E Diel, 1 Nëntor 2026

Helikopteri zbulon kanabis në Vorë, kryeplaku në polici

 

Etleva Delia

Vëzhgimi nga ajri me helikopter gjatë një aksioni antikanabis të policisë së Tiranës, zbulon shtatë parcela të mbjella me kanabis në zonën e Vorës, fare pranë kryeqytetit. Menjëherë pas evidentimit të parcelave me drogë në fshatin Kuç, policia ka shoqëruar kryeplakun e zonës, i cili nuk kishte njoftuar për bimën narkotike. Edhe pas porosive që u është lënë vendorëve nga mbledhjet e përbashkëta që policia ka pasur me përfaqësues të Prefekturës së Tiranës, për parandalimin e kultivimit të hashashit, askush nuk ka marrë mundimin që të zbatojë këto porosi për njoftimin e policisë. Rasti i djeshëm është i katërti në një hark kohor prej 2 muajsh, kur oficerët e policisë së Tiranës, zbulojnë parcela, ku kultivohet hashash dhe që të gjitha janë vetëm disa kilometra larg kryeqytetit. Policia ka vëzhguar me helikopter rrethinat e Tiranës për të zbuluar parcela të mbjella me hashash dhe më pas gjatë ndërhyrjes nga toka ka sekuestruar 1053 rrënjë droge. Aksioni me helikopterë është organizuar nga Seksioni Kundër Narkotikëve në Policinë e Tiranës në bashkëpunim me Sektorin Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të cilët kanë realizuar monitorimin ajror në territorin e Tiranës, me synim identifikimin dhe zbulimin e parcelave të mbjella me kanabis sativa. Gjatë monitorimeve u konstatua se në fshatin Kuç të Vorës, ndodheshin disa parcela të dyshuara se ishin të mbjella me bimë narkotike. Specialistët e Seksionit Kundër Narkotikëve, shkuan menjëherë në vendin e dyshuar në fshatin Kuç dhe Badinak të Shijakut, ku u konstatuan shtatë parcela të mbjella me rreth 1053 rrënjë të bimës hashash, në gjatësi të ndryshme. Në cilësinë e provës materiale policia sekuestroi 8 rrënjë të kësaj bime, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua, me anë të djegies, duke e shoqëruar edhe filmimin përkatës nga oficerët e policisë. Ashtu si edhe në rastet e tjera bima është mbjellë anash një lumi që ndan dy fshatrat, Kuç dhe Badinak, truall që rezultonte pa pronar. Në këtë mënyrë u shoqërua për të dhënë shpjegime në polici, kryeplaku i fshatit Kuç, në cilësinë e personit që tregon rrethana të hetimit. Sipas burimeve kryeplaku ka treguar vetëm ndarjen e trojeve dhe zonat e fshatit që cilësohen pa pronar, duke mos dhënë asnjë emër konkret, të ndonjë personi që mund të ketë kultivuar bimët narkotike. Paraprakisht policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të mbjelljes së kësaj bime.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›