E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhuljeta Tengu, një autore interesante

Ajo quhet Xhulieta Tengu. Ka lindur dhe banuar në qytetin e Kavajës. Tengu nis të thurë vargje që në bankat e shkollës tetëvjeçare. Ndërsa poezia u bë më serioze me problematikën e saj në adoleshencë. Botimet e para ishin në gazetën “Drita” dhe “Zëri i Rinisë”

Ishin vitet 1982-1985 kur i përgjigjeshe moshës së stinës rinore. Në këto vite shkruhet edhe romani juaj i parë “Monda”, i cili është i mbyllur në sirtar dhe është ende i pabotuar. Pse?

Xh. Tengu: Romani “Monda” është një ndjesi e çuditshme. E shkrova veprën dhe e futa atë brenda vetes. Kështu krijohet një “Mos”, ky mos është një burg i vogël brenda nesh. Nuk është fjala për një burgosje të kohës, të stinëve, por një burgosje të asaj që krijon, të asaj që mediton, të asaj që shkruan.

“Monda” ka në qendër fatin e një vajze të deklasuar, e cila pëson një fatkeqësi në jetë dhe e pandihmuar nga sistemi thyhet në mes një jete femërore. Ky roman trajton luftën e klasave. Pastaj vjen Drama me një akt, është drama e një familjeje të thjeshtë kavajase, e cila për shkak të mentalitetit rural të atyre viteve, ndryshon rrjedhën e vajzës që pëson dramën.

Xhulieta Tengu, hermetike në dy librat e parë me poezi. Ndërsa lulëzon me prozën moderne, novela “Përtej hijes” botuar në vitin 1999. Dyzimi i personazheve, karaktereve, retrospektiva, kthimi prapa, një lojë mendimesh, ngjyrat, simbolesh...

Xh. Tengu: Pikërisht lulëzimi i një letërsie të tillë pas viteve ‘90 ishte dalëngadalë largimi nga tradicionalja, për t’u afruar modernes plotësisht.

është e vështirë të zbulosh përbërjen, akoma më e vështirë të kuptosh se si funksionojnë komponentë të kompleksitetit të mendimit mister. Reflekse të papërcaktueshmërisë së arsyes, mosarsyeja, kuptimisht lëviz në mënyrë të natyrshme, si veçori psikologjike drejt modernes. Sipas mendimit tim, ajo që e ngacmon mendjen, e sfidon njeriun në nivel më të lartë, është njohja, është mënyra panteiste e të menduarit, d.m.th. të ndryshosh në një drejtim tjetër, nga mënyra e mëparshme e të menduarit në një mendim më të lartë, më të ri.

Si një risi, në kërkim të një gjuhe të re, të modernes, vjen edhe libri: “Nga unë tek unë” botuar në vitin 2001...

Xh. Tengu: “Nga unë tek unë”, që do të thotë linja nga ëndrra në realitet dhe nga realitet në ëndërr. Një vetvete në zhvillim, mistikuar në një gjuhë të panjohur. Një poezi mistike. Këtu janë raportet që ka autori me forcat e pavetëdijes. është të menduarit intuitiv. Në këtë imazh favorizues, detajet artistike nuk janë më objekte reale, por objekte të tjetërsuara në qenie të shpirtëzuara. Detajet artistike: deti, rruga, dhoma, shtëpia, varen nga sjellja që mban autori ndaj këtij apo atij elementi, që do të thotë se disa anë të pavetëdijes sonë të panjohur po vetëshfaqen, ngrenë krye të dalin në sipërfaqe, për t’u bërë të njohura e të lira.

“Vështrimshpikur” botuar në vitin 2009 si simbol rreth simbolit, ndoshta më tej… ku ta dish! Forma e paraqitur, kodi shprehës, interpretim krejt i veçantë, e pangjarë me askënd, me një filozofi prezente në tërë psikikën tuaj ende të pashprehur plotësisht, ndoshta me këtë lloj arti tërheq vëmendje, në sinore të tjera modelesh, ide…

Xh. Tengu: Unë jam e ndërgjegjshme dhe them se e mora në konsideratë botimin e këtij libri, jo ashtu siç ndodh zakonisht, pasi shkruajmë poezi i botojmë ato. Por unë e ndieja që në “Vështrimshpikur” ndalesha në pika të tjera pa përsëritur veten nga libri në libër.

“Vështrimshpikur” është një lloj zgjerimi i kodit të ligjërimit. Shpik një vështrim, pasi nuk mund të shpiket një botë. Kjo botë që na rrethon është e pabukur.

Vështrimshpikur janë idetë që shndërrohen në ndjenja. Idetë nuk janë më ide, ato pushojnë së ekzistuari dhe transformohen në ndjenja.

“Vështrimshpikur” është poezi e qenies. Pra është fjala për të qenë i lirë ndaj objektivitetit, ndaj atij lloj objektiviteti që çon në krijimin e subjektivitetit. Unë lëviz me kodin e gjuhës brenda tipologjisë sime. Kam krijuar profilin tim poetik.

PROZA POETIKE

Moderne, postmoderne, duke i qëndruar besnike rrymës tënde keni lëvruar edhe prozën poetike. ç’është?

