E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD sulmon Topin, PS: E mirëkuptojmë

 

BLEDAR HOTI

Partia Demokratike dhe Partia Socialiste ndahen në qëndrimet e tyre, përsa i përket vendimit të pakthyeshëm të Presidentit Bamir Topi, për të rishqyrtuar Kodin e ri Zgjedhor në Parlament. Edhe pse e votuan Kodin duke bashkuar votat e tyre, socialistët dhe demokratët tashmë janë të ndarë, përsa i përket vlerësimit për vendimin e kryetarit të shtetit, Topi.
Demokratët
Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi në një deklaratë për mediat mbrëmë në darkë e ka konsideruar si të pamatur aktin e kreut të shtetit për të kthyer për rishqyrtim Kodin Zgjedhor. “Presidenti i Republikës i ktheu për rishqyrtim Kuvendit Kodin Zgjedhor me justifikimin, se ka mospërputhje mes Kushtetutës dhe Kodit për datën e zgjedhjeve. Ky është një veprim i pamatur”, theksoi Bumçi. Duke iu referuar argumenteve të kreut të shtetit për përplasje mes dy neneve të Kodit dhe vetë Kodit me Kushtetutën, Bumçi sqaroi se “leximi në këtë formë i kodit zgjedhor është, në rastin më të mirë jo i saktë dhe, në rastin më të keq dashakeqësisht i gabuar, pasi afati nëntëmujor nuk lidhet me dekretimin e datës së zgjedhjeve, por me mbarimin e mandatit të Kuvendit. Nëse do të ekzistonte vullneti i mirë për të kaluar Kodin zgjedhor, afati i dekretimit të zgjedhjeve nëntë muaj para afatit të mbarimit të mandatit të Kuvendit (shtator) do të ishte përmbushur. Edhe në rastin e tejkalimit të këtij afati nuk do të kishte asnjë shkelje, pasi kapërcimi për rastin në fjalë nuk do të sillte pasoja juridike”. Sipas tij, kanë qenë të shumta rastet kur kreu i shtetit nuk ka zbatuar afatet për të çuar në Kuvend emrat për në gjykata dhe disa institucione të pavarura. “Në të njëjtën kohë, vëmë në dukje se Presidenti i Republikës nuk ka respektuar afatet kushtetuese në rastet e propozimit të kandidaturave për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë, dhe kryetar të Gjykatës së Lartë, ku të gjitha kandidaturat janë propozuar me vonesa shumë të gjata kohore në mënyrë të pajustifikuar. E njëjta gjendje është përsëritur edhe ne rastin e kandidaturave për kryetarin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive”, përfundoi Bumçi.
Socialistët
Partia Socialiste është treguar më e ekuilibruar në qëndrimin e saj, edhe pse hakmarrja e Presidentit ndaj PD-së i ka prekur në mënyrë indirekte ata. “Pasi u njoh me dekretin e Presidentit të Republikës, për kthimin në Kuvend për rishqyrtim të projektligjit për Kodin Zgjedhor, Partia Socialiste çmon vlerësimet e bëra nga Presidenti në letrën sqaruese të dekretit, për punën e bërë për Kodin e ri Zgjedhor dhe për standardet e mishëruara në të, për sa i përket administrimit të zgjedhjeve në vend”, thuhet në deklaratën për median. Gjithashtu, theksohet se “Partia Socialiste e mirëkupton kërkesën e Presidentit të Republikës për saktësimin e nuancës juridike, që lidhet me afatin ligjor për nxjerrjen e dekretit për datën e zgjedhjeve, pavarësisht faktit se në këndvështrimin tonë ky afat është një parim i përgjithshëm që vendoset në Kodin Zgjedhor dhe Presidenti nuk ka aktualisht asnjë pengesë për dekretimin e zgjedhjeve sipas Kushtetutës”. Socialistët i kërkojnë në të njëjtën kohë demokratëve, si maxhorancë qeverisëse, që ta shqyrtojnë sa më shpejt dekretin e kreut të shtetit. “Gjithsesi, Partia Socialiste shprehet e gatshme që ka humbur të votojë në Kuvend për saktësimin e nuancës juridike, që lidhet me nenet 8 dhe 9”, përfundon deklarata e PS-së. Ndërsa pritet që Topalli, pas kthimit nga Britania e Madhe, të mbledhë konferencën e kryetarëve për të përcaktuar axhendën e shqyrtimit të dekretit të Presidentit Topi. Komisioni Parlamentar i Ligjeve pritet të japë një mendim, nëse është pro apo kundër argumentimit të dhënë nga ana e kreut të shtetit, për kthimin e ligjit të “Kodit Zgjedhor”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›