E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ylli Shehu: “Bariç, urgjentisht duhet të shohë nga të rinjtë”

INTERVISTË EKSKLUZIVE - "Me një pikë të grumbulluar në 3 ndeshje dhe me asnjë pikësynim e mundësi për t'u kualifikuar në finalet e EURO 2008, do të ishte më e udhës që në ekip të afroheshin elementë dhe lojtarë të rinj për të qenë të gatshëm për eliminatoret e Botërorit". Kështu është shprehur ekskluzivisht për Albania-sport.com, futbollisti i mirënjohur i Partizanit dhe Kombëtares shqiptare, por dhe katër ekipeve të tjera nga Greqia, Kroacia, Belgjika dhe Bosnjë Hercegovina, Ylli Shehu. Tashmë në rolin e një trajneri, ai është më qartë në konkluzionet e tij, që shpesh i paraqet në rolin e një opinionisti të Radio Sport në emisionin e Agron Kajës te "Gol minutë pas minute", apo i intervistuar nga gazetarë sportivë.
Dy herë kampion me Partizanin e sezonit 1986-1987 (trajner Neptun Bajko) dhe atë të sezonit 1992-1993 (trajner Sulejman Starova), Shehu shpërtheu gati 22 vjet më parë te Partizani i drejtuar nga Bejkush Birce, duke u bërë më pas një sulmuesit më të mirë të historisë së Shqipërisë. Ndonëse në moshë të re, ai do të bëhej një nga lojtarët kyc të Partizanit, që do të kalonte atëherë vite të arta në kampionatin shqiptar dhe kupat e Evropës. "Isha vetëm 16 vjec kur debutova në ekipin e parë në një ndeshje ndaj Naftëtarit në sezonin 1984-85. Për gjashtë vjet me radhë ai do të ishte mes dy prej golashënuesve më të mirë të kampionatit, pasi do të luante përkrah lojtarëve si Ocelli, Millo, Kushta apo edhe të tjerë. Në sezonin 1986-87, Ylli Shehu do të fitonte me Partizanin kampionatin e parë, në drejtimin e trajnerit Neptun Bajko, i cili kishte luksin e të pasurit nën urdhra një brez të shkëlqyer. Më pas menjëherë kalimi në Greqi te Apolloni i Athinës, ku kaloi një sezon të mirë. "Në sezonin 1994-5 kalova në Kroaci me skuadrën e Shibenikut (40 gola), ku qëndrova gjithashtu një sezon shumë të mirë, për t'u transferuar në Belgjikë me skuadrën e Cercle Bryzh", tregon Shehu. Sërish një sezon më vonë ndërron skuadër, për t'u kthyer te Shibeniku. Sezoni i tij i fundit në futbollin aktiv do të ishte ai 2000-2001 në kampionatin e Bosnjë Hercegovinës. Më pas var këpucët në gozhdë. Ish-ndihmëstrajneri i Partizanit, Ylli Shehu, është afruar përsëri në klubin e kuq, por këtë radhë jo në ekipin e parë. Shehu ka marrë drejtimin e një prej ekipeve të shumta të akademisë, atë të 15-vjecarëve. Pas largimit nga ekipi i parë i Partizanit, Shehu punoi për disa muaj si trajner i Tomorit, por problemet e kësaj skuadre e detyruan të largohet para kohe. Shehu ka zhvilluar stërvitjen e parë si trajner i U-15 në akademinë "Partizani". "Jam duke stërvitur futbollistët të datëlindjeve 1992-1993. Ka disa lojtarë premtues, por natyrisht që u duhet shumë punë", thotë ai.
* * *
Shehu, sapo përfundoi faza e dytë dhe janë përcaktuar dhe ekipet gjashtëses së parë. Kemi një Tiranë favorite të qartë për titull dhe pesë ekipe që pretendojnë të hyjnë në zonën Europiane.
- Java e fundit e fazës së dytë bëri disa rivlerësime jo vetëm të pozicioneve të skuadrave në tabelën e renditjes, por dha edhe disa para verdikte, edhe pse ende jo përfundimtare. Ishin disa ekipe që përfituan drejtpërdrejtë nga rezultatet e javës së fundit. Flamurtari me fitoren e arritur në shtëpi me Partizanin, e spostoi veten në mesin e artë të klasifikimit dhe sigurinë për të qëndruar në Kategorinë Superiore. Ekipi i Partizanit me humbjen e pësuar në Vlorë, nuk humbi në pozicionin e klasifikimit, por nga ana tjetër "përfitoi" edhe nga rokada e ekipeve të Vllaznisë me Teutën, për të mos qenë larg këtyre dy ekipeve, duke qenë edhe Partizani një pretedent serioz për vendin e dytë. Edhe dy rivalët e tjerë Kastrioti e Luftëtari, pavarësisht nga fitorja e krutanëve në Krujë, përfituan nga humbjet e Shkumbinit dhe Apolonisë në javën e fundit, duke krijuar një diferencë ende jo matematikisht të mjaftueshme për të qenë të sigurt në qëndrimin e e tyrë në Kategorinë Superiore.
