E Diel, 1 Nëntor 2026

“Berisha përdor lekët e shqiptarëve për propagandë elektorale”

Autori i Lajmit: red.
Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, akuzon kryeministrin Sali Berisha se po përdor lekët e shqiptarëve për propagandë elektorale. “Shprehim keqardhjen për sjelljen brutale me media të Kryeministrit të Shqipërisë, i cili nga njëra anë blen me lekët e qytetarëve shqiptarë hapësirë reklamash televizive për veten e tij dhe nga ana tjetër dhunon me gjoba të paligjshme ekranet që nuk shkelin të drejtën shoqërisë civile për ta denoncuar këtë abuzim të shumëfishtë të Sali Berishës”, - tha dje Ruçi. Partia Socialiste i bën apel Kryeministrit të Shqipërisë të mos shpërdorojë detyrën dhe lekët e shqiptarëve për të bërë propagandë të paligjshme elektorale. “Në qoftë se Sali Berisha nuk e dëgjon këtë apel, Partia Socialiste do ta konsiderojë këtë abuzim si shkelje të lirisë e të ndershmërisë së procesit elektoral, të cilin Kryeministri s mund ta fillojë as me lekët e qytetarëve dhe as duke shkelur të drejtat e tyre dhe ligjet e Republikës së Shqipërisë”, - përfundoi Ruçi.
Ky lajm është publikuar: 04/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›