E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prençi takon homologun gjerman

Autori i Lajmit: red.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, priti dje në mesditë në një takim drejtorin e Marrëdhënieve me Jashtë të Policisë Gjermane, Klaus Bayer, për të diskutuar mbi bashkëpunimin me Policinë Gjermane, kryesisht në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të qenieve njerëzore, arrestimin e personave të kërkuar, në fushën e trajnimeve të oficerëve të policisë shqiptare etj. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit bëri një ekspoze të shkurtër të reformës legjislative dhe organizative që po i nënshtrohet Policia e Shtetit dhe theksoi se bashkëpunimi policor deri tani me Gjermaninë është në nivele shumë të mira. “Dua të përmend këtu operacionin e përbashkët që kemi bërë me policinë gjermane për goditjen e një grupi kriminal që trafikonin drogë. Në sajë të shkëmbimit të informacionit në një kohë reale u bë i mundur edhe përfundimi me sukses i këtij operacioni. Gjithashtu, vlerësoj me nota maksimale ndihmën që na ka ofruar dhe ofron policia juaj në fusha të ndryshme. Ne ju garantojmë seriozitet dhe besnikëri në misionin tonë të përbashkët, në luftën kudër krimit në përgjithësi dhe në veçanti kundër terrorizmit, krimit të organizuar, trafikut të paligjshëm ndërkufitar etj”, - u shpreh Prençi. Gjithashtu, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, nënvizoi faktin se intensifikimi i mëtejshëm i këtij bashkëpunimi do t i shërbente Policisë Shqiptare për rritjen akoma më shumë të aftësive profesionale. Kurse drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë të Policisë Gjermane, z. Klaus Bayer, garantoi drejtorin e Përgjithshëm të Policisë për asistencë të vazhdueshme. “Ne jemi të gatshëm t ju ofrojmë mbështetje në punën tuaj”, - tha z.Bayer.
Ai pohoi se “ne kemi ekspertë shumë të mirë në fusha të ndryshme dhe trajnimi nga ana e tyre, i oficerëve të policisë shqiptare do të rrisë edhe më shumë profesionalitetin”. Bayer lajmëroi se Policia Gjermane është e gatshme të ofrojë trajnime në luftën kundër akteve terroriste, krimin e organizuar e korrupsionin, krimet kompjuterike etj.
Ky lajm është publikuar: 24/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›