Xh. Tengu: Futja e idesë kuantike, atomizmi gjenetik, që vjen në mënyrë të natyrshme. Tingulli dhe shtingulli që ndriçojnë polistrukturën e ligjërimit dhe japin një lloj aftësie që zgjon pangjashmëritë dhe ngjashmëritë duke shumëfishuar deri në pafundësi imazhin e gjithë asaj që zhvillohet. Linjat e lëmuara të një teksti pa shenja pikësimi në kodin pa presje, ravijëzon leximin reflektiv në lloje:
a- Prania e ndonjë hapësire me të cilën fillon leximi
b- Prania e kuptimeve që shërbejnë për të veçuar një kod nga një kod tjetër
c- Evidentimi reflektues i mendimit fshehtësisht poetik, ku çdo fjalë është një udhëkryq i hapur dhe merr me vete të tjera fjalë që përshkohen nga forma që lindin fjalë të tjera

POEZIA GJEOMETRIKE

Disa poezi me materie delikate të kujtojnë ushtrimet matematike, jo me një e dy, por me shumë të panjohura të artit, kuptimeve e teknikave të tij të pafund, gjë që e dallon edhe nga poezia tjetër, por që gjithsesi transporton plot ide poetike, të universit poetik.

Xh. Tengu: Poezia gjeometrike me bazë këtë shkencë, është organizimi i fjalës në harmoni me paraqitjen grafike, aq sa paraqitja grafike flet edhe poezia. Ndërthurja e vizuales me poetikën çojnë në rigjetjen e imazheve gjeometrike universale.

Mos vallë Xhulieta Tengu përbën një interes të përveçëm, në këtë kuptim një prirje fenomeni për t’u marrë në konsideratë nga kritika e specializuar më shumë në këto kushte, situate, gjendjembytëse (që mbyt çdo institucion ose ndërgjegjeje individi), ku secili kërkon pushtet, karrierë, nuk mendon më për gati “mite” të gjalla, ku poezia shkrihet brenda botës unike ose duket unike, sepse ajo zien përbrenda nga kundërshtitë për këndparjen e autores. Si mendoni?

Xh. Tengu: Nuk është plotësisht kështu, pasi unë tashmë nga shumë shkrimtare të vendit tonë, njihem. Poezia del me mënyrën e saj të veçantë, origjinale, të pangjarë me askënd, vazhdimi i një poezie hermetike të viteve ‘80. Por ky evoluim artistik bie ndesh me evoluimin e tipit njerëzor. është natyra ime të mos imponoj prirjen e ecjes kundër rrymës. Në tipin tim njerëzor, mungesa e një nevoje patologjike për madhështi, në disa modele kritike mosperceptimet dhe mungesa e vizionit sjell përplasje, duke mos qenë në një sindromë krijuese. Këto sindroma unifikohen në grupe, ku çdo sjellje diktohet sipas një trajektore të pakundërshtuar. Për mua është e rëndësishme t’i jap ndjenjës vlerën e saj të kohës moderne, pa u përshtatur mjeshtërve manipulimit të mendjeve (mediokër) dhe ta publikoj.

është një art filozofik i vështirë, i lodhshëm, stresant, kërkon punë, njohuri, dituri, por kur arrihet, gjithçka e mbyt, pasi art pa lodhje nuk ka. Në këtë pikë ka qenë mbështetja ime vetjake nga njohja dhe kontakti me disa nga shkrimtarët e vendit tonë.

çështë Kavaja për ty?

Xh. Tengu: Kavaja është një qytet i thjeshtë, i qetë, me qytetarë të cilët meritojnë respekt, çdo gjë që përmban kuptimin e jetës për mua. Këtu janë ëndrrat, kuriozitetet dhe në fund realiteti, vendi ku zë fill heshta ime prezente. Kavaja e lënë në harresë, me synime e qëndrime në heshtje të qëllimshme. Detyrimi im ndaj Kavajës është kontributi me këtë lloj arti të vështirë e të lodhshëm, të jap më të mirën e vetes, të mundshmen që më ka përcaktuar fati, jeta.

A mendoni se lexuesit e tu janë të paktë në numër. Kjo lloj letërsie kërkon një lexues të kualifikuar dhe elitar. Sot në këto kushte është e vështirë për t’u pozicionuar, akomoduar në këtë lloj arti. Si janë raportet tuaja me lexuesin.

Xh. Tengu: Në këtë moment po tregohem paksa e rreptë, nuk është shumë i rëndësishëm për mua lexuesi. Me thënë të drejtën, kur unë shkruaj nuk e marr parasysh lexuesin tim. Kjo do të thotë që nuk është autori ai që do të bjerë në nivelin e lexuesit, por është lexuesi ai që duhet të ngrihet në nivelin e autorit. Diku do të dalë një lexues i parë, për këtë jam e bindur. Por lexuesi i fundit duhet të jem unë. Përtej meje nuk ka më lexues. Nëse kësaj ia kam arritur, atëherë duhet një punë më përtej që të sfidojë lexuesin e fundit. Pasi në fillimet e para është poeti ai që kërkon filozofin dhe në fund është filozofi ai që kërkon poetin. Nëse Xhojsi ka thënë që do të kuptohem në vitin 2000, mbase unë do të kuptohem pak më vonë.

Intervistoi Ilir Balil

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›