E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhufi: Qeveria shpërdoron buxhetin për fushatë elektorale në kohën e krizës ekonomike

Kryeministri Berisha të paraqesë në Kuvend masat e nevojshme
Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI, Pëllumb Xhufi deklaroi me shqetësim se qeveria Berisha, në kundërshtim të plotë me rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës së Shqipërisë, po rrit në mënyrë shqetësuese shpenzimet jo produktive për qëllime elektorale, në një kohë që i është kërkuar që çdo të ardhur suplementare ta përdorë në konsolidim të buxhetit të shtetit. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, tha Xhufi, i cili ka paralajmëruar që edhe të ardhurat që vijnë nga privatizimet strategjike të mos përdoren për qëllime jo produktive, por as edhe për investime në infrastrukturë, por të përdoren në mënyrë ekskluzive vetëm për konsolidimin e buxhetit. Në kundërshtim me FMN, Xhufi tha se qeveria Berisha ka vazhduar me shpenzime të tilla, duke shpërblyer e dëmshpërblyer kategori të ndryshme të popullsisë, duke rritur edhe pagat. I tillë qe dhe lajmi, i cili është një lajm pozitiv që ne do ta duartrokisnim vërtet në kushte të tjera, por sot çdo shqiptar pyet, edhe ne si forcë politike pyesim, se sa e bazuar është në buxhet një rritje e tillë e pagave, dhe a do të ndiqet kjo rritje e premtuar pagash dhe pensionesh me rritje çmimesh dhe me rritje tarifash shërbimesh, siç ka ndodhur, për fat të keq, në këto katër vjet të qeverisjes Berisha, u shpreh Xhufi. Nëpërmjet Xhufit, Lëvizja Socialiste për Integrim ka shprehur me notat më kritike dhe më alarmante shqetësimin e saj lidhur me mungesën e transparencës së Qeverisë Berisha për krizën ekonomike financiare botërore dhe efektet e saj në vendin tonë, që për fat të keq, janë evidente. Xhufi i kujtoi qeverisë se LSI qysh para një muaji ka dorëzuar një kërkesë për interpelancë urgjente me Kryeministrin Berisha. Sipas tij, në mënyrë që ky si Kryetar i Qeverisë, të informojë parlamentin dhe opinionin publik mbi gjendjen ekonomike, në kushtet e krizës globale, si dhe mbi masat eventuale që Qeveria e tij ka menduar të marrë për përballimin e kësaj krize. Janë kaluar tashmë të gjitha afatet procedurale. Interpelanca duhet të ishte realizuar që para katër javësh dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Kjo është një provë tjetër e këmbënguljes së zotit Berisha për të fshehur realitetin e gjendjes ekonomike në Shqipëri, tha Xhufi. Sipas Xhufit, LSI vëren me shqetësim të madh që Qeveria shqiptare po ecën në drejtim të kundërt me drejtimin që po ecin të gjithë qeveritë e vendeve të qytetëruara në kushtet e krizës globale. Njerëzit duhet të informohen, njerëzit janë të interesuar të rriten pagat dhe pensionet në muajin maj, por duan të dinë dhe se çdo të ndodhë dhe në muajin Qershor, Korrik dhe në muajt që vijnë prapa, u shpreh Xhufi. Ai deklaroi se rreziqet sot, në kushtet e krizës ekonomike globale, janë të shumëfishta. Xhufi bëri të ditur se nuk është vetëm inflacioni, por është dhe deflacioni, është dhe reduktimi i parasë në treg apo ulja e blerjeve, të cilat pasohen nga mbyllja e bizneseve, nga papunësia dhe nga rritja e varfërisë. Në emër të LSI, Xhufi i ka kërkuar qeverisë Berisha që të bashkohet me konceptin e vendeve të qytetëruara si dhe politikave të koordinuara që janë përcaktuar edhe në samitin e fundit të G20 në Londër, dhe të mos vazhdojë të ecë më kundër rrymës. Ne insistojmë të deklarojmë se njohja e situatës, informimi i publikut dhe i grupeve të interesit, si dhe masat, janë detyrat kryesore që duhet të kryejë kjo qeveri në këto kushte, u shpreh Xhufi, duke deklaruar se edhe Qeveria e shtetit më të ri në botë, Qeveria e republikës së Kosovës, ka hartuar një plan për përballimin e krizës dhe ka hequr mënjanë një fond jo të vogël, prej 300 milion eurosh për përballimin e kësaj krize. Ai tha se qeveria shqiptare deri më sot nuk ka bërë një gjë të tillë. Më tej, Xhufi për të disatën herë në emër të LSI,i ka kërkuar kryeministrit Berisha të paraqitet në Parlament për të informuar deputetët dhe opinionin publik me situatën e krizës dhe efektet që kriza globale ka në vendin tonë, si dhe për masat apo për planin që qeveria eventualisht ka ndërmend të hartojë për përballimin e kësaj krize.

Last Updated on Tuesday, 14 April 2009 23:11

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›