E Diel, 1 Nëntor 2026

Imami: Kushtetuta nuk duhej të prekej për Dushkun

 

BLEDAR HOTI

Bashkëkryetari i hartimit të Kushtetutës, Arben Imami e cilëson jo pozitive ndërhyrjen e realizuar më 21 prill të këtij viti në ligjin themeltar të shtetit shqiptar, për ndryshimin e sistemit zgjedhor në Shqipëri. Drejtori i kabinetit të Kryeministrit Berisha, në takimin e organizuar nga Universiteti "Marin Barleti" për 10- vjetorin e Kushtetutës, është shprehur kundër ndërhyrjeve të shpeshta në ligjin themeltar të shtetit shqiptar. Juristët, konstitucionalistët dhe politikanët e ftuar që kanë marrë pjesë në këtë proces dhjetë vjet më parë, në përgjithësi i kanë cilësuar si të dëmshme ndërhyrjet e shpeshta e realizuara në Kushtetutë nga parlamentarët shqiptarë. Qëndrimi më surprizë ka qenë ai i këshilltarit të Kryeministrit, Imami, duke u shprehur se skema e Dushkut mund të shmangej pa u prekur Kushtetuta. "Mund të realizohej pa ndryshuar sistemin elektoral në Kushtetutë, duke realizuar vetëm një ligj zgjedhor. Por realizimi në Kushtetutë e bën vështirësisht të ndryshueshme", theksoi Imami. Shtatë muaj më parë PS dhe PD ranë dakord për ndryshimin e Kushtetutës, për herë të dytë, duke ndërhyrë në sistemin e zgjedhor. Imami gjatë referatit të tij ka shprehur mjaft rezerva në lidhje me punën e Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, Kushtetuesja është kthyer në një Gjykatë fakti. Ndërsa drejtori i Qendrës së Studimeve Rajonale pranë Institutit Barleti, Mento Nazarko u shpreh se ndryshimi i Kushtetutës ka ardhur si pasojë e konjekturave të momentit. "Duke konsideruar presionin partiak për ta prekur kushtetutën në funksion të koniunkturës së procesit politik, ndryshimet e fundit që ajo ka njohur në të cilat nuk është konsideruar mendimi profesional, ky forum synonte të përçonte në debatin publik ide ekspertësh, si dhe të bënte njëlloj bilanci rreth ecurisë së kushtetutës dhe qëndrueshmërisë së saj gjatë proceseve politike të tranzicionit", theksoi Nazarko. Anëtari i Gjykatës së Lartë, Perikli Zaharia, u shpreh pro idesë së reduktimit të imunitetit për deputetët dhe gjyqtarët. Opinionisti Andrea Stefani trajtoi reformën   kushtetuese të 2008, si reformë që kushtëzon lirinë, duke u shprehur në mënyrë kritike për to. Për diskutantët, Kushtetuta e 1998 është dhe mbetet shumë e mirë, për shkak të kontributeve të shquara profesionale, procedurës së ndjekur, por problemi më i madh lidhet me zbatimin e saj. Sipas konstitucionalistëve, "nuk është kushtetuta që ka formësuar politikën, por politika e ka riformësuar Kushtetutën nëpërmjet shmangieve dhe modifikimeve të normave të saj". Pikërisht 10 vjet më parë, më 28 nëntor 1998 hyri në fuqi e para Kushtetutë demokratike e Shqipërisë. Ajo mbylli përpjekjet e nisura që nga fillimi i tranzicionit dhe gjithë procesin e reformimit kushtetues në Evropën Lindore në kuptimin se ishte kushtetuta e fundit e miratuar, sipas standardeve demokratike.

Traja kundër ndryshimeve kushtetuese
Ish-anëtari i Gjykatës së Evropiane të Strasburgut, Kristaq Traja, ka qenë tepër kritik në lidhje me ndryshimet e shpeshta të bëra nga Kuvendi në Kushtetutën e Shqipërisë. "Me keqardhje duhet ta them se asnjë prej këtyre ndërhyrje janë kryer për shkak të interesave madhore. Ndërhyrja në Kushtetutë e ligjvënësve parlamentare është rritur së tepërmi, ku në shkelje të Kushtetutës, ku në devijim të boshtit të saj, ku në heshtje të urdhërimeve të Kushtetutës i kryen ato. Ndryshimet e fundit kushtetuese nuk ishin të diktuara nga nevoja zhvillimi dhe se aktiviteti institucional është i përqendruar në një mënyrë paksa të ekzagjeruar në të ashtuquajturin hartim ligjesh", deklaroi Traja. Sipas tij, problem mbetet dhe pavarësia e gjyqësorit ku politika shqiptare ka ndërhyrë në KLD, Gjykata e Larta dhe në Kushtetuese.

“PS do kryeministër të fortë”
Ish-kryeministri, deputeti i PS-së, Pandeli Majko, e ka cilësuar si të domosdoshme ndryshimet kushtetuese, duke vlerësuar së tepërmi shtimin e fuqisë së kryeministrit të vendit. Sipas tij, kjo është edhe arsyeja se pse është ndërhyrë në Kushtetutë. "Kushtetuta që kemi sot, nuk është e sistemit të pastër parlamentar, ka një thelb të rëndësishëm të sistemit kancelar. Besoj se për këtë bien dakord edhe ekspertët e pranishëm në të takim. Kemi një qeveri që miraton akte normative. Ne si Parti Socialiste pranuam që kryeministri të ishte një figurë e fortë, për të mos krijuar artificializmave të natyrave që ne i quajmë zgjidhje shqiptare", deklaroi Majko. Sipas tij, Kushtetuta është një dokument i hapur dhe jo i mbyllur, e mund të diskutohet pas 10 vitesh, se çfarë duhet përmirësuar akoma më tej.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›