Vlorë, dalin nga greva e urisë 4 gratë
• Dalin pas 3 javësh nga greva e urisë 4 gratë, banore të rrugës Transballkanike në Vlorë.VLORE / Qemal BirakuPremtimi i pushtetarëve vendorë se çështja e tyre do të zgjidhet plotësisht, i ka bërë grevistet të dalin nga ngujimi. Prefekti i Qarkut të Vlorës, Xhevahir Rexhepi, i shoqëruar dhe nga një përfaqësuese e Ministrisë së Transportit ka zhvilluar një takim me kreun e Hipotekës, Mondi Baushi, prej nga ka marrë garancinë për të vënë në dispozicion të grevisteve certifikatën e pronësisë. Kjo do të mundësohet bashkë me dokumentacionet e tjera përkatëse që nevojiten për plotësimin e dokumentacionit për kompensimin e pronës. E para që ka dalë nga greva e urisë ka qenë Flora Cekodhima, njëkohësisht e para që u fut në grevë urie. Grevistja është drejtuar menjëherë për në zyrën e regjistrimit të pasurive, ku ka dorëzuar faturën që e kishte paguar që më parë për këtë dokument, por nuk kishte arritur ta merrte certifikatën e pronësisë. Pas saj kanë dalë nga greva dhe 3 gratë e tjera. Prefekti është shprehur se ky problem është parë me seriozitet dhe me përparësi nga ana e prefektit si dhe e qeverisë për përcaktimin real të vlerës së banesave dhe të pronës së 54 familjeve që preken nga ndërtimi i rrugës Transballkanike. Sipas prefektit, ngelen për t'u zgjidhur vetëm çështjet e dy prej familjeve, të cilat janë në proces gjyqësor dhe është gjykata që do të vendosë për pronësinë e tyre. "Banorët e tjerë do të paraqiten të marrin lekët e përcaktuara tashmë sipas vlerësimeve dhe nuk ka më asnjë pengesë për askënd. Deri tani kanë qenë vetë banorët që nuk kanë pasur dëshirën e mirë apo nga mosdija se ku të drejtohen kanë krijuar vonesa për plotësimin e dokumentacioneve dhe aplikimit për tërheqjen e parave", u shpreh Rexhepi. Të angazhuar maksimalisht për zgjidhjen e problemit të katër grevisteve si dhe të banorëve që kanë pasur probleme, kanë qenë sot të gjithë institucionet lokale, Drejtoria e Rrugëve si dhe deputetët e zonës, Leskaj dhe Kollozi. Pasi kanë lënë dhomën e përshtatur për zhvillimin e grevës, gratë janë shpërndarë nëpër banesat e tyre, në gjendje jo të mirë fizike, por tashmë me shpresë se çdo gjë është rregulluar. Grevistet janë mbajtur nën kontrollin mjekësor deri në orët e mbrëmjes së djeshme, derisa gjendja e tyre shëndetësore të normalizohet dhe të mos kenë pasoja nga mungesa e ushqimit për ditë me radhë.GabimetGjatë seancës plenare të së hënës, Kryeministri Berisha pranoi se "është e vërtetë që në procesin e shpronësimeve ka pasur një problem, pasi fillimisht është bërë një përllogaritje e gabuar, për të cilën Qeveria i ka kërkuar ndjesë familjarëve dhe e ka ndryshuar vendimin e saj". Kryeministri garantoi se "fondi është i tëri disponibël dhe do të shqyrtohet menjëherë”.AksioniNdërsa greva e urisë vazhdonte, Policia Ndërtimore e Vlorës prej ditësh ka nisur aksionin e saj për prishjen e ndërtimeve që pengojnë realizimin e investimit për zgjerimin e rrugës Transballkanike. Aksioni u shoqërua me kundërshtime dhe protesta banorësh, të cilët nuk pranojnë vlerën e caktuar nga shteti për kompensimin e truallit dhe tokës nga do takojë rruga.