Elbasan, 100 mijë mysarë do mësyjnë për Ditën e Verës
Festimet
Organizohen ceremoni dhe aktivitete bashkë me shqiptarët e trojeveElbasani, si vendi autokton i Ditës së Verës, ka veshur petkun e festës tradicionale. Edhe pse dekori zyrtar është përpjekur t’i japë qytetit tjetër pamje, shtëpitë elbasanase sikur “fshehin” brenda tyre tjetër madhështi nën një mjedis më të ngrohtë e më të stolisur me lule të pragpranverës e ballokumet e papërsëritshme si ndonjë vend tjetër. Degë ulliri, si simbole të paqes nëpër dyert e shtëpive, mimoza e lule karakafteje në parvaze dritaresh me dantella, konsiderohen si “zgalema” të stinës më të adhurueshme për të gjithë. Dita e Verës këtë vit duket se është pritur me më shumë mall, edhe për shkak të vonesës së saj nga shirat e vazhdueshëm e motit të lëkundur, që herë-herë ka tunduar edhe kumritë të mos këndojnë. E, megjithatë, elbasanasit këtë festë të shenjtë në traditën e tyre dinë aq mirë ta përcjellin, veçse jo pa miq e shokë nga të gjitha trevat shqiptare.
Mysafirët nga gjithë anët kanë mbërritur në qytet që të enjten në darkë, të tjerë vijnë sot dhe nesër. Rreth 100 mijë mysafirë pritet të jenë në këtë qytet në tri ditët që nuk llogarisin netët. Përpos këtyre, amvisat e furrëpjekësit do të servirin mbi një milion copë ballokume. Nuk janë shumë! Tradita e kërkon që secili mysafir të marrë me vete nga “hisja” e Ditës së Verës, për ata që nuk kanë pasur mundësinë të jenë këtu. Përkundër “programeve” familjare, që e kanë menduar vetë “skenarin dhe regjinë”, pushteti vendor, si për çdo vit, ka hartuar planin e veprimtarive kulturore artistike për tri ditë e net. Ndërsa të enjten në darkë orkestra frymore në qendër të qytetit ka hapur siparin e festës, po në këtë natë ka nisur edhe çelja e Festivalit Kombëtar të Këngës Popullore Qytetare që në këtë pranverë mbush plot dhjetë vjet. Festivali ka vazhduar edhe mbrëmë në teatrin “Skampa” e paralelisht me të, rreth orës 18.00, kreu i shkrimtarëve, Milianov Kallupi, ka organizuar ceremoninë e mirëseardhjes për shkrimtarë e poetë nga vendi e bota. Sot, poeti i njohur Xhevahir Spahiu, nën sharmin e festës, në lulishten pranë rrapit të Bezistanit, do të mbjellë pemën simbolike të verës. Panairi i përvitshëm “Dita e verës 2010” hap pavijonet e tij në pallatin e sportit “Tomor Sinani”, ndërsa në mesditë promovohet dokumentari “Pazari i vjetër” dhe ndarja e çmimeve për interpretimin më të arrirë ndër poetë konkurrues. Koncerti i madh në sheshin qendror të qytetit me pjesëmarrjen e
ansamblit “Isuf Myzyri”, shoqërisë kulturore artistike “Zana” të Ulqinit, grupe artistike nga Kosova e Maqedonia, një grup artistik grek e këngëtarë të tjerë nga të gjitha trevat shqipfolëse e të huaj, do të vazhdojnë përgjatë natës deri në të gdhirë.
E nesërmja nis me krosin masiv të shkollave të qytetit e karnavalet, për të vazhduar me përurimin e një shatërvani në qendër të qytetit dhe shfaqjen e grupit amerikan të muzikës “Country” po në sheshin qendror.
#