E Diel, 1 Nëntor 2026

Femrat, si po i ndryshojnë realitetet e vendeve në zhvillim

Disidentet femra janë duke i rishkruar ligjet dhe rregullat edhe në vendet ku e kanë të vështirë që të shfaqin qoftë edhe vetëm fytyrën

Një grua irakiane që kërkon të zërë një post të rëndësishëm e di mirë se ka marrë përsipër një mision të rrezikshëm. Kushtetuta e Irakut, si ajo e shumë vendeve që kanë pasur konflikte të gjata, kërkon që një e katërta e deputetëve të Parlamentit të jetë gra. E megjithatë, edhe pse ka pasur një rritje të numrit të grave që po guxojnë të merren me politikë, rastet kur ato janë denigruar edhe vrarë janë shtuar gjithashtu proporcionalisht. Në shkurt një kandidate femër për anëtare Parlamenti u gjet e vrarë në Mosul. Sfida më e madhe për gratë e Irakut është ajo kundër ekstremizmit islamik. Një nga femrat që ka themeluar një rrjet grash në Irak, së fundi akuzoi ministrin e Arsimit të vendit të saj për tentativën e ndarjes së shkollave fillore në shkolla vetëm për djem dhe vetëm për vajza. Sipas saj, këto ide janë importuar nga Irani fqinj. Një tjetër aktiviste ka bërë bashkë 20 gra të zonjat për t’u lançuar në politikë në parti të ndryshme. Me të shkuar në Parlament, ato do të punojnë së bashku si një bllok më vete dhe beteja e tyre kryesore do të jetë ajo e fitimit të të drejtave të grave në Irak.

Ndërkohë një numër gjithnjë e më i madh grash është duke u vendosur në krye të disidentëve politikë të vendeve të tilla si Iraku apo edhe vende të tjera, ku zëri i grave vazhdon që të jetë i shtypur. Gratë janë në ballë të Lëvizjes së Gjelbër në Iran dhe ndodhen në krye të lëvizjeve reformiste edhe në Afganistan, Somali, Liberi, Ruanda dhe Angola. Prania e tyre është veçanërisht e dukshme në zonat e konflikteve, në të cilat organizojnë marshime në rrugë, debate dhe lançime peticionesh për të siguruar të drejtat që u takojnë. Njëra prej tyre është edhe nobelistja iraniane, Shirin Ebadi, e cila ka organizuar një fushatë për mbledhjen e 1 milion firmave në mbështetje të ndryshimit të ligjeve diskriminuese për gratë në Iran. Në njëfarë mënyre shtimi i disidentëve flet për një tendencë, për një pjesëmarrje më të madhe të femrave në politikë dhe kjo në të gjithë globin. Në botë përqindja e grave që kanë mandat përfaqësimi në parlamentet e vendeve të tyre ka ndryshuar nga 11.3% në vitin 1995, në 18.8% në vitin 2009, kryesisht pas ndryshimit të kuotave të pjesëmarrjes në vende të tilla si Iraku. Në të njëjtën kohë niveli arsimor i femrave është shtuar në mënyrë të ndjeshme në të gjitha vendet në zhvillim. Në Kinë 20% e sipërmarrësve janë femra dhe në Rusi 73% e bizneseve kanë një grua në menaxhimin e tyre. Dhe ndërsa gratë e zonave në konflikt apo vendeve konservatore mund të përbëjnë me të vërtetë një rrezik të madh për përfshirjen e grave në jetën aktive politike, interneti u ka dhënë të gjitha mundësinë e artë që të shprehen duke rrezikuar minimalisht. Në njëfarë mënyre gjithë kjo lëvizje e madhe e grave vjen nga fakti se ato tashmë janë lodhur duke pritur që institucionet të vendosin drejtësi për to. Vitin e kaluar, Kombet e Bashkuara publikuan një punim në lidhje me përparimin që është bërë që nga konferenca e madhe e grave në Pekin në vitin 1995. Në këtë konferencë u vendos një axhendë zyrtare, që u siguronte grave minimumin e kujdesit shëndetësor, sigurinë dhe shkollimin minimal, por është një axhendë që ende nuk është përmbushur. Vdekjet e vazhdueshme dhe të shpeshta të grave për arsye nga më të ndryshmet, duke filluar nga kushtet e këqija shëndetësore, te dhunimet dhe abuzimet seksuale apo ndalimi i ushtrimit të të drejtave kryesore të tyre e ka bërë ekzistencën e gruas shumë më të rrezikshme se atë të një ushtari në luftë. Gratë përfaqësohen pak, ose aspak në forumet ku vendoset për fatin e tyre, e meqë këto forume nuk kanë bërë asgjë për to, gratë në shumë vende kanë vendosur që ta marrin vetë në dorë fatin e tyre. Gratë e vendeve në zhvillim janë pa dyshim shumë më të përgatitura për të luftuar se gratë e këtyre vendeve, por të një brezi më parë. Në shumë ekonomi të këtyre vendeve numri i vajzave të shkolluara është i njëjtë me atë të meshkujve jo si në shkollën fillore, ashtu edhe në shkollën e mesme e madje edhe në universitet. Veçanërisht kjo tendencë vihet re në vende të tilla si Irani, India, Egjipti dhe Kina. Në disa vende këto rezultate janë pasojë e trashëgimisë komuniste, apo socialiste të së shkuarës, që nxiti shumë barazinë mes meshkujve e femrave dhe kryesisht edhe në fushën e arsimit. Në vende të tjera është rezultat i përpjekjeve personale të vetë grave për t’u shkolluar dhe dalë nga koraca e shtëpiakeve të nënshtruara dhe për t’i vënë dijet e tyre në shërbim të një vendi me shumë nevoja dhe kërkesa për kuadro të kualifikuar. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përqindja e grave që janë me shkollë të lartë është më e madhe se ajo e burrave. Në Brazil dhe në Rusi gratë përfaqësojnë 60% të të diplomuarve. Në Indi dhe Kinë kjo shifër shkon në 47% dhe 42% respektivisht. Gratë kanë edhe një pushtet më të madh ekonomik. Sipas përllogaritjeve, pjesa më e madhe e të ardhurave gjatë 10 viteve të ardhshme do të vijë nga gratë dhe ato do të marrin dhe një ndihmesë më të madhe nga institucionet ndërkombëtare, të cilat e konsiderojnë forcimin e rolit të femrës në fuqizimin e ekonomisë si parësor dhe një mënyrë efektive për të zhvilluar në mënyrë të begatë shoqëritë.
Kuotat konsiderohen nga amerikanët si jo etike, megjithatë përpjekjet e disidenteve femra janë ndihmuar shumë nga shtimi i përdorimit të sistemeve të tilla. Në 46 vende që kanë sistemin e kuotave në politikë, gratë përbëjnë aktualisht 21.1% të të zgjedhurave dhe kundrejt shifrës 15.3% të vendeve që nuk kanë kuota të tilla përfaqësimi të grave në politikë. Në vende të tilla si Uganda, Burundi dhe Ekuadori gratë përbëjnë 30% të zyrtarëve të zgjedhur, që përbën edhe të ashtuquajturën “masa kritike” që u mundëson të punojnë së bashku për të sjellë ndryshime në legjislacion. Në këto vende ardhja e grave në pushtet konsiderohet si një shenjë demokratizimi. Megjithatë edhe në vende si Irani, që nuk kanë kuota të tilla, 2% e të zgjedhurve në poste shtetërore janë gra. Kështu, në prag të zgjedhjeve rezidenciale të një viti më parë në Iran protestueset femra të të gjitha moshave, disa prej të cilave të mbuluara kokë e këmbë me shami të zeza, e të tjera të veshura me xhinse të ngushta, mbushën rrugët e qyteteve kryesore të vendit. Pjesërisht ato dolën në rrugë edhe pse dy nga lideret e opozitës ishin gra. Gruaja e kandidatit opozitar për President, Zahra Rahnavard, një studiuese e shquar dhe akademike e njohur në vend, bëri fushatë së bashku me të shoqin dhe madje çifti doli thuajse në të gjitha tubimet i kapur dorë për dore. Ishte ajo që bëri thirrje për dhënien fund të diskriminimit të grave. Të njëjtën gjë bëri edhe Fatemeh Karroubi, gruaja e Mehdi Karroubit, një tjetër kandidat i opozitës. Rahnavard në veçanti nënvizoi se në Iran gratë janë po aq mirë të shkolluara sa edhe meshkujt e vendit dhe po aq mirë të përgatitura për të marrë në duar fatet e tij. Sikurse edhe në Irak, gratë përbëjnë një pjesë të mirë të shtresës së mesme që është mjaft në gjendje të mirë. Edhe pse liderët de facto të Lëvizjes së Gjelbër janë burrat, gratë janë ato që vënë në lëvizje gjithçka dhe bëhet fjalë për gra kurajoze që dinë të marrin përsipër rreziqe të mëdha dhe ia dalin t’i përballojnë sfidat. Treguesi i kësaj gjallërie dhe rrezikmarrjeje ishin pikërisht demonstrimet e grave nëpër rrugët e Iranit pas manipulimit të zgjedhjeve vitin e kaluar, kur Ahmadinexhad mori një mandat të dytë shumë të diskutueshëm dhe liderët e opozitës u shtypën dhe u vunë në heshtje.

