E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupet e interesit, “pro” hapjes së dosjeve

Autori i Lajmit: red.
Grupet e interesit janë pro hapjes së dosjeve. Ky ishte qëndrimi i shprehur dje në seancën dëgjimore në Komisionin e Ligjeve nga përfaqësues të Grupit Shqiptar të të Drejtave të Njeriut, Qendrës Shqiptare për Rehabilitimin e Traumës dhe Torturës, Institutit të të Përndjekurve Politikë dhe Shoqatës Antikomuniste Shqiptare.
Tomorr Aliko, përfaqësues i Shoqatës Antikomuniste Shqiptare, pohoi se duhet të hapen dosjet dhe të dënohen krimet e komunizmit. Sipas tij, është jonormale që njerëzit të shkojë të qajnë hallin te një hetues apo gjykatës që i ka dënuar më parë. “Ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit duhet të largohen vetë nga këto poste pa i larguar me ligj”, - tha ai. Ndërsa përfaqësuesja e Grupit Shqiptar të të Drejtave të Njeriut, Elsa Ballauri, kritikoi politikën për qëndrimin shpërfillës që ajo ka mbajtur ndaj shoqërisë civile për këtë çështje. Sipas Ballaurit, ky problem duhet të ishte zgjidhur menjëherë, që me ndryshimin e sistemeve në Shqipëri, ndërkohë që tani është më e vështirë për ta rifilluar procesin nga e para. Ajo kërkoi që shoqëria civile të njihet me draftin dhe të shprehet konkretisht për çdo nen të këtij projektligji. Sipas saj, ky është bumerangu që po na bie sot dhe ne po mundohemi ta zgjidhim, dikush në mënyrë të sinqertë, dikush në mënyrë pragmatiste për t u çliruar nga kjo angushti politike dhe dikush i detyruar nga Komuniteti Evropian. “Do të jetë një mrekulli nëse ligji do të jetë aq i mirë sa të funksionojë realisht, po dyshoj sepse ne nuk jemi nga popujt që i bëjmë aq mirë punët. Dekomunistizimi nuk është kryer ende”, - tha ajo. Ndërsa për kryetarin e QSHRTT-së, Adrian Kati, projektligji për pastërtinë e figurës së zyrtarëve është i pandarë nga procesi i dekomunistizimit të shoqërisë shqiptare. Sipas tij, duhet të ketë një paketë ligjore ku të përfshihen këto dy probleme të mëdha, në mënyrë që të riparohen dëmet e diktaturës komuniste në Shqipëri.
“Si mund të ketë sukses kërkimi i bashkëpunëtorëve kur komunistin Enver Hoxha e kemi ende me dekoratat e kaluara, kur Aranit Çela na sheh nga kafeneja, kur Dhimitër Shkodrani vjen rrotull dhe mbron demokracinë dhe kur gjykatësja Laskaj vete thotë: Çuna, ju nuk ndenjët urtë, pandaj ju rrasëm brenda”, - tha ai. Për Simon Mirakën, e rëndësisshme është që administrata publike të pastrohet nga ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit.
Ky lajm është publikuar: 04/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›