Grindja me policët, të lirë dy të rinjtë
TIRANE - U grindën me policët, lirohen dy të rinjtë. Në fakt ishte vetë organi i akuzës i kryeqytetit që kërkoi dje në gjykatë masën e sigurisë "detyrim paraqitjeje" për dy të arrestuarit Nderim Durmishi dhe Shpëtim Myftari 21 dhe 31 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, të akuzuar për "kundërshtim të punonjësve të policisë". Dje para gjykatësit të gatshëm, dy të akuzuarit pohuan se nuk kishin sharë apo fyer policët, por vetëm nuk kishin pranuar të largonin mjetin e tyre të parkuar në rrugën "Abdi Toptani". Kjo kishte sjellë grindje mes tyre dhe policëve, ndërsa, efektivët e policisë kërkuan shoqërimin e tyre në komisariatin numër një. Sipas tyre në komisariat, dy të rinjve u kishin komunikuar katër akuza: "kundërshtim të punonjësit të policisë", "kanosje për shkak të detyrës", "fyerje për shkak të detyrës" dhe "dëmtimeve të tjera me dashje", të gjitha të kryera në bashkëpunim. Por prokuroria pasi kishte analizuar provat dhe akuzat e përcjella nga policia gjyqësore ka dalë në përfundimin, se këto akuza ishin të tepërta dhe se midis të akuzuarve dhe policëve kishte pasur vetëm një grindje me fjalë jo fyese. f.m.