Berat, Braçe : Qeveria po pengon mbarëvajtjen e procesit të kartave
Deputeti i qarkut të Beratit Erion Braçe ka reaguar ditën e djeshme në lidhje me deklaratat e bëra nga zv/kryeministri Genc Pollo pak ditë më parë gjatë një turi në disa zona rurale të këtij qarku, se procesi pajisjes me karta identiteti po pengohet qëllimisht nga drejtuesit vendor socialistë. Braçe i shoqëruar nga deputeti tjetër Marko Bello dhe kryetari i bashkisë Berat Fadil Nasufi kanë dalë në ambientet e PS në Berat në një konferencë për shtyp, duke i cilësuar deklaratat e numrit dy të qeverisë si të pavërteta.
Braçe është shprehur se procesi i pajisjes së qytetarëve me karta pengohet qëllimisht nga qeveritarët e sotëm, pasi nëpërmjet vonesave do tu heqin të drejtën e votës shumë qytetarëve të këtij qarku, ku dihet se prej 18 vitesh voton të majtën. Pikërisht duke ditur këtë fakt qeveria e drejtuar tashmë nga të djathtët nuk e sheh me interes mbarëvajtjen e këtij procesi çka duket dhe në mos marrjen e masave për shtimin e operatorëve apo mos nisjen fare të procesit në dy komuna në rrethin e Beratit dhe në disa fshatra në rrethin e Skraparit, tha Braçe. Ai deklaroi se një shkak tjetër, është dhe mos siguria për marrjen e kompensimit të atyre që kanë aplikuar dhe pse u premtua për kategori të ndryshme aplikimi falas ose kompensimi i tyre. Që sipas tij, ka sjellë mos sigurinë e atyre që janë në proces se nuk do të kompensohen. Pikërisht për këtë, ne socialistët bëjmë thirje qytetarëve të aplikojnë se menjëherë pas fitimit të zgjedhjeve në 29 Qershor do të kompensojmë ne të gjitha shtresat, u shpreh deputeti Braçe. Pas këtij reagimi Brace ka vijuar me problemin e privatizimit të godinës së ish- maternitetit, duke ritheksuar dhe njëherë se gjithçka kryhet për afera korruptive dhe në adresë të një personi, i cili aderon në PR dhe se do të kandidojë nën çadrën e kësaj partie për deputet në këtë qark. Ai tha se objekti është pronë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe ministria Godo po kërkon ta privatizoj në kundërshtim me ligjet dhe kërkesat e komunitetit, i cili e ka kërkuar atë objekt për hapjen e një universiteti publik, premtim ky dhe i kryeministrit .