Ngec projekti për rehabilitimin e sheshit “Skënderbej”
Ngec projekti për rehabilitimin e sheshit “Skënderbej”. Punimet duhet të kishin nisur që në fillim të nëntorit, por kjo gjë nuk ka ndodhur. Madje nga Bashkia e Tiranës nuk ka asnjë përgjigje të saktë për ndonjë datë të afërt për fillimin e tyre. Argumenti i vetëm nga ky institucion është se pengesë po bëhet mungesa e shpronësimeve. Por ndërkaq, në qendër vetëm pak pronarë do të mund të përfitojnë prej tyre. Kjo pasi pjesa më e madhe e hapësirave janë publike. Por sipas këtij institucioni, situata e krijuar ka ardhur si pasojë edhe e vështirësive të krijuara në rikonstruksionin e Unazës së Vogël. “Projekti i Unazës së Vogël megjithëse ka arritur në segmentin e tretë të zbatimit të tij ka probleme sepse nuk është arritur ende shpronësimi i zonës që lidh Rrugën e Barrikadave me zonën prapa Muzeut Kombëtar dhe kjo vonesë jo vetëm po vështirëson punimet për Unazën e Vogël, por ka stopuar edhe fillimin e Projektit të sheshit “Skënderbej”, pohuan burime nga Bashkia e Tiranës. Sipas tyre, nëse procesi i shpronësimeve kryhet, mbetet e pakalueshme rruga te ky segment i Unazës së Vogël, nga ku duhet të kalojnë automjetet. “Nëse do të nisnin punimet njëkohësisht edhe në sheshin “Skënderbej”, atëherë do të paralizohej krejtësisht trafiku. Me ndryshimin e projektit, pas zbulimit të gjurmëve të Kalasë së Vjetër të Tiranës, segmenti i Unazës nuk do të kthehet më te rruga “Murat Toptani”, por do të vazhdojë drejt në urën e re që po ndërtohet te “Dëshmorët e 4 Shkurtit”.