E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhufi: “Berisha gënjen shqiptarët”

Autori i Lajmit: red.
Lëvizja Socialiste për Integrim akuzon kryeministrin Sali Berisha se fshehu të vërtetat mbi buxhetin 2009. Nënkryetari i LSI, Pëllumb Xhufi, tha se pritet dështimi i këtij buxheti që do të pasojë dështimet e tjera të qeverisë. Shifra prej 1 miliard dollarësh rritje në krahasim me buxhetin e vitit 2008, sipas tij, është në realitet një 0 e madhe, në rast se llogaritet shkalla e rritjes së inflacionit, zhvleftësimi i dollarit, rritja e borxhit të jashtëm e të brendshëm, shpenzimet e paparashikueshme, si dhe janë ato që lidhen me financimin e rrugës Durrës-Kukës, pa projekt e pa preventiv. “Kryeministri pretendon se buxheti i ri prej 5,2 miliardë dollarësh, bazohet në rritjen e të ardhurave, dhe nuk thotë të vërtetën. Sepse shifra prej 1 miliard dollarësh që ai pretendon të jetë një suficit në të ardhurat e këtij viti, nuk vjen absolutisht nga rritja e prodhimit, nuk vjen nga performanca në luftën kundër korrupsionit, kundër evazionit fiskal, apo në luftën kundër ekonomisë informale, apo nga ulja e shpenzimeve. Nëse të ardhurat janë rritur me ndonjë kacidhe, kjo ka ardhur si rezultat i një politike represive të organeve tatimore e doganore mbi bizneset, nga gjobat arbitrare e abuzive, nga rritja e çmimeve të referencës”, - tha ai. Sipas këtij subjekti politik, Berisha ka dështuar në të gjitha synimet prioritare të qeverisë që ai drejton. “Kryeministri Berisha dështoi në atë që do të ishte kali i tij i betejës , në luftën kundër korrupsionit. Kryeministri Berisha dhe qeveria e tij dështuan në reformën arsimore, reformën në mjekësi dhe në reformën institucionale, sepse në konceptin e tij të tipit “Shteti jam Unë”, në vend që të forconte institucionet, ai ka ngritur një sistem ping-pongu institucional”, - tha Xhufi në konferencën e djeshme për shtyp duke shtuar se të gjitha këto dështime të konstatuara nuk paralajmërojnë asgjë tjetër veç dështimin e radhës edhe në menaxhimin e buxhetit për 2009-ën. Kryeministri Sali Berisha prezantoi dy ditë më parë buxhetin për vitin 2009, vit që përkon dhe me zgjedhjet parlamentare.
Ky lajm është publikuar: 04/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›