E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëntë vitet e “Marie Krajës”

 

Edicioni i nëntë i festivalit vokal operistik “Marie Kraja” tani është gati, dhe sikurse është bërë traditë, producentja Zana Çela do të rikthehet në skenën e Akademisë së Arteve, me 6 konkurrentë nga të gjitha vendet e botës, të cilët do të konkurrojnë për çmimin që mban emrin e artistes së madhe shqiptare, Marie Kraja. Në mbrëmjen e 25 tetorit, që do të shënojë hapjen e edicionit të nëntë të festivalit, ndër 16 konkurrentët, 7 artistë të rinj do të jenë shqiptarë, ndërsa për herë të parë do të përfaqësohet edhe shteti i ri i Kosovës, me tenorin Ramë Lahaj. Ndër emrat konkurrentë këtë vit, janë Sindi Mamaqi, aktualisht studente në vitin e dytë në Akademinë e Arteve, Sofia Shuke, e cila ka përfunduar studimet e larta dhe një specializim si soprano lirike në Itali, Roel Llupa, Anjeza Agolli e Klodiana Brahimi. Duke qenë se Shqipëria është anëtare e “Opera Europa”, këtë vit do të jetë presidenti i saj, Nickolas Payne, kryetar i jurisë së festivalit “Marie Kraja”, ndërsa anëtarë të saj do të jenë Zana Çela, pedagogët e Akademisë së Arteve, Burhan Spahiu dhe Zana Frashëri, Xhovana Lomazi, zëvendës presidente e Shoqatës Lirike dhe Koncertore italiane me qendër në Milano, drejtori i Përgjithshëm i Operës Shtetërore të Stambollit, Suat Arikan, regjisori i Operave dhe Musical në SHBA, Nensi Rhodes, këngëtarja e njohur në Sllovaki, Danusa Luknisova, si dhe zonja Wasfi Kani nga Anglia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›