Xhufi: Hyrja në NATO, vokacion perëndimor i shqiptarëve
Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi, e cilësoi hyrjen në NATO të Shqipërisë si diçka të natyrshme. Ai tha se kjo është pjesë e orientimit të shqiptarëve. “Forcat tona të Armatosura kanë marrë pjesë me sukses në nisma të ndryshme të zhvilluara në kuadrin e partneritetit për paqen. Janë ballafaquar me sukses në Këshillin e NATO-s, në kuadër të MAP-së, të Plan-Aksionit për Anëtarësim, dhe sot Shqipëria është anëtare e NATO-s. Është anëtare e NATO-s si rezultat, në radhë të parë, i një vokacioni dhe një orientimi properëndimor që ky popull ka pasur gjatë gjithë historisë së tij, që nga koha e Skënderbeut, vokacion që nuk është vrarë as në vitet e diktaturës”, - tha Xhufi.
Aplikimi në BE, Basha rikonfirmon vullnetin
Ministri i Punëve të Jashtme, Luzlim Basha, rikonfirmoi dje vullnetin e qeverisë shqiptare për të aplikuar në BE për statusin kandidat. Duke folur në forumin e Krans Montanës, Basha tha se aplikimi do të bëhet në bazë të axhendës së programuar. “Vendimi ynë për të aplikuar në familjen e madhe evropiane mund të mos bëhet në një periudhë të kënaqshme, por ky vendim duhet marrë për të mos dëmtuar procesin dhe për të mos shkurajuar të gjithë ata që duhet dhe do të jenë në bllokun e 27 vendeve evropiane. Ne do të marrim përsipër meritat nëpërmjet reformave që kemi ndërmarrë, por njëherësh edhe barrën e këtij anëtarësimi”, - tha Basha.