E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhufi: Basesku krijoi një precedent në marrëdhëniet me Shqipërinë

Intervista Flet politikani dhe historiani i njohur: Qeveria, e disponueshme ndaj “Antantës së vogël”

Për historianin, politikanin dhe diplomatin e njohur, Pëllumb Xhufi, deklarata e Baseskut dje në Tiranë ka qenë e kalkuluar mirë, pasi ka krijuar një precedent të rrezikshëm, që mund të marrë shkas edhe nga regjistrimi i popullsisë në bazë etnie dhe feje. Sipas prof. Xhufit, politikisht kjo është një çështje e rrëzuar, por fajëson qeverinë shqiptare për disponim ndaj “Antantës së vogël”...

Zoti Xhufi, si e konsideroni deklaratën e Presidentit rumun, Trajan Basesku, i cili ka kërkuar njohjen e minoritetit etnik arumun?

Ishte një deklaratë e përgatitur, të cilën Presidenti rumun e lexoi me kujdes për t’i dhënë rëndësinë e një deklarate historike dhe për të krijuar një precedent, që do të jetë tashmë në çdo tryezë bisedimesh shqiptaro-rumune. Nga pikëpamja e Baseskut, është zgjedhur momenti i duhur për të avancuar një kërkesë të tillë. Qeveria shqiptare ka treguar një disponim të jashtëzakonshëm ndaj grupit të vendeve, të njohura dikur si “Antanta e vogël”, të cilët në kohët kur krijoheshin shtetet, vendoseshin kufijtë e lindnin minoritetet, ishin kundërshtarë të deklaruar të Shqipërisë. Sot, qeveria e Berishës i ka përcaktuar dy prej këtyre shteteve (Greqinë e Serbinë) si aleate strategjike. Me siguri nesër do të shpallë të tillë edhe Rumaninë, kuptohet pasi t’i bëjë edhe asaj premtimin eksplicit se do të njohë një etnitet kombëtar arumun, ashtu siç do të “rezultojë” nga regjistrimi antikushtetues i popullsisë me vetëdeklarim të fesë e të kombësisë, të cilin ka premtuar se do ta vërë në jetë në vitin 2011. Për hir të miqësive, lidhjeve e interesave personale që kanë me këto vende, të cilat i shesin për strategjike, pushtetarët tanë po duan ta kthejnë edhe Shqipërinë në një shtet “multietnik” në një kullë të Babelit, ashtu, si e kthyen Kosovën, Millosheviçi e qarqet filoserbe të Europës, ku bën pjesë edhe Presidenti Basesku. Dhe dy shtete shqiptare “multietnike”në Ballkan, është një opsion i përpunuar e mbrojtur prej tyre.

A e ka ngritur më përpara Bukureshti zyrtar këtë çështje?

Pala rumune nuk e ka ngritur në terma të tillë këtë problem. Së pari, sepse ajo e di shumë mirë se Shqipëria, ashtu si Rumania, u bënë anëtare të Lidhjes së Kombeve pas Luftës I Botërore, pasi nënshkruan marrëveshje të veçantë, ku angazhoheshin se do njihnin e do respektonin minoritetet kombëtare në vendet përkatëse. Shqipërisë iu njohën atëherë dy minoritete kombëtare, ai grek dhe minoriteti malazez. Ndryshimi midis Shqipërisë e Rumanisë në këtë vështrim ishte, se ndërsa Shqipëria i njohu dhe i zbatoi pa hezitim detyrimet ndaj minoriteteve kombëtare, Rumania hezitoi për një kohë të gjatë për ta nënshkruar traktatin e minoriteteve dhe pasi e nënshkroi iu shmang vazhdimisht detyrimeve të tij. Nga ana tjetër, dihet se me minoritet kombëtar kuptohen ato komunitete, të cilat kanë mbetur brenda kufijve të një shteti të banuar nga një popullsi në shumicë e ndryshme dhe që kanë një shtet reference kufitar me shtetin në fjalë. Në këtë kuptim, midis Shqipërisë e Rumanisë ka një varg shtetesh të tjera, nuk ka një vazhdimësi territoriale. Por akoma më shumë më duhet të them se çështja e arumunëve apo e vllehve të Ballkanit është jashtëzakonisht e komplikuar dhe konsiderohet një nga çështjet ende të pazgjidhura në pikëpamje shkencore. Sot e gjithë ditën shtrohet pyetja nëse janë popullsitë e Rumanisë së sotme ato që në shekujt e parë të Mesjetës u zhvendosën në trevat e gjëra të Ballkanit, apo janë popullsitë “romane” të Ballkanit, ato që u zhvendosën në drejtim të veriut, duke krijuar Rumaninë e sotme. Rumania, pra, e ka shumë të vështirë të pretendojë se është atdheu-amë i gjithë arumunëve të Ballkanit. Në fakt, nuk e bën këtë, të paktën nuk e bën me ato terma që përdor në takime si ky i sotmi: unë nuk di që Rumania të ketë kërkuar njohjen e një minoriteti kombëtar arumun nga ana e Greqisë. E pra, gjithkush e di se pikërisht në Greqi ka qenë dhe është sot e kësaj dite përqendrimi më i madh i popullsive arumune në Ballkan. E njëjta gjë vlen për Serbinë, Malin e Zi, Bullgarinë, Maqedoninë, ku gjithashtu ka pasur prani të hershme arumune.

