E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strakosha sheh te Beqaj pasuesin e tij kuqezi

 

Jetmir Halilaj

Largimi nga Kombëtarja ngriti një mori pikëpyetjesh, se kush do ta zëvendësonte Foto Strakoshën në portën kuqezi. Megjithatë, Arjan Beqaj ia ka dalë më së miri të mbrojë kuadratin e Shqipërisë dhe gradualisht është shndërruar në një nga pikat më të forta të skuadrës përfaqësuese. Këtë e pohon edhe ish-kapiteni Foto Strakosha, i cili në një intervistë të dhënë për “Panorama”, pohon se Beqaj është tashmë një lojtar lider te skuadra kuqezi. Strakosha ka vlerësuar ecurinë e Shqipërisë në këto eliminatore, por nuk i kursen vërejtjet në adresë të skuadrës, pasi sipas tij, kuqezinjtë kanë pasur mundësinë të bënin diçka më mirë në ndeshjet që janë luajtur deri tani.
Si ju është dukur Shqipëria në ndeshjet e këtij edicioni?
Mirë. Jam i kënaqur me ecurinë e skuadrës Kombëtare, sepse ka bërë ndeshje të mira dhe ka një mesatare pikësh të mirë. Më pëlqen që skuadra është bërë më racionale dhe tani mendon më tepër për pikët se sa për lojën e bukur. Në futbollin modern kështu ndodh gjithnjë, ndaj edhe jam i kënaqur. Kjo frymë e re e futur në skuadër është reflektuar edhe në rezultate. Megjithatë, ka ende nevojë për përmirësim, pasi ekipi mund të kishte bërë diçka më shumë.
Në çfarë aspekti?
Unë e pashë pjesë-pjesë ndeshjen kundër Hungarisë, por golat që pësuam, treguan mungesë përqendrimi, një sindromë nga e cila ekipi ynë kombëtar vuan prej vitesh me radhë. Kjo duhet të eliminohet, pasi dihet që në futbollin e sotëm një gabim sado i vogël mund të të kushtojë gjithë ndeshjen, apo akoma më keq, gjithë edicionin. Megjithatë, më pëlqeu skuadra tej mase kundër Portugalisë, sepse tregoi se psikologjikisht është e shëndetshme dhe arriti të reagonte pas zhgënjimit në Budapest, gjë që vështirë se e bëjnë edhe ekipet e mëdha.
Beqaj u cilësua heroi i ndeshjes. Ju si mendoni?
Ishin të gjithë heronj. Të përballosh Portugalinë me 10 lojtarë, është arritje e madhe. Megjithatë, edhe unë i këtij mendimi jam, Beqaj tashmë është një lojtar kyç në Kombëtare. Është përmirësuar ndjeshëm dhe mendoj se është një portier me shumë vlera. Pastaj të mos harrojmë se ai është një lider tashmë tek Anorthosis dhe padyshim, një ndër lojtarët më të mirë të kësaj skuadre. Beqaj ka një meritë të padiskutueshme për faktin që Anorthosis është tani në Ligën e Kampioneve, por edhe që Shqipëria ka ecur mirë gjatë këtij edicioni.
A mendoni se ai e ka zëvendësuar më së miri ish-liderin Strakosha?
Si portier po. Ai është shumë i aftë dhe i talentuar. Është një garanci në repartin e prapavijës. Ndërsa përsa i përket të qenit lider në fushë, kjo është diçka që nuk e përcaktoj as unë dhe as Beqaj, por e përcakton fusha dhe njerëzit specialistë të kësaj pune. Megjithatë, pak rëndësi ka kjo, dikush ka talent më shumë, ndërsa një tjetër ka më shumë prezencë në ekip, gjëra të cilat duhet të kompensohen brenda grupit të një skuadre. Megjithatë, e theksoj se jam i kënaqur nga Kombëtarja.
Si përjetuat ndeshjen kundër Portugalisë?
Si të gjithë shqiptarët besoj, ose më saktë si të gjithë tifozët e Shqipërisë. Ankth i paparë deri në fund të ndeshjes, aq sa minutat e fundit mezi i pashë. Ishte emocionuese, por edhe torturuese për mua.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›