Ju jeni një trajner që keni përjetuar dy eksperienca të ndryshme gjatë këtij sezoni: ndihmëstrajneri i Partizanit në Superligë dhe trajner i Tomorit në Kategorinë e Parë. Cili është ndryshimi më thelbësor midis dy kategorive?
- Për të qenë edhe të vërtetë ekziston një ndryshim shumë të madh midis futbollit dhe klubeve të dy kategorive maksimale të futbollit shqiptar. Kjo jo vetëm për sa i përket cilësisë së futbollit dhe kualitetit të futbollistëve, por në mënyrë të dukshme në investimet që bëhen për futbollin dhe organizimin e brendshëm të skuadrave, duke filluar nga stafet dhe deri te organika e lojtarëve, për të mos përmendur diferencat e mëdha në trajtimin e futbollistëve apo në aksesorët e tjerë të domosdoshëm. Lojtarët që aktivizohen në klubet e Kategorisë Superiore kanë një dallim esencial në raport me vlerat që shfaqin lojtarët e kategorive më të ulëta, ku dhe konkurrenca në vlera është më e ulët.
Shehu një pyetje direkte, a ka talente në Kategorinë e Parë?
- Ka shumë futbollistë me të dhëna premtuese, por për një farë kohe ata zhduken nga skena edhe për shkak të kushteve ku ata zhvillohen.
Si futbollist keni përjetuar një eksperiencë goxha të rëndësishme në kampionate të huaja: në Greqi, Kroaci, Belgjikë. Sa ndryshon në këndvështrimin tuaj futbolli i sotëm shqiptar me atë futboll që keni luajtur ju në vitet '90?
- Në fakt duhet të kuptojmë se bëhet fjalë për një ndryshim të madh në kohë, gati 15 vjecar. Por, ajo që ende konsiderohet prej meje një ndryshim i natyrshëm është diferenca e madhe me kushtet e përgatitjes së futbollistëve shqiptarë me ato të klubeve për të cilat kam luajtur. Mjafton të përmendësh faktin se zona më e populluar e stërvitjeve në kryeqytet është Liqeni Artificial, atëherë e kupton se shumë prej djemve të rinj që stërviten nuk mund të bëhen kurrë futbollistë cilësorë. Futbolli sot është cilësi.
Shehu, si një nga ish-lojtarët e Kombëtares dhe tashmë nga pozita e trajnerit, si e vlerësoni ekipin Kombëtar në prag të sfidës me Slloveninë?
- Në fakt, dëshiroj t'i rezervohem pak kësaj pyetje. Për ekipin Kombëtar aktual dua të thekson se ardhja e trajnerit të ri Oto Baric, nuk solli rinovimin e premtuar në formacion. Është po ai ekip që ka qenë, po ata lojtarë. Personalisht mendoj se do të ketë probleme këtë sezon. Takimin me Slloveninë e mendoj shumë të vështirë, ku peshorja rëndon më shumë nga humbja.
Cili do të ishte një opsion i Shehut në lidhje me Kombëtaren?
- Stafi i Kombëtares vërtet është në juridiksionin e Federatës Shqiptare të Futbollit e cila vendos edhe për trajnerin apo për strukturat ndihmëse, por nuk duhet të arrijmë se ajo i përket gjithë shqiptarëve kudo që janë. Puna më e rëndësishme e krerëve të FSHF-së do të ishte ngritja e një grupi konsultativ të stafit të trajneri te Kombëtares me ish-trajnerë që e kanë drejtuar më parë ekipin kombëtar si Shyqyri Rreli, Bejkush Birce, Neptun Bajko, Medin Zhega apo Astrit Hafizi. Tashmë me një pikë të grumbulluar në 3 ndeshje dhe me asnjë pikësynim e mundësi për t'u kualifikuar në finalet e EURO 2008, do të ishte më e udhës që në ekip të afroheshin elementë dhe lojtarë të rinj për të qenë të gatshëm për eliminatoret e Botërorit.
Intervistoi:Dash Frashëri

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›