Vllehtë, nga pikëpamja historike, ku mund ta kërkojnë shtetin amë?

Arumunët dalin në burimet historike, sa në Shqipëri, në Greqi, Maqedoni, Serbi, Mal i Zi, Bullgari etj., qysh në shekullin X, kur përmenden nga historiani bizantin Kekaumenos. Pra, mund të konsiderohet një popullsi e vjetër autoktone e Ballkanit, e shpërndarë në të gjithë shtrirjen e tij. Epiqendra e arumunëve ishin malësitë e Pindit dhe treva e Thesalisë, e cila për arsye të pranisë masive të arumunëve (vllehve), u quajt në Mesjetë me emrin Vllahia e Madhe. Sa u përket marrëdhënieve me shqiptarët, të gjitha burimet flasin për një marrëdhënie tepër të ngushtë, që vinte edhe nga ngjashmëria në zakone e në mënyrën e jetesës së vllehve me banorët e malësive të Shqipërisë së Poshtme. Udhëtarë të ndryshëm të shekujve XIV-XVI e kishin të vështirë të dallonin shqiptarët nga vllehtë në malësitë e Pindit, në Thesali apo në Maqedoninë jugperëndimore, aq sa për identifikimin etnik të personave të veçantë nga kjo trevë përdornin termin hibrid “shqiptaro-vllah”.

Në gjithë këtë trevë, në kapërcim të shekullit XIX-XX, popullsia vllahe u bë objekt i sulmeve dhe masakrave nga bandat greke, ndërkohë që marrëdhëniet me shqiptarët u forcuan aq shumë, saqë në kancelaritë europiane, në fillim të shekullit XX, bëri vend ideja e krijimit të një shteti shqiptaro-vllah, që të përfshinte edhe trevat më së shumti të banuara nga arumunët, në Thesali e në Maqedoninë jugperëndimore. Dihet që në këtë moment historik për kombin dhe shtetin shqiptar, personalitete të mëdha shqiptare me origjinë arumune, u vunë në radhën e parë të luftëtarëve për shtetin, për shkollën e për kulturën shqipe. Komuniteti arumun i Shqipërisë u bë, gjithashtu, një mbështetje e fuqishme e Fan Nolit, i cili bashkë me ortodoksit e tjerë patriotë shqiptarë, mundësoi krijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, akti më i rëndësishëm emancipues i kombit shqiptar, pas shpalljes së pavarësisë.

Kështu pra, historia e vllehve (arumunëve) të Shqipërisë është e lidhur fort e pazgjidhshmërisht me historinë tonë të përbashkët. Veçoritë e tyre, këngët e mrekullueshme, traditat e zakonet, gjuha arumune, aty ku ajo ruhet, janë një pasuri e përbashkët që duhet ruajtur e zhvilluar. Por kjo s’ka të bëjë aspak me përpjekje për instrumentalizimin dhe përdorimin për qëllime politike e nacionaliste të kësaj pjese të pandarë të popullit shqiptar, që jeton, lufton, vuan e gëzon bashkë me ne që nga kohët kur s’mbahen mend.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›