Fellini
Në vitet ‘70 shkrimtarja Germaine Greer pati një dashuri të shkurtër, por vërtet intensive me Federico Fellini-n. Ky pasion shumë i shpejtë u konsumua mes Toskanës dhe Romës, ku regjisori udhëhiqte trupën e tij të xhirimit, duke ulëritur me altoparlant “sikur të ishte vetë Zoti”. është Greer ajo që i tregon këto detaje në një artikull të publikuar nga e përditshmja britanike “Guardian” nën titullin: “Donte të më jepte një rol te filmi ‘Casanova’ dhe përfunduam në shtrat”. Më pas shpjegon se si me një avion të linjës Londër-Sidnei, u gjend përpara disa imazheve të filmit “Nine”, i frymëzuar nga libri autobiografik “Tetë e gjysmë”, ku aktori Daniel-Day Lewis interpreton rolin e regjisorit të madh. Kjo grua e ashpër dhe me shpirt kundërshtues, e vlerësuar për suksesin e “Eunuku femëror”, libri që në vitet ‘70 u bë një bibël për feminizmin, vendosi t’i “ofrojë” botës Fellini-n e saj, ashtu si ajo e pati njohur dhe dashuruar. Takimi i parë mes të dyve ndodhi në vitin 1975, në ditën më të nxehtë të vitit. “Isha e djersitur, sapo kisha ardhur. Ndërsa flisja me ekipin e punës, Fellini më shihte me vëmendje nga koka te këmbët sikur po më studionte”, tregon për “Guardian”, Germaine që atëherë ishte 36 vjeçe. Drejtuesja e kastit të aktorëve të filmit “Casanova”, Paola Roli, e kishte ftuar në Romë për të bërë një provim për një rol. Germaine, krejtësisht e painteresuar për karrierën kinematografike, por e çmendur për “Amarcord” dhe “Dolce vita”, nuk hezitoi për asnjë moment.
Pjesa që duhet të interpretonte, e që më vonë i takoi Sandy Allen, nuk u mor fare në konsideratë, por një ditë më vonë “mjeshtri” e parkoi “Mercedesin” e tij blu përpara apartamentit të saj në Cortona. Kështu, bukuroshja Germaine që kishte ardhur në Romë për të interpretuar në filmin “Casanova”, iu paraqit Federico-s e veshur me një fustan shumë të hapur dhe të ngjitur pas trupit, sipas asaj që ajo vetë tregon. Federico shkoi për ta takuar në shtëpinë e saj menjëherë. Kur mbërriti i kërkoi shoferit që të vinte ta merrte mëngjesin tjetër. Kërkoi për të ngrënë oriz të bardhë, nuk pinte pije alkoolike dhe u fut në shtratin e saj i veshur me pizhame mëndafshi dhe merrte shumë herë në telefon për përshëndetje të shpejta gruan e tij Guilietta. “Folëm gjithë pasditen për filmin dhe unë nuk e di përse ndihesha e lumtur, pavarësisht se Federico vazhdonte të më shihte dhe nuk më dëgjonte fare se çfarë thosha”, tregon Greer. “Ishte i lumtur që do e ndante shtratin me mua dhe këtë e kuptova që kur i tha shoferit që të vinte ta merrte, por u habit kur zbuloi se flija me dritare hapur. Veshi pizhamet e mëndafshta që kishte marrë me vete, palosi rrobat që hoqi dhe u shtri. Gatova oriz me borzilok dhe çdo dy orë merrte në telefon gruan që e priste të kthehej në shtëpi”. Regjisorit italian iu duk e tmerrshme që Germaine flinte me dritare hapur dhe kur në dhomë hyri një karkalec e zuri aq keq paniku saqë zemra filloi t’i rrihte si e çmendur. “Ishte i terrorizuar. Kjo ngjarje ka lidhje me fëmijërinë kur i kishte ngecur një karkalec mes flokëve. I vendosa dorën te pulsi dhe e qetësova, pastaj qeshëm të dy duke menduar se çfarë do u thoshim gazetave të nesërmen nëse do ta kishte vrarë”, tregon ajo. Lumturia në mëngjes ishte e hidhur: “Duke u larguar më tha se sa herë të ndizja dritën të mendoja për të”.
“Lidhja jonë nuk vazhdoi gjatë, sepse unë nuk isha gjithmonë e gatshme për t’iu përgjigjur kërkesave të tij”, tregon shkrimtarja. Por në takimet e pakta që patën, Fellini gjeti kohën t’i tregonte disa pjesë nga “Casanova”, skenarin dhe skicat për çdo skenë: “Fliste vazhdimisht për punën dhe planet e ardhshme. Kur një film mbaronte nuk i interesonte më”. Në fund ajo tregon edhe detaje të tjera. “Regjisori ishte një gjeni në shtrat, por ai ishte i talentuar në shumë aspekte. Nuk besoj se do të takoj ndonjë tjetër si ai në jetë”. Germaine është një tjetër “zë” që i shtohet listës së gjatë të të dashurave, të deklaruara apo të fshehura, mes të cilave Sandra Milo, që pati deklaruar shumë herë: “Historia jonë zgjati 17 vjet, Guiletta Masina e mori vesh shumë vite më vonë”. Sipas Milo-s, regjisori donte të martohej me të. Një tjetër e dashur e tij ishte Anna Giovannini, farmaciste romane, për shumë kohë ka qenë dashuria sekrete e Fellini-t dhe kishte mbetur i magjepsur nga bukuria e saj fizike. Pastaj lista vijon me emrin Ania Ekberg: lidhja e tyre ishte shumë e diskutuar, por asnjëherë nuk u konfirmuan thashethemet që qarkullonin. Pastaj vjen Donatella Damiani. Edhe ajo, sipas zërave që qarkullonin, mendohej se kishte një lidhje intime me regjisorin e talentuar. Në fund nuk mund të mos përmendim Adriana Loran që doli hapur vetëm dy vjet pasi Fellini ishte ndarë nga jeta, duke treguar historinë e saj të dashurisë me të. E fundit në listë është Greer, që edhe pse dhjetë vjet më parë kishte folur për netët në shtëpinë e saj me të dashurin Federico Fellini, askush nuk e kishte dëgjuar. Duket një hakmarrje kolektive shumë femërore dhe pak feministe për një njeri shumë të dhënë pas profesionit për t’u marrë me kaq shumë femra në jetën e tij.
#