Rama: Investime nga buxheti në shëndetësi
Kreu socialist, Edi Rama ishte dje në qytetin e Elbasanit ku ka shpalosur pjesë të programit qeverisës. Rama u fokusua në Elbasan kryesisht në reformën në shëndetësi. “Dua të përqendrohem më tepër në kapitullin e programit tonë për shëndetësinë në Elbasan, pasi ky rreth prezanton nivelin më të ulët të vizitave mjekësore, ku sipas statistikave tona është rreth 38 për qind më e ulët se mesatarja në shkallë vendi”, u shpreh Rama. Sipas tij, paaftësia e drejtimit në shëndetësi ka ardhur si rezultat i pazareve të Berishës me aleatët, por që kanë shkatërruar sistemin shëndetësor në vend. “Programi ynë parashikon që i tërë investimi publik për sektorin e shëndetësisë të rrjedhë nga buxheti shtetit”, ka shtuar Rama. Ai ka deklaruar se me ardhjen në pushtet të socialisteve do të ngrihet një sistem mjekësor modern, i cili pa diskutim do të ketë financim publik bazuar në eksperiencat evropiane”. Në të ardhmen spitalet do të furnizohen rregullisht me barna cilësore dhe jo të mbeten pacientët në mëshirë të fatit. Ne jemi për një reformim rrënjësor të qeverisjes dhe do punojmë fort për uljen e nivelit të papunësisë ku Elbasani, sërish qëndron me 10 për qind më lart se mesatarja e republikës”, ka shtuar kreu socialist.