E Diel, 1 Nëntor 2026

Murinjo: Beqaj, një portier i shkëlqyer

 

Trajneri i Interit, Zhoze Murinjo, i ka thurur elozhe portierit të Kombëtares shqiptare, Arjan Beqajt. Në kuadër të ndeshjes së sotme mes Interit dhe Anorthosis Famagusta në Ligën e Kampioneve, tekniku portugez ka pohuar se portieri i skuadrës qipriote, Arjan Beqaj, do të jetë një pengesë jo e vogël për skuadrën e tij. Gjatë konferencës për shtyp ai është pyetur, nëse ishte i informuar për faktin që portieri i Anorthosis është Arjan Beqaj, i cili ndihmoi Kombëtaren shqiptare që të merrte një barazim 0-0 në transfertë kundër Portugalisë. Murinjo është përgjigjur: “Po jam i informuar për këtë portier, madje me sa di unë, ai nuk ka shkëlqyer vetëm me Portugalinë, por ka bërë një paraqitje të mirë edhe kundër Suedisë, ku përfaqësuesja e tij barazoi gjithashtu 0-0. Është vërtet një portier i mirë”, ka thënë Murinjo. Megjithatë, tekniku portugez nuk është mjaftuar me kaq, pasi e ka përmendur sërish emrin e gardianit shqiptar gjatë deklaratës në konferencën për shtyp. “Famagusta ka ardhur me meritë deri këtu. Megjithatë, kjo skuadër ndryshe luan në kampionat dhe ndryshe luan në Ligën e kampioneve, – ka thënë Murinjo. – Në kampionatin e tyre, ata luajnë thuajse gjithnjë në sulm, ndërsa në Champions përqendrohen më tepër në fazën mbrojtëse. Sigurisht që ata nesër (sot) nuk do të luajnë me tre portierë, sepse ai që kanë është mjaft i mirë, por gjithsesi kam përshtypjen se do të jenë të përqendruar në mbrojtje. Nëse arrijnë të marrin një rezultat pozitiv, atëherë padyshim që do ta meritojnë plotësisht atë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›