AJO QË ËSHTË IMJA, ËSHTË IMJA!
Në mbarim të emisionit televiziv po meditoja për gjuhën tmerrësisht të ashpër, për megalomaninë intelektuale, për njohjen e vetvetes. Sigurisht të folurit është një marrëdhënie sociale dhe ai që merr përsipër ta bëjë kaq gjë të drejtpërdrejtë, gjithashtu e ngarkon veten edhe me përgjegjësi të hollë, fine, për të qenë etik, të respektojë edhe mendimin e tjetrit. Askush prej atyre që ngre para hundës së tij malin e një uni të habitshëm nuk e kupton dot se në ç’gjiriz është kredhur, sa erë e keqe vjen dhe sa i padurueshëm bëhet. Madje, për ironi, nuk i mbushet as mendja se e ka keq. Që në moshën dyvjeçare fëmijët e dinë mirëfilli se mund të flasin, të bashkëbisedojnë vetëm pasi ka prerë fjalën tjetri. Socialpsikologët e sotëm këtë e ngrenë me forcë dhe si një kërkesë të mprehtë që zë fill nga mosha e njomë.
E keqja është se nuk njihet vetja. është mjaft e hollë shprehja e Benjamin Franklin-it se “ka tri gjëra shumë të forta: çeliku, diamanti dhe të njohësh veten”. Madje kjo e fundit mbahet si e pamundur për t’u bërë. Ndryshe nuk do të ndodhte kurrë që kur të shohin në një parashtresë opinioni dhe diskutimi, ti i spërkat të gjithë me pështymë dhe nuk arrin asnjëherë të krijosh përshtypje të sinqertë, përkundrazi ngre aureolën e urrejtjes, si një nga thurimat më të çuditshme, duke e këtilluar veten me njollosje. O të dëgjosh ç’them unë, o plas! Dhe tirada e pambarimtë e fjalëve të stolisura me breshërimë pështyme nuk mbaron kurrë. Dhe ti dëgjon dhe gjyryku i forxhës së kovaçit fryhet në gjoks me një madhështi habitëse të lemerisur! është e vërtetë se ti dëgjon ngaqë të intereson tema. Duke përfituar nga kjo, ai, përfolësi i hatashëm, vijon të hedhë baltë, të fyejë, të flasë madje me fjalë të zgjedhura, të bërtasë, të bëhet histerik i papërmbajtur, vijon e nuk lodhet derisa të tjerët kolegë të tij ngrihen më këmbë dhe duan t’ia mbathin. ç’është kështu? Ky njeri nuk ndreqet kurrë, sepse nuk njeh veten, sepse nuk ka as idenë më të vogël se “ajo që është imja, është imja” dhe pikë!
Po le të merremi pak me këtë përcaktim solid dhe interesant. “Kur një problem që shtrohet është në hulli, ti mendon se kurrë nuk do të devijojë, kur devijon ti thua se kurrë nuk ka qenë në trasenë e duhur, ndërsa kur sërish kthehet aty, ti thua se aty ka qenë gjithmonë! Jo, kjo është gënjeshtër. Ti, i dashur mik, harron se ajo që mendoj unë është gjëja ime dhe ajo që është e imja, është imja” (2006). Kështu shkruante Xhorxh MekDonald. Gjithçka është fare e thjeshtë. Dhe bukuria, eleganca qëndron, sepse është diçka e thjeshtë. Jo vetëm e kuptueshme. Nuk është fjala se kjo është prona ime dhe unë e kërkoj me zë të lartë deri në kupë të qiellit. Asgjë e keqe, deri këtu. Po kur ti mendon se je Menda e Medauri i mendimit më të lartë e më të kualifikuar, atëherë Zot na ruaj! O kemi lajthitje, o kemi skizofreni, o kemi dëshirë narcisiane për t’u dukur profet e “i madh” në shpjegimet e tua të tërkuzëta e plot pathos pështyme. Por që, sigurisht, ai, i ziu, këtë nuk e vë re, ose nuk dëshiron ta vërë re. Edhe ai bërtet “kjo është imja”! “Ky është mendimi im dhe pikë”!
Megjithatë, duket plasaritja, duket që atje tej, ndonëse e hollë, që nuk është e tija. Kjo plasaritje sa vjen e thellohet, bëhet e çarë, bëhet kanion i madh dhe “ajo që qenka jotja”, nuk u ngjit më atyre që shohin e dëgjojnë, sikur duan të mbyllin veshët në praninë tënde para honit ku ndodhesh.
“Ajo që është imja, është imja”! Kështu thërret ai që dëshiron me lakmi të jashtëzakonshme. Kështu ulërin ai që do pushtetin e humbur. Të tilla thirrje bën edhe ish-pronari dhe vetë pronari i ri. Këtë mendim hedh edhe një opinionist në tregun e fjalëve dhe të ideve. Me këto fjalë mbrohet një qeveritar. Edhe kurva nuk i ndryshon termat kur fillon e mbron nderin e saj të humbur. Një rrugë që ndërtohet, një shesh që braktiset, një tullumbace e ngritur në ajrin e pranverës, një dritë e ndezur në një natë pa gjumë, një ninullë e kënduar dhe e lënë në mes, një frymëzim që të kap befas dhe ti endesh nëpër xhunglën e rrugëve e të tmerrit me aureolën e mendimit tënd, një britmë ogurzezë, një dashuri e pafat..., të gjitha fillojnë dhe mbarojnë me shprehjen e bukur dhe egoiste, brenda ambicies së trandur se “ajo që është imja, është imja” dhe pikë! Dhe askush nuk lëshon pe, askush nuk dritësohet nga kjo ”pronësi” e përkëdhelur, nga kjo doçëri e gallavur keq, nga kjo rrëmujë e bukur, edhe shtetërore, edhe atavike.
#