londër me dëshirën e madhe për të takuar me të vëllain. Pasi mikpritet nga bashkëpunëtori i emisionit “Njerëz të humbur” në Londër, Esat Braçe, ajo arrin të flasë me të vëllain. Biseda mes tyre kishte zgjatur disa orë për të shuar mallin e shumë viteve mungese. Rasti Beleraj u hoq nga familja e madhe e të humburve, por misioni i Aida Shtinos dhe I gazetarëve të saj nuk do të ndalet këtu. Sonte në “Njerëz të humbur” do të ndiqni: Del në pazarin e Krujës, por nuk kthehet më në shtëpi. Çfarë ka ndodhur me djalin krutan Avni Biçaku më 20 nëntor të vitit 2001!? Mbetet ende mister historia e Bledion Terpollarit. Cila është e vërteta dhe ç`ka zbuluar “Njerëz të humbur” këtë javë në lidhje me të!? Mimoza Zeneli në kërkim të nënës së saj biologjike. Cila është zonja që e ka sjellë në jetë atë? Këto dhe të tjera detaje të emisionit përjetojini sonte në orën 21:00, në “Njerëz të humbur”, në Vizion Plus.
9 Shkurt 2008