E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhuxhi i shtatë i KQZ-së

Andi Kananaj

Xhuxhi i 7 duhet do të jetë viktimë e numrit që mban mbi krye. Ai duhet të jetë mrekullia e 7, pasi të kalojë 7 male me vota, për tu kthyer në një Qeros të denjë për përrallën e vet. Magjia e numrit 7, do të jetë garancia që zgjedhjet nuk do të vidhen si 7 herët e mëparshme. Përzgjedhja nuk duhet të jetë qesharake si emisioni 7×7, dhe nuk do të tregojë për martesën e lumtur me princin, pas seksit me shtatë burra shtatshkurtër. Xhuxhi i 7, që të plotësojë kushtet, duhet të jetë UFO, qoftë për kontaktet që ka, në shtetin ku njihen të gjithë me njëri tjetrin, qoftë për reputacionin që gëzon vërdallë. Një Borëbardhë me fatin e kurvës nuk do ta çonte mitin e 7, në nivelin e saj virtual. E nëse edhe mrekullia dështon, do të duhet që nga sënduku të nxjerrim mitin e keq të 97, aty ku pilafi nuk mban më numra. Nëse anëtari i 7 i KQZ-së nuk ia del të jetë njeri me tuta astronauti, të paktën të jetë dikush që mund të preket nga ligji. Që vendimi i tij të jetë i paanshëm për shkak se procedurat ia diktojnë. Berisha nuk do që ai të vijë nga pushteti i gjyqësorit, sepse sado përgatitës skemash të jetë, as Berisha vetë nuk do të dinte të shmangte shortin e kontrolluar të një emri mes shumë të tjerëve. Batuta e tij që në dukje shmangin Avokatin e Popullit (megjithëse ky i fundit mori edhe votën politike të PD-së), tradhëton veçse stepjen përpara një teknike që ia lë fatin e zgjedhjeve, fatit të një gogle kompjuterike. Një gogël që mund të nxjerrë një emër që njihet pak. Sepse koha për ti gjetur anën e ta kontaktojnë njeriun e të shtatave, mund të mos premtojë. Berisha duhet kuptuar si njeri, pasi ai nuk ka më kohë për të humbur në selinë e partisë me Palokën, që i tregon se si mund të vijnë në pushtet, duke hedhur fall në kafe për numrin 7. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë numëron mbi 50 gjyqtarë. Probabiliteti që nga shorti të dalë një Ristan me të gjithë në rregull është i ulët. Berisha e di, meqënëse nuk i le rastësisë as modelin e flokëve të Strazimirit. Propozimi i një standardi me kritere që sjellin në bankën e provës sistemin e drejtësisë, do të kishte dy gjëra pozitive. E para, që një anëtar i zgjedhur me short nga gjyqësori, do të rriste shanset për zhvillime normale ligjore në vlerësimin e të gjithë procesit zgjedhor, me monotoninë apo problemet e tij të panjohura më parë. Së dyti, kjo zgjedhje do të bënte që vëmendja për rolin e pushtetit gjyqësor të ishte më e lartë. Ndërkohë, politika e detyruar të ecë për një ditë me këpucët e qytetarit, do të tregonte vullnetin për të realizuar dhe çuar deri në fund reformat në këtë drejtim. Xhuxhi i 7, duhet të jetë një njeri i zakonshëm, e duhet të jetë produkt i një procesi të disiplinuar. Xhuxhi i 7 nuk duhet të jetë supermeni, që për hir të së vërtetës, edhe nëse ekziston, duhet të ketë marrë ndonjë tender me Bechtel-in. E nëse asnjë prej këtyre standardeve nuk do të realizohet, nëse zgjedhjet do të shkojnë si 7 herët më parë, të paktën do të kemi fatin të jetojmë sunspansin e shortit. Një ditë tjetër me Ardit Gjebrenë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›