E Diel, 1 Nëntor 2026

Mars 97, skandalet me ligjin e gjendjes së jashtëzakonshme

Debatet në Kuvend për antikushtetueshmërinë e të qëlluarit pa paralajmërim dhe djegien e gazetave

Në fillim të marsit 1997, në vend që të niste dialogun me popullin, qeveria e PD-së kishte menduar të vendoste gjendjen e jashtëzakonshme për të shuar bandat plaçkitëse. Gjendja ishte shumë e rëndë dhe kishin ndodhur ngjarje të rënda me pasojë vdekjen e ushtarakëve dhe të civilëve, por qeveria dhe disa deputetë të PD-së nguten të kalojnë ligjin për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila u hap rrugë veprimeve antikushtetuese dhe arbitrare, për të cilat frikësohen disa prej deputetëve të PD-së

Vijojnë debatet për trazirat në jug të vendit, pas shembjes së firmave piramidale

Seanca e pasdites, 2 mars 1997

Pjetër Arbnori- Për shkak të kryengritjes së armatosur që ka shpërthyer dhe ku janë përzier grupe terroriste, si dhe të burgosur ordinerë, të liruar pas shpërthimit të kampeve, thirrëm këtë seancë të jashtëzakonshme dhe parlamenti gjatë gjithë kohës do të rrijë i mbledhur për t’u bërë ballë, me ligj, dhunës së tërbuar që ka shpërthyer në disa qytete, djegieve, shkatërrimeve, vrasjes së oficerëve të SHIK-ut, grabitjes dhe marrjes me dhunë të armëve në repartet ushtarake. Për këtë arsyes Kuvendi Popullor do të fusë në rendin e ditës ligjin për “gjendjen e jashtëzakonshme”.

Ylli Vejsiu-…Duke shprehur në këtë mënyrë mendimin e Komisionit të Ligjeve, ju ftoj që të votohet dhe të miratohet njëzëri.

Azem Hajdari- …Edhe një herë këmbëngulnë dhënien e legjitimitetit të vërtetë Kryetarit të Shtetit të Republikës së Shqipërisë, zotit Sali Berisha; edhe një herë këmbëngul që PD-ja i ka të gjitha mundësitë, të gjitha mundësitë intelektuale, ka edhe kredibilitetin e duhur për të caktuar kryeministrin e ri; edhe një herë këmbëngul se forcat politike duhet të shprehen ose për demokraci, ose për rrugë të tjera, që edhe shteti të ndërhyjë dhe ne të ecim përpara, drejt një demokracie të vërtetë. Kjo do të ishte rruga e neutralizimit të çdo lloj kriminaliteti në Shqipëri…Si njënjeri që jam marrë disa kohë me këto probleme këtu në parlament, mund të them se ky lloj segmenti revolucionar, i stimuluar nga Asfalia ose nga grupet që caktuan firmat piramidale në Shqipëri, pjesë e zbulimeve të KGB-së, të raportuara nga SHIK-u në instancat shtetërore, mund të neutralizohet pa gjendje të jashtëzakonshme, por me një vullnet të zakonshëm, me një vullnet legjislativ…

Bashkim Kopliku-Ajo që kërkohet nga ne është vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme

Pjetër Arbnori- Jo vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme. Jemi duke shikuar ligjin “Për gjendjen e jashtëzakonshme”.

Bashkim Kopliku- Ju lutem mos më ndërprisni

Pjetër Arbnori- Të ndërpres se u shprehe gabim.

Bashkim Kopliku- Ju lutem më lini të shprehem gabim…Situatën nuk e njohim tamam, kemi dëgjuar vetëm masmedian, e cila shpesh ka dhënë informacione të pasakta. Prandaj kërkoj që zyrtarisht të paraqitet situata reale në këtë sallë, që të votojmë mbi bazën e një dokumenti zyrtar. Kërkoj gjithashtu që ajo që thuhet të jetë e incizuar, që të mbesë historikisht e stamposur vula jonë dhe kështu kemi votuar mbi një dokument që nuk ndërrohet më, sepse e incizojnë të gjitha kanalet përkatëse të institucionit të nderuar të parlamentit. Prandaj, para se të votoj, kërkoj që parlamenti të informohet.

Ali Kazazi- Dëshiroj të shpreh mendimin tim se mosmiratimi i këtij ligjipara disa ditësh ishte në të mirë të këtij mesazhi të paqes, thirrjes për protesta të qeta, por mbi të gjitha për mbrojtjen e jetës së njerëzve, të vlerave dhe të institucioneve të ngritura me kaq mund. Por komunistët shqiptarë e shfrytëzuan për dobësi. Me bandat kriminale të sigurimit, ata morën ofensivën kriminale dhe tashmë ata po marrin dhjetëra jetë njerëzish, po djegin e shkatërrojnë, po vënë në rrezik Shqipërinë, po kërcënojnë hapur demokracinë shqiptare…

Aleksandër Meksi- S’ka kohë. Amendamentet u paraqitën, të kalohet në votim, për të kaluar në masa të tjera, sepse unë jam i detyruar të jap një sërë urdhrash, që nuk mund të jepen, se dhe kohë, s’ka. Njerëz të armatosur janë në Panaja, në të gjitha kodrat e ullinjve, siç u tha këtu, njerëz të armatosur janë drejtuar në Lushnje, një pjesë janë bllokuar, të tjerë drejt Rrogozhinës për në Kavajë. Ju lutem, mos na vononi, mos shtoni viktima të tjera të terrorit të kuq dhe të spiunëve. (Duartrokitje).

