Partizani e merr urtë e butë dhe larg deklaratave mediatike
Të kuqtë kanë zhvilluar dje një ndeshje kontrolli brenda grupin dhe ndaj Butrintit gjasat janë se do të jetë pak a shumë formacioni që fitoi ndaj Adës
Është luajtur java e parë e kampionatit, ku të kuqtë e kaluan me sukses duke marrë një tripikësh me vlera në transfertën e Velipojës. Për drejtuesit dhe stafin nuk ka vend për eufori dhe kanë kërkuar nga futbollistët që të përqendrohen vetëm tek ndeshja e radhës, ku padyshim fitorja është alternativa e vetme.Prej ditësh drejtuesit i udhëzojnë lojtarët që të qëndrojnë larg deklaratave mediatike, pasi nuk është momenti për të folur, por për të dhënë maksimumin në fushën e lojës.
Partizani po e merr urtë e butë sfidën me Butrintin dhe të kuqtë atë që kanë dëshirë të thonë u është dhënë urdhër ta tregojnë në fushë, së pari ndaj sarandiotëve dhe në përballjet e tjera të radhës. Para disa ditësh njëri nga drejtuesit e Partizanit, Paro Laçi, për Sportin shqiptar u shpreh:
Ky është vetëm fillimi i një rrugë të gjatë dhe nuk ka arsye që të shpërthejmë me deklarata fill pas javës së parë. Është mirë të rrimë me këmbë në tokë dhe të gjithë të përkushtohemi për një qëllim, kthimin e Partizanit në piedestalin që i takon. Fillimi është i mbarë, por ajo fitore me Adën nuk ka vlerë po nuk u pasua nga ajo e radhës me Butrintin e kështu me radhë.
Ndeshje kontrolli Të kuqtë i vijojnë me intensitet përgatitjet për ndeshjen e radhës, ku të shtunën në kryeqytet do të jenë përballë Butrintit. Takimi me sarandiotët do të luhet të shtunën në orën 16:00 në stadiumin Selman Stërmasi.
Dje stafi teknik kishte planifikuar një ndeshje kontrolli mes grupit, takime të cila shërbejnë për të hedhur piketat e formacionit që zakonisht luan në fundjavë. Nga ajo që është parë dje del se ndaj Butrintit do të jetë pak a shumë i njëjti grup që mori fitoren në Velipojë.
Gjithsesi do të ketë ndonjë ndryshim, pasi dihet se grupi është më i plotë se javën e shkuar, ku janë federuar edhe ata që munguan ndaj Adës. Partizani nuk është nën presion para ndeshjes me Butrintin, gjithsesi përgjegjësia është e madhe dhe çdo ndeshje shikohet si një finale e cila nuk duhet diskutuar.