Shumë gra aktiviste përdorin internetin, faqet dhe blogjet e tyre për të promovuar bindjet që kanë. Në ndihmë të tyre janë edhe celularët dhe mjete të tjera të teknologjisë së lartë. çështja e vërtetë që ngrihet tani është se si dhe nëse rritja e pushtetit politik të grave do të përmirësojë gjërat në botë në përgjithësi dhe në vendet problematike dhe të vështira në veçanti. Nuk është një pyetje që mund t’i përgjigjesh menjëherë, duke u nisur vetëm nga gjinia. Ka pasur dhe ka shembuj të grave që kanë qenë në pushtet si Margaret Theçer, ish-kryeministrja britanike dhe Indira Ghandi, ish-kryeministre e Indisë, që edhe pse kanë qenë gra kanë treguar se janë më luftarake dhe luftënxitëse edhe se vetë meshkujt. Ndaj fakti i thjeshtë i të qenit femër nuk përbën një garanci të pakundërshtueshme të të qenët paqësore dhe progresive. Sigurisht që nuk ekziston as ndonjë provë e sigurt që ato janë në gjendje që të japin një qeverisje më të mirë se meshkujt. Por fakti është se ato tentojnë të kenë prioritete të ndryshme. Sipas disa studimeve akademike, politikanet femra në të gjithë botën i kushtojnë një vëmendje më të madhe në punën dhe veprimtarinë e tyre çështjeve të tilla si shëndetit publik, shkollimit dhe kujdesit për fëmijët. Por para grave ndodhet një rrugë ende e gjatë drejt arritjes së barazisë politike me kolegët meshkuj dhe sipas shifrave të OKB-së, pa një mandat ligjor barazia nuk do të mund të arrihet as deri në fund të shekullit, në të cilin kemi 10 vjet që kemi hyrë. Por për një gjë të gjithë duhet të jemi të sigurt, se gratë sapo e kanë filluar përpjekjen energjike dhe të organizuar për ndryshim dhe kjo tendencë do të njohë veçse rritje.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›