Azem Hajdari- Zoti kryetar edhe një herëi përmbahem mundësisë sime për të kontribuar përsëri. Gjendja e jashtëzakonshme vendoset në rastet kur cënohet rendi kushtetues (reagim dhe zhurmë nga deputetët e tjerë). Ju lutem, ju lutem, ju lutem. Më falni një minutë, ju lutem.

Pjetër Arbnori- Zoti Azem hajdari, ne e morën vesh qëndrimin tuaj, megjithatë është e drejta juaj të shpreheni…urdhëro, thojeni!

Azem Hajdari- Nuk i prish punë këtij parlamenti të thotë “cënimi i rendit kushtetues” dhe “jo i rendit publik”. Është me rëndësi jetike, prandaj pyesni edhe ndonjë jurist. Kur cënohet rendi kushtetues, është normale kjo që mund të bëhej bashkarisht, jo për rendin publik. Prandaj, po deshe, të bëhet një ndryshim në titull…

Tritan Shehu- Janë dy gjëra të veçanta: kushtetues dhe publik. Të dyja bashkë po, por jo të hiqet fjala “publik”, sepse ai mund të mos kërkojë ndryshim republike, por të vrasë njerëz.

Ali Spahia- Me qëllim që të sigurohet integriteti i Republikës së Shqipërisë, liria e saj, të sigurohet liria e qytetarëve, të sigurohet jeta e tyre, propozoj që gjendja e jashtëzakonshme të zgjatet derisa të rivendoset plotësisht rendi kushtetues dhe rendi publik. (duartrokitje)

Seanca e ditës së diel, 2 mars 1997, pasdite

Safet Zhulali- Ne e miratuam ligjin “Për gjendjen e jashtëzakonshme” para dy orësh, por pasi e pamë ligjin dhe me ekspertët dhe një praktikë ndërkombëtare, kemi bërë disa plotësime, për të cilat propozoj që t’i shikojë komisioni përkatës dhe t’i shtohen ligjit të miratuar, sepse këto e japin të plotë e të saktë ligjin “Për gjendjen e jashtëzakonshme”.

Rexhep Karapici- Ne e diskutuam projektligjin e paraqitur nga kryetari i Këshillit të Ministrave dhe kemi vërejtje për nenin 1. Mendojmë që neni 1 të formulohet kështu: “Të gjithë rebelët e armatosur të dorëzojnë armët brenda orës 18.00 (një korrigjim ky, sepse mendojmë që ora 12.00 është afat i mjaftueshëm) të datës 3. 3. 1997. Fjalia e dytë të ndryshohet si vijon: “Pas kësaj ore, rebelët e armatosur që nuk i binden thirrjes për dorëzim, qëllohen”.

Pjetër Arbnori- Komisioni i Mbrojtjes është dakort dhe me shtesën lidhur me shtypin, por ka një përpilim të ndryshëm të nenit 1, si më poshtë: “Të gjithë rebelët e armatosur të dorëzojnë armët brenda orës 18.00, të datës 3. 3. 1997. Pasa kësaj ore mbi rebelët e armatosur do të veprojnë ligjet në fuqi”.

Bashkim Kopliku- Ju bëj thirrje për pak gjakftohtësi. Është një situatë e rëndë, megjithatë ne po shtypim banda kriminale. Ne jemi demokratë dhe shtypjen e tyre do ta bëjmë në bazë të ligjeve europiane të fundshekullit XX. Jeta e një njeriu në mesjetë dhe në Europë, më dukej se merrej edhe kur të gjenin duke vjedhur një dele. Zotërinj, Kushtetuta është e shenjtë dhe gjendja e jashtëzakonshme është pjesë e Kushtetutës. Pikërisht neni 1, duke e lidhur me nenin që flet për gjendjen e jashtëzakonshme, për gjendjen e luftës, thotë: “mos e prek, është e drejta për të jetuar”. Ashtu siç ka ardhur projekti i ligjit, është skandal….Arma do të përdoret nga ekspertët, sipas ligjeve, dhe në asnjë mënyrë, nuk do të bëjmë improvizime mbi jetën e njeriut. Ne po bëjmë gjithë këtë luftë kundër të keqes, pikërisht për jetën e njeriut.

Pjetër Arbnori- Zotërinj, unë propozoj që shtabet lokale, kur e quajnë të arsyeshme, të bllokojnë materialet nxitëse. Gjithashtu të ndalohen edhe televizionet private që mund të bëjnë një gjë të tillë. Mua më ka ardhur një protestë për televizionet private, të cilat, janë të paligjshme dhe Komisioni i Masmedias e pastaj Kuvendi Popullor duhet ta shikojnë.

Jozefina Topalli- Z. Kryetar jemi dakort me atë që thotë z. kryeministër (fjala e tij nuk është e incizuar), mund të fillojë neni vetëm kështu: “Vendosen kufizime për ushtrimin e lirisë së shtypit e të informacionit” dhe të vazhdojë me pjesën tjetër; pra të heqim pjesën e parë” në përputhje me traktatet ndërkombëtare, me dispozitat kryesore kushtetuese, etj, etj”.

Rexhep Karapici- Më duket se këtu nuk po kuptohet qartë sesi bllokohet një numër gazete. Numri i gazetës nuk bllokohet në treg, por në shtypshkronjë. Aty lexohet numri i përgatitur dhe, në rast se ky cënon nenin në fjalë, atëherë bllokohet i gjithë materiali i shtypit, lastrat dhe gjithë ç’është bërë; pra bllokohet pa u shtypur, jo në treg.

Aleksandër Meksi- Nuk tha njeri “në treg”, por, para se të shpërndahet, materialin duhet ta djegim.

Bashkim Kopliku- …Varianti që kaluam është antikushtetues, pra, shkel qartë, në përgjithësi, ligjin tonë kushtetues, shkel qartë ligjet përkatëse botërore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›