Frau Gjermani, është koha të drejtosh!
Kriza që ka përfshirë një numër të madh qeverish të Europës për shkak të peshës së rëndë të borxheve ka nisur që të shkaktojë të çara të mëdha brenda aleancës së vendeve anëtare të euros, monedhës së përbashkët europiane. Javët e ankthit grek që kërcënuan të infektojnë Spanjën, një ekonomi shumë më e madhe e cila ka ngecur në një spirale kruioze dhe papunësie, recesioni që vazhdon të jetë i pranishëm në shumë vende dhe deficiti buxhetor që ka kaluar në shumë vende anëtare 12% të Prodhimit Kombëtar Bruto e bëjnë gjendjen në Europë delikate. Ndërkaq, në peizazh ekonomik Portugalia, Irlanda dhe Italia gëzojnë një shëndet pak më të mirë. Anëtarët e pasur të Bashkimit Europian si Franca dhe Gjermania vazhdojnë që të refuzojnë me bindje çdolloj propozimi për një paketë të mundshme financiare për të ndihmuar vendet problematike. Frika e një përkeqësimi ka bërë që euroja të humbasë kohët e fundit 10 pikë ndaj dollarit amerikan. Duke qenë se kjo krizë mund të ndikojë shumë edhe në vetë stabilitetin e Bashkimit Europian, të gjithë mendojnë se situata duhet që të vihet në duart e një lidershipi të aftë dhe të zotë për të menaxhuar krizën. Në një rast të tillë, burokratët e Brukselit nuk përbëjnë ndonjë zgjidhje. Deri më tani, lidershipi i tij i vendosur pas miratimit të Traktatit të Lisbonës, i cili mezi u aprovua në fundin e vitit të kaluar, ka dështuar në përmbushjen e premtimeve për t’i dhënë Europës një fokus dhe drejtim të ri. Në këtë situatë vakumi është e qartë se kriza mund të drejtohej vetëm nga dora e një lideri të një vendi të fuqishëm i aftë që të arrijë konsensuse jashtë vendit të tij e mes palëve. Në këtë moment kyç, sytë e të gjithëve janë drejtuar te Kancelarja gjermane, Angela Merkel, me sa duket liderja më e respektuar dhe me më shumë reputacion në Europë. Ajo jo vetëm drejton ekonominë më të fuqishme të kontinentit, që ia ka dalë të përballojë me sukses dhe pa drama krizën financiare, por ka arritur të reagojë që në të shkuarën e saj ua ka dalë mbanë shumë situatave të vështira dhe mbi të gjitha të arrijë konsensusin. Për sa i përket kësaj vetie, asaj nuk i afrohet asnjë lider tjetër, as hiperaktivi i paparashikueshëm, Sarkozi, i Francës, as Braun që tashmë nuk ka popullaritet as në Britaninë e tij, apo edhe Kryeministri spanjoll që është përfshirë i tëri në krizën e vendit të tij. Por çka është më e rëndësishme, Gjermania ka përfituar si asnjë vend tjetër në tregti nga vendosja e monedhës së përbashkët. Ndaj Berlini ka edhe një interes jetik në vijimin e stabilitetit në bllok. Por problemi është që as Merkel dhe as vendi i saj nuk duket se kanë shumë dëshirë që të dalin në krye të punëve. Gjatë këtyre 2 dhjetëvjeçarëve që nga ribashkimi i vendit, Gjermania është marrë shumë me veten duke tentuar shumë që të ruajë status-kuonë brenda saj. Merkeli është liderja më popullore në vend që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Ajo u ka premtuar gjermanëve vazhdimësi. Ajo arriti që të fitonte edhe zgjedhjet e vitit 2009, duke premtuar stabilitet. Por aktualisht, kriza në Greqi përbën një nga kërcënimet më të mëdha me të cilat po përballet status-kuoja e gjermanëve e që po i detyron ata në njëfarë mënyre që të shohin edhe jashtë shtëpisë. Në pamje të parë, Merkel mund të ketë të gjitha arsyet për të mos u përfshirë në një krizë të tillë. Në të shkuarën, thirrjet për një lidership gjerman të Bashkimit Europian, kanë qenë thirrje të nënkuptuara për paratë që duhet të derdhë Gjermania në këtë ndërmarrje të madhe siç është BE-ja. Në të shkuarën, gjermanët e kanë bërë një gjë të tillë dhe me shumë dëshirë si në rastin e Kancelarit Kohl, i cili dha një ndihmë shumë të madhe në bashkimin e Europës. Por për liderët e brezit të Merkelit, unifikimi europian nuk është më një çështje lufte, apo paqeje, siç ishte për Kohl. Atëherë ata pyesin veten se përse duhet që të paguajnë për grekët, (apo spanjollët, apo portugezët) të cilët jetojnë mbi një mal të madh borxhesh publike, ndërkohë që gjermanët kanë kaluar për dhjetëvjeçarë të tërë në tehun e reformave shumë të ashpra e të thella që u kanë shkaktuar vuajtje? Në fakt, është normale dhe e arsyeshme që grekët të cilët kanë jetuar për një kohë të gjatë në korrupsion dhe gënjeshtra t’i zgjidhin vetë hallet e tyre dhe të mbajnë përgjegjësi deri në fund, edhe nëse fundi është i keq: falimentimi. Megjithatë, historia ka edhe një anë tjetër. Gjermania, siç e thamë ka qenë një nga përfitueset më të mëdha të futjes së monedhës së përbashkët në fushën e tregtisë. Kompanitë tepër konkurruese gjermane kanë përfituar shumë nga stabiliteti i monedhës së përbashkët dhe kanë shtrirë degët e tyre në çdo cep të kontinentit. Një arsye e dytë është se Gjermania është shumë e varur për sa u përket eksporteve të mirëqenia e vendeve të tjera të BE-së. Duke pasur parasysh këto dhe arsye të tjera, Merkel është përfshirë në njëfarë mënyre në retorikën për të ndihmuar Greqinë dhe qetësuar situatën. Kështu u është bashkuar deri diku deklaratave të Sarkozisë për solidaritet ndaj problemeve të shtetit jugor, duke kërkuar njëherazi edhe masa të rrepta nga ana e Athinës për të përmirësuar situatën. Por Merkel u ka premtuar zgjedhësve të saj se nuk do të nxjerrë para nga vendi për të shpëtuar situatën në vende të tjera. Dhe pasoja e deklaratave të Merkelit janë të dukshme. Fjalët e saj të mira e përkrahëse kanë qetësuar tregjet financiare, të cilave u duket se tashmë kanë një siguri më shumë nga ana e Gjermanisë. Por përtej Greqisë dhe Spanjës ka ende shumë kriza të tjera që mund të prishin stabilitetin dhe status-kuonë aq të shtrenjtë për Gjermaninë duke e detyruar që të angazhohet më shumë në arenën ndërkombëtare. Qëndrimi i deritanishëm i tërhequr i Gjermanisë nuk vjen ngaqë Merkel nuk është e ndërgjegjshme për rëndësinë e lidhjeve me jashtë, të cilat janë në interes të vendit. Megjithatë, ajo e ka kufizuar në minimum marrjen e pozitave drejtuese të vendit të saj, me disa përjashtime të vogla. Kjo gjen shprehje te kundërshtimi i vazhdueshëm i Gjermanisë për të mos marrë pjesë në misionet ushtarake në vende të tjera, por edhe në refuzimin e roleve të lideres në misionet humanitare dhe civile. Edhe pse Gjermania aprovoi dërgimin e trupave në Afganistan dhe ka në këtë vend rreth 5000 trupa, roli i tyre është i kufizuar. Ndoshta kjo është pasojë e një refleksioni që pason ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore. Por ndërkohë, për shumë arsye kërkesat ndërkombëtare për ndërmarrjen e një roli drejtues nga ana e Gjermanisë janë gjithnjë e në rritje. Gjermania thuajse ka bllokuar të gjitha reformat e NATO-s për ta shndërruar atë në një forcë të rinovuar dhe të reformuar. Ajo ka dhënë edhe shumë pak kontribute edhe për sa i përket forcimit të politikës ushtarake të BE-së. Por sipas një raporti të fundit del se Gjermania është e shqetësuar që sipas Traktatit të Ri të Lisbonës një numër shumë i madh postesh diplomatike po u jepen britanikëve në kuadrin e BE-së. Ndërkohë, një nga projektet e fundit të ministrit të Jashtëm gjerman është largimi i të gjitha mbushjeve të mbetura bërthamore amerikane nga toka gjermane në mënyrë që Gjermania të shndërrohet në një vend lider të çarmatimit dhe paqes. Një politikë kjo që duket sikur del nga dosjet e viteve ’80 dhe nuk ka të bëjë fare me problemet e shekullit në të cilin jetojmë kur shumë vende janë bërë fuqi bërthamore.
Deri më tani, Gjermania ka pasur arsye shumë të mira për të mos marrë role drejtuese, për shkak të kundërshtimeve brenda dhe jashtë vendit. Në Europë, çdo tentativë e Gjermanisë për të bërë përpara e vetme, apo së bashku me partnerë të tjerë si Franca, ka ndeshur në kundërshtinë e anëtarëve të tjerë të BE-së që e kanë cilësuar një lëvizje të tillë si “të rrezikshme”. Ndërsa brenda vendit, Merkel është përballur me një kundërshti edhe më të madhe. Por megjithatë, ka shenja të dukshme të ndryshimit të kësaj situate. Aktualisht, gjermanët po përjetojnë një gjendje shumë të mirë krenarie kombëtare. Kurrë më parë ata nuk kanë qenë më krenarë se janë gjermanë. Dhe ky është rezultati i një sondazhi të fundit. Kjo mund të jetë një arsye për një qëndrim ndryshe ndaj marrjes së një përgjegjësie e pushteti më të madh, pushtet e përgjegjësi ndaj të cilave gjermanët kanë qenë alergjikë në të shkuarën.
Vjeshtën e kaluar, vrasja që u bënë gjermanët 14 civilëve afganë, sigurisht gabimisht ngjalli një debat të paprecedentë në lidhje me përdorimin e fuqisë ushtarake. Misioni ushtarak i Gjermanisë në Afganistan nuk është aspak popullor brenda vendit e megjithatë, gjermanët e mbështetën ushtrinë e tyre edhe në rastin e këtij dështimi. Dalëngadalë, gjermanët janë në procesin e ripërdorimit të atij fjalori, të cilin mendonin se nuk ishte më i denjë dhe i mundshëm për ta. Ata kanë filluar që të fusin në shprehjet e tyre brenda dhe jashtë vendit fjalët “pushtet”, “siguri”, “gjeopolitikë”. Në të shkuarën, sjellja e adaptuar prej tyre deri më tani ka qenë shumë e efektshme për gjermanët, ndërsa në një ekonomi shumë të lidhur dhe interaktive e super të globalizuar gjërat kanë ndryshuar e si pasojë edhe qëndrimi gjerman ndaj vetes dhe rolit të vendit në botë duhet të ndryshojë. Gjermania renditet e 7 në ekonomitë më konkurruese në botë dhe i ka të gjitha shanset që të shkëlqejë edhe në këtë shekull të ri. Kjo është teoria. Në praktikë, kjo e ardhme nuk mund të sfidohet pa ndryshime, çka në rastin e Gjermanisë kërkojnë vizionin për të tejkaluar forcat politike dhe kulturore që deri më tani janë përqendruar vetëm në ruajtjen e status-kuosë brenda dhe jashtë vendit. Frau Europa, është koha të marrësh drejtimin